NGA BASIR ÇOLLAKU
Nga sa informohemi, printimin e kartonëve të diplomave, e bën Administratori i UT-së, i cili ja dërgon të dhënat e studentëve të diplomuar një shtypshkronje, me të cilën ai vetë ka lidhur një kontratë bashkëpunimi. Të dhënat për printim të diplomave, Administratorit të UT-së, i shkojnë me shkresë miratuese nga Rektori. Kështu është vepruar në UT, qysh nga viti 1956 që është krijuar si universitet.
Por çfarë ndodhë? Administratori me vetëdije, në bashkëpunim me Fakultetin, në oskuritet të plotë, fabrikonte diploma studentësh të paregjistruar ligjërisht në UT dhe i fuste në grupe të vegjël mes shumë diplomave të printuara ligjërisht, për t`u firmosur tek Rektori i UT-së, mbasi Dekani i kishte firmosur të gjitha, por pa lënë asnjë gjurmë në printimin e tyre. Pra çdo gjë printohej nga sekretaret, në të njëjtën formë siç ndodhte në një universitet “Kioskë”, ku doli publikisht në mediet tona dhe të huaja, se si pajiseshin me diplomë studentë të caktuar, pa e ndjekur ciklin akademik 3-vjeçar.
Me tu zbuluar kjo skemë, Rektori i UT kërkon sqarime dhe i dërgon shkresë Administratorit të UT-së, i cili nuk e vuri ujin në zjarr, mbase nga që ka një mburojë tjetër politike dhe jo profesionale dhe ligjore.
Fabrikimi i diplomave përbën padyshim veprim të jashtëligjshëm dhe krijon një precedent të rrezikshëm në firmosjen e mundshme të kartonëve të diplomave të falsifikuara, prandaj për ta ndaluar këtë praktikë të rrezikshme, Rektori i Tiranës i është drejtuar disa herë Administratorit të UT-së për të ndaluar fabrikimin e diplomave jashtë kanaleve zyrtarë të Universitetit.
Shkresa drejtuar Administratorit ndër të tjera thotë se:
Administratori, -thekson shkresa e Rektoratit, ka shkelur dhe ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale, duke i ekspozuar të dhënat e përdorura në këto lista, sepse përcjellja e të dhënave, bëhet vetëm nga drejtuesi i njësisë kryesore. Rektorati kërkon që të mos prodhohet asnjë karton që nuk autorizohet prej tyre dhe nuk përmbush kriteret ligjore të procedurës. Ky lloj shpërdorimi ka sjellë jo vetëm shkelje ligjore, por njëherësh dhe një dëm financiar që do të jetë përcaktim i agjencive hetimore dhe audituese.
Rektorati me shkresën nr.5182/3 me datë 8 janar 2020, kërkohet njëherësh informacion mbi praktikën dhe procedurën e përdorur në printimin e disa kartonëve të diplomave, printime të paligjshme e të paautorizuara, por fakulteti ekonomik nuk kthen përgjigje. Më herët, me një tjetër shkresë me 10 dhjetor 2019, ishte kërkuar sërish të dhëna të munguara. Por në vend të përgjigjes vijojnë printimin e një sasie tjetër diplomash pa ndjekur procedurën dhe pa qenë të autorizuar nga Rektorati për të prodhuar kartonat, pa kryer procesin e filtrimit dhe verifikimit institucional, sipas kritereve ligjorë. Në këtë shkresë Rektorati thekson se “kur nuk e kalojnë këtë procedurë, lind dyshimi i arsyeshëm, që mes tyre mund të fabrikohen edhe diploma të falsifikuara apo personash që nuk kanë kryer kurrë studimet universitare pranë institucionit të Universitetit të Tiranës.”
Në këtë komunikim, Rektorati kërkon një ndërprerje të menjëhershme të procedurës, të cilësuar prej tyre tërësisht të paligjshme. Në një nga shkresat, ndër të tjera thuhet se “…kërkohet të ndaloni këtë procedurë të jashtëligjshme të printimit të kartonëve të diplomave të Universitetit të Tiranës, me lista të dhënash studentësh të diplomuar, të cilët nuk kalojnë në hallkat akademike dhe ndihmës akademike të institucionit, çka pa dyshim mund të konsiderohet si një procedurë e fabrikimit të dokumenteve të Fakultetit të Ekonomisë, pasi jo vetëm krijon një precedent të rrezikshëm në lëshimin e mundshëm, (pse jo) të kartonëve të falsifikuar, por njëherësh minon seriozitetin institucional dhe besueshmërinë e Universitetit të Tiranës në shoqërinë shqiptare.”
Vijon…..






