E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Euroatlantiku i braktisur!
Lajme

Euroatlantiku i braktisur!

 Vitjon Nina

Një karrige boshe, me në tavolinë një fletë formati, ku gërmëzohet programi ditor i punës kuvendare, është e dukshme në sallën e Parlamentit të Shqipërisë. Tre kartonë e zakonshëm për të shprehur qëndrimin qëndrojnë në vendin e tyre, së bashku me një kartë në makinerinë për të mundësuar artikulimin përmes mikrofonit.

Në një etiketë të madhe me logon e Kuvendit të Shqipërisë shkruhet: Z. Lulzim Basha Deputet.

Teksa, në sfond, dëgjohet kryetarja e re e Kuvendit, Elisa Spiropali, e cila me zë të plotë lexon disa njoftime për ndryshime, që kanë ardhur nga grupet parlamentare.

“Kreu i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka vendosur që Lulzim Basha të mos jetë më në delegacionin e Këshillit të Evropës. Ai do të zëvendësohet nga Albana Vokshi”, lexon ajo me një frymë.

Ishte në fakt roli i fundit që i kishte mbetur nga ajo e cila ai e quan “parti e vjetër”, pasi më vete tashmë vet emërtohet “demokrati euroatlantik”.

Pjesa “euroatlantike” iu shqit nga ata, të cilët dikur ia qëndisën mbi supe, duke e kthyer në një figurë, e cila në fakt edhe gjerësisht në opinion si e tillë paraqitej dhe perceptohej, si stofa e një politikani perëndimor dhe larg realitetit brutal shqiptar.

I tillë doli!

Nëse perceptohet kjo si më e keqja, as e tillë nuk është, sepse nuk u deshën shumë orë pas seancës, për të reflektuar zërat që qarkullonin prej kohësh.

Ndër besnikët e Bashës deri në ditët e fundit të betejës kundër qëndrimtarit Sali Berisha në PD, Enkelejd Alibeaj e artikuloi qartësisht: Jemi duke punuar për një parti të re.

Ai nuk e përmendi Bashën, as për mirë e as për keq. Por, ai përmendi se opozita sot është “false”.

Iu referua asaj të Berishës, të cilën e futi në një grumbull me politikën e kryeministrit Edi Rama. Por nuk e përjashtoi as Bashën, pavarësisht se e mbajti larg përfoljes.

“Nëse ka forcë përtej të vjetrës, besoj se shqiptarët do mbështesin një alternativë të besueshme. Unë jam një prej personave që jam pjesë e grupimit”, tha Alibeaj, duke mos e bërë të qartë se ku Basha përket, mes të resë dhe të vjetrës.

Por, panorama është e qartë dhe e ngjeshur për ish-kreun e opozitës.

Ai guxoi, vonë…tepër vonë. Dhe u dogj nga ky guxim politik. Provoi të qëndronte dhe ai, si paraardhës/pasardhësi i tij në PD, por nuk ia doli, me metodologji, të cilat edhe nuk u pëlqyen.

E vetmja gjë që i mbetet është ajo karrige boshe në sallën e Parlamentit. Të paktën edhe për një vit. Ndoshta boshe më shumë…

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.