Faktet/ Zv.kryeministrja Belinda Balluku nën hetim?

Si i ndau Belinda Balluku kontratat e “Fotovoltaikëve”! Në skenë del edhe Spartak Kovaçi i Ujësjellësit nën hetim nga SPAK

Zbardhen  disa fakte të panjohura për publikun për licencat e firmosura nga Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjikes, Belinda Balluku, të cilat sipas raporti të KLSH, por edhe ekspertëve janë dhënë me shkelje procedurale, por edhe në konflikt të dyshuar interesi.

Ja  kompanitë që kanë përfituar nga firmat e Ballukut, lidhja e tyre me ministren, si dhe shkeljet që janë zbuluar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

 

KLSH: Mungojnë dokumentet për kontratat e Parqeve Fotovoltaike! Balluku fshehu dokumentet e Parqeve Fotovoltaike dhe Eolike

Ajo që mund të përmblidhet në gjithë vëzhgimin e  procesit dhe praktikave të dhënies së parqeve fotovoltaike apo eloike, rezulton se, në 8 kontrata për këto parqe ka patur mungesa të dokumenteve për disa nga kontratat.

Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit: “Dosja nuk është e inventarizuar, në kundërshtim me Normat tekniko- profesionale dhe metodologjike të shërbimit arkivor në Republikën e Shqipërisë.” Por KLSH u ka qëndruar përfundimeve të auditimit, duke zbuluar detaje të tjera.

“Në asnjë rast referuar dokumentacionit të vënë në dispozicion, nuk administrohej një shkresë ku ministria kërkon dokumentacion shtesë. Dosjet e këtyre praktikave duhet të mundësojnë gjurmën e auditimit, pra të administrojnë jo vetëm dokumentacionin e sjellë nga subjektet, por edhe dokumentacionin vërtetues të të gjithë punës së kryer nga ana e ministrisë dhe njësive të saj.”

Një problem tjetër që ngrihet në lidhje me Parqet Fotovoltaike dhe Eolike është Komision i Vlerësimit të Aplikimit. Sipas KLSH-së, Komisionet e Vlerësimit të Aplikimit kanë dhënë vlerësimin pozitiv për disa kompani edhe në rastet kur dokumentacioni i sjellë nga këto subjekte aplikuese nuk justifikonin kushtet e pranimit për aplikim.

Sipas KLSH -së “Toleranca në dhënien e miratimeve paraprake subjekteve që nuk justifikojnë kapacitetin teknik, stafin dhe mjetet, si dhe eksperiencën e nevojshme për të ndërtuar impiante të tilla fotovoltaike ose eolike mund të cenoje në vetvete qëllimin e MIE për të rritur prodhimin e energjisë nga burimet e rinovueshme diellore dhe të erës”.

Audituesit theksojnë se nga Raporti Vjetor i ERE për vitin 2021, vetëm 3 nga impiantet fotovoltaike kanë nisur prodhimin dhe asnjë impiant eolik.

Në këtë rast, KLSH ka nënvizuar se mungon mbikëqyrja dhe monitorimi i veçantë nga ana e Ministres Belinda Balluku, për të realizuar me sukses futjen në treg të këtyre kompanive.

Nga auditimi me zgjedhje i urdhër-shpenzimeve, duke i analizuar dhe me regjistrimin në sistemin Sistemi Informatik Financiar i Qeverisë (SIFQ) për periudhën 2018-2021 është zbuluar shkelja e afateve për likuidimin e faturave.

Madje, në një rast, në vitin 2019, nga Ministrja Belinda Balluku janë kryer pagesat ndaj kompanive të Përmbarimit, për të cilat mungojnë fatura tatimore të lëshuara.

Në këta rast, KLSH ka kërkuar nga Ministria e Infrastrukturës të marrë masat e një planifikimi/programimi sa më real dhe të besueshëm të buxhetit, pikëpyetje që bien mbi zv.kryeministren Belinda Balluku.

Familjarë të zyrtarëve publikë janë favorizuar nga Ministrja Belinda Balluku pasi në skenë dalin familjarë të Xhaferr Xhoxhaj, këshilltari i Spartak Kovacit, prej vitesh Drejtor i Përgjithshëm i Shoqërisë Rajonale Ujësjellës Kanalizime Durrës.

Spartak Kovaçi, i cili është aktualisht nën hetim nga SPAK për abuzimet me fondet publike, njihet edhe si një nga njerëzit më të mbështetur nga Belinda Balluku.

Konkretisht, në fund të dhjetorit 2018, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë lidhi kontratën “Për Ndërtimin, Shfrytëzimin dhe Administrimin e Centralit Fotovoltaik “Lugano”, në zonën e Topojës, në Bashkinë Fier”. Kjo kontratë ka patur probleme të shumta që nga aplikimi e deri te miratimi, ku është zbuluar se miratimi i kontratës është bërë pa u plotësuar disa nga kushtet kryesore. Madje, miratimi i kësaj kontrate është bërë pa firmën e Sekretares së Përgjithshme nga Ministria e Infrastrukturës.

Por edhe në rastin e bashkëshortes së këshilltarit të Kovaçit, zonjës, Eglantina Xhoxhaj, Ministria e Energjetikes, e Ballukut e ka toleruar transferimin e së drejtës për ndërtim, pa marrë miratim në rastin e kompaninë “ES 2019”, e cila fillimisht kishte si objekt të veprimtarisë ndërtim dhe shërbim hoteli.

Por kush janë personat që kanë marrë këtë licencë?

Në posedimin e licencave për Centralet Eolike, të cilat shfrytëzojnë energjinë e erës kanë hyrë dhe familjarë të ish-gjyqtarëve, biznesmenë të akuzuar për lidhje me Ndraghetta-n dhe familjarë të zyrtarëve të lartë.

Njëra nga kompanitë, e cila rezulton me probleme në hartimin e dosjes është “GreenTech” shpk, e cila është themeluar në korrik 2019 nga Bjorni Sollaku, i biri ish kryeprokurorit Theodhori Sollaku dhe ish gjyqtares së shkarkuar nga “Vettingu”, Zegjine Sollaku.

Në 24 dhjetor 2020, Këshilli i Ministrave, nën drejtimin e zv.kryeministrit Erion Braçe, kaloi vendimin për ndërtimin e centralit prodhues të energjisë elektrike eolike dhe vepra ndihmëse në zonën e Semanit, në Topojë, në Bashkinë Fier nga kompania “GreenTech” shpk.

Sipas të dhënave të siguruara nga “Vetting”, projekti përfshin investimin me vlerë 282 milionë lekë ose 2.1, milionë euro nga të cilat 70% do të sigurohen me financim nga bankat. Ajo që bie në sy është fakti se, për një pjesë të investimit, kompania “GreenTech”,  ka në bankë rreth 360 mijë euro. Ky informacion konfirmohet edhe nga të dhënat e Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Por Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, nën drejtimin e Belinda Ballukut, ka shkelur ligjin për regjistrimin e kësaj kontrate. Kjo pasi Komisioni i Vlerësimit e ka dorëzuar me vonesë këtë raport, duke u miratuar në 13 dhjetor 2019.

Sipas VKM 822, datë 07.10.2015, i ndryshuar, përcaktohet se çdo aplikim duhet të shoqërohet me informacion dhe dokumentacion, kontrata të ngjashme, që vërtetojnë se aplikuesi ka realizuar me sukses veprimtari të ngjashme në fushën energjetike. Në këtë rast, kompania e Bjorni Sollakut apo vet ky i fundit nuk ka kompani të cilat kanë rezultuar me veprimtari të ngjashme më herët..

Megjithatë në 16 maj 2022, Bjorni Sollaku, i shet 10% të aksioneve të “GreenTech” me administrator Dean Baboci kompanisë “NCI” në pronësi të Besnik Halilit me administrator Ergys Halili me vlerë 30 mijë euro. Transaksioni paraqet dyshime për pastrim parash.

Kujtojmë se Besnik Halili është administrator i kompanisë “GTS-Gazra Teknike Shqiptare” shpk dhe është përmendur nga eksponentë të mafias italiane në bisedat e përgjuara nga Guardia Di Finanza, si person me influencë në fushën e tenderave në Shqipëri.

Në janar 2021, në një intervistë për një televizion, Besnik Halili mohoi lidhjet me shtetasit italian dhe deklaroi se ky lajm po qarkullonte vetëm për të spekulluar me emrin e tij.

Megjithatë, transferimi i aksioneve te Besnik Halilit nga kompania “GreenTech”, e ka sjellë në qendër të vëmendjes përsëri këtë çështje pasi gruaja e tij, Luneda Sufali, rezulton Kryeinspektore e Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor në momentin e transferimit të aksioneve. Kalimi i aksioneve te familjarë te personat e zyrtarëve të lartë ngre pikëpyetje për konflikte të interesit.

Tenderi i ARRSH

Pikëpyetje që vijojnë edhe  me tenderin e mirëmbajtjes se serverëve të ARRSH ka dërguar në dyert e SPAK-ut edhe kreun e AKSH-it, Mirlinda Karçanaj. Kreu i AKSH u paraqit në institucionin e hetimit të posaçëm pas nisjes së hetimeve për drejtorin e ARRSH-së, Evis Berberi i cili u prangos nën akuzat për shpërdorim detyre dhe korrupsion.

Ndërkohë, mësohet se nën hetim është edhe procedura e ndjekur për një regjistër elektronik, tender i hapur me objekt “Auditimi energjetik i stokut të ndërtesave Publike “, me fond limit 420 mijë euro.

Me sa mësohet nga hetimet, ajo që bie në sy është fakti se, në këtë tender specifikimet teknike kanë ngushtuar kriteret duke zvogëluar konkurrencën e duke hedhur dyshime për paracaktim fituesi.

Edhe ky tender është kryer nëpërmjet Ministrisë së Infrastrukturës së drejtuar nga Belina Balluku.

Balluku nën hetim?

Emri i zëvendëskryeministres Balluku u rishfaq në çështjet hetimore menjëherë pas prangosjes së kreut të ARRSH-së, Evis Berberi, i cili ka qenë bashkëpunëtori i ngushtë i Belinda Ballukut, qyshse nga koha kur ajo drejtonte Albkontrollin.

Zonja ministre dhe njëherësh numri dy i qeverisë, pavarësisht nga ky skandal dhe aferë që tashmë e ka dosjen në SPAK, prej kaq kohësh nuk ka bërë asnjë reagim për prangosjen e Evis Berberit.

Ndërkohë që mediat vijojnë të raportojnë  se hetimi për komunikimet në celular i kreut të ARSH-së, ka lënë të hapur thirrjen e saj për dëshmi, sidomos për vendimet dhe fondet që ka menaxhuar dhe menaxhon ende me firmën e vet./Veting

Publikuar nga Publik Media