E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Erisi, Policia dhe Shkëndija
Lajme

Erisi, Policia dhe Shkëndija

Altin Bamllari

E shtunë. Mëngjes. Ftohtë. Unë futem në lokal, shefi i sallës del. Nxiton. Në njërën dorë një gotë kartoni me pip, në tjetrën një copë kek. Ndonjë klient, mendoj dhe e ndjek me sy. Jo. Përballë shoh një adoleshent.

Erisi
Në murin përballë një djalë i vogël, paksa topolak, qëndron palëvizur mbi një si parmak në gjendje të fikti. Shefi i sallës e ka sjellë tashmë në vete. Hidhem matanë dhe, ndërkohë që ky i fundit po telefonon dikë, unë nxis djalin të pijë pak qumësht dhe e ngre për ta futur brenda në lokal. Rehatohemi në një tavolinë dhe ia nis me pyetje për të kuptuar më shumë. Djali quhet Eris, është 15 vjeç, banon në Orikum dhe ka ardhur në Tiranë për të shitur çaj. Mbrëmë ka fjetur në një hotel në Kazmë (Kamzë) me 1000 lek. Babai i ka ndërruar jetë tre vjet më parë dhe, që atëherë, ai duhet të ndihmojë nënën e ve dhe vëllain e sëmurë, 22 vjeç, i cili ka probleme nga varësia ndaj drogës dhe e keqtrajton Erisin e vogël vazhdimisht. -Ha pak Eris, i them dhe thellë ndiej keqardhje për këtë fatkeq. -I kërkoj numrin e nënës dhe i telefonoj pa humbur kohë. Nga ana tjetër e telefonit një zë i thatë dhe i shqetësuar më kërkon ta ndihmoj për ta çuar të birin në terminalin e autobuzave e ta nis për në Vlorë. Ndërkohë, në lokal hyjnë katër policë, që erdhën menjëherë, pasi shefi i sallës u kishte komunikuar rastin.

Policia
Policët afrohen në tavolinë dhe, pasi përshëndetemi, kërkojnë informacion. U tregoj gjithçka mësova rreth djalit dhe u lutem të gjejnë një mundësi ta ndihmojnë. Ata më lenë të mbaroj deri në fund dhe dikush prej tyre buzëqesh nën buzë. -Kështu e hëngrëm dhe ne në fillim, njëlloj si ty, ma pret më i vjetri mes tyre. Nuk është ashtu siç duket, vazhdon një tjetër. Ky çuni është një “danoç” që birrën e rrëkëllen si i rritur dhe sillet lart e poshtë nëpër Tiranë. Hajde Eris, çohu! – i thotë i vjetri. Unë s’u besoj syve. Erisi ngrihet ngadalë dhe një polic ulet e i ujdis lidhëset e atleteve. -Prisni, u them. Sidoqë të jetë, atij gati sa s’i rra të fikët. Tek e fundit është një fëmijë. -Mos u shqetëso zotëri! Nuk e ka për herë të parë. Po e marrim dhe po e nisim për në Vlorë. Ditën e mirë!

Shkëndija
I hutuar nga kjo skenë, marr sërish nënën e Erisit. Emrin e ka Shkëndije.
-Áaalo! Zëri i saj, këtë radhë, më ngjau si një zë burri.
-Jam ai zotëria që të telefonova pak më parë.
-Hë.., ma nise çunin?
-Jo. Erdhi policia dhe e mori. Më thanë që do ta nisin ata.
-Po pse erdhi policia mo zotëri? Ti më the që do ta nisje vetë.
-Zonjë, djalin e ke në duar të sigurta. Më thuaj pak çfarë ka që nuk shkon në këtë mes?
-O vëlla, Erisi është mashtrues. E bën edhe dreqin për të qarë. Ka një javë që ka ikur nga shtëpia. I duket vetja i madh. Seç është ngatërruar me ca, a ku di unë, dhe ka braktisur shkollën. Mendja i është bërrë Tik Tok. Hajde po deshe në Orikum e pyet për mua. Nuk di si ta mbledh. Ma ka hequr trurin fare o zotëri. Më fal ë…, se mbase po të ankohem shumë e ti s’ke të bësh fare me këtë, por Erisi po më shkatërron jetën. Jam e ve e po më del bretku në punë… Pip, pip… Linja u ndërpre dhe mendimet e mia u bënë lëmsh. Vendin e tyre e zunë imazhet e këtij mëngjesi të ftohtë. Fytyra e pafajshme e Erisit. Sytë e frikësuar të shefit të sallës. Nënqeshja e policit. Surrati im naiv. Zëri si burrë i Shkëndijes. Prit njëherë! Mbase jam në ëndërr. Jo. Zilja e telefonit më shkundi.
-Áaalo! Shkëndija jam. O vlla, a ke ndonjë numër telefoni të policëve?

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.