Ermal Beqiri merr 4 miliardë lekë nga AKSHI me tendër të dyshimtë
Ermal Beqiri, pronari i kompanisë SOFT & SOLUTION, është eksperti i cili me ekspertizën e tij rrëzoi në Gjykatën e Lartë videon e korrupsionit Meta-Prifti, duke qenë elementi kyç në shpalljen e pafajshëm të Ilir Metës.

Pas fitores së koalicionit PS-LSI në 2013, Beqiri u angazhua edhe si konsulent i qeverisë për hetimet e brendshme mbi skandalin e serverit të Tatimeve. Sot ai është një ndër njerëzit që ka fituar më shumë tendera në fushën e informatikës dhe pjesën dërrmuese i ka marrë nga AKSHI.
Vetëm në 10 vitet e fundit, ai ka marrë rreth 20 milionë euro tendera, një shifër kjo kolosale për Shqipërinë. Por prisni, pasi kësaj shifre, Beqiraj sapo i ka shtuar edhe rreth 4 milionë euro të tjera brenda ditës, në dy tendera të ndryshëm të përfituara nga AKSHI e Mirlinda Karçanaj.




Tenderi i parë ka numër reference REF-66867-04-24-2023 dhe objekt “Përmirësimi dhe ristrukturimi i Platformës së Bashkëqeverisjes- për Agjencinë për Dialog dhe Bashkëqeverisje”, me një fond limit në vlerën 209,166,667 lekë të reja pa TVSH ose rreth 2.5 miliardë lekë të vjetra me TVSH.


Ndërsa tenderi i dytë ka si numër reference REF-83243-10-11-2023 dhe objekt “Përmirësim dhe shtim i funksionaliteteve të sistemit të menaxhimit dhe raportimit të incidenteve kibernetike- për AKCESK”, për një fond limit në vlerën 134,355,812 lekë të reja pa TVSH ose gati 1.6 miliardë lekë me TVSH.


Edhe pse në të dy këto tendera ka patur oferta me vlera më të ulëta nga kompanitë e tjera pjesëmarrëse, AKSHI ka shpallur fituese kompaninë e Beqiraj për një total në rreth 4 milionë euro me TVSH. Është e habitshme ndërkohe se si SPAK nuk ka denjuar ende të marrë nën hetim tendera të tillë kaq të dyshimtë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



