Fajin e ka Qeveria e Ahmet Zogut!
Shqipëria është një vend i madh. Shtrirja e saj gjeografike është aq e madhe, e gjerë dhe e gjatë, sa Lideri i Gjatë e ka të pamundur ta vizitojë cep më cep.
Gjithashtu, Shqipëria ka një popullsi prej 300 milion banorësh. Hallet e kaq shumë njerëzve nuk mund të zgjidhen fët e fët, prandaj Qeveria e Liderit të Gjatë ka ngritur një derr administrate, që zakonisht nuk bën asgjë, vetëm vjedh.
Por Lideri i Gjatë edhe kësaj pune ia ka gjetur anën. Zakonisht jep shembullin personal. Psh, ka probleme për fëmijët special? Fap, Lideri i Gjatë vishet si Plaku i Krishtlindjeve dhe ia zgjdh hallin njërit prej tyre.
Je sëmurë me kancer? As mos e vrit mendjen për ilaçe. Një takim me Liderin, një xhiro deri tek Onkologiku, dhe ja halli u zgjidh.
Por Lideri i Gjatë ka edhe halle të tjera, hallet e Rajonit dhe te Gjirit Persik. Sidomos hallin e Palestinës! Prandaj ne votuam kundër SHBA-ve në OKB.
Për dreq, të gjithë i kanë sytë tek Lideri ynë, prandaj ai nuk ka kohë për të gjithë. Për këtë arsye Lideri i Gjatë, si novator i madh dhe dashnor i teknologjisë, bën shpesh video-konferenca me punëtorët e lavdishëm që nuk marrin rrogat prej dy vitesh.
“S’keni pse vini në këmbë në Tiranë”- u tha dje Lideri naftëtarve të Fierit, nga Rajoni i Largët i Shkretëtirës se Gobit.
Dhe kur një burrë i shkurtër nga naftëtarët tha se nuk kemi bukën e gojës, u duk qartë se ai abuzonte me Liderin e Gjatë, sepse bukë ka, por nuk ka profesionistë.
Rajoni i Veriut të vendit të Shqiponjave që shtrihet afër Polit të Veriut, ka halle të tjera. Lideri ynë me anë të teknologjisë do t’ua zgjidh edhe atyre hallet. Formula në fakt ka kohë që është vënë në zbatim; po nxitet me çdo mënyrë dhe mjet shpopullimi i vendit. Fundja nuk ka faj Lideri ynë; si mund të qeveriset një popullsi kaq e stërmadhe prej 300 Milion banorësh?!
Ndërkohë, pritet që në vend të plasin demostratat antiqeveritare për të rrëzuar Liderin Global. Mbetet për t’u parë se si do ta menaxhojë këtë situatë të nxehtë Lideri ynë. Një gjë është e sigurtë, për gjendjen e tmerrshme ku ndodhet vendi, fajin e ka Qeveria e Ahmet Zogut!
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



