Fatos Lubonja: Ju tregoj kush është në krye të KÇK-së. Një porosi për Metën
Analisti i njohur Fatos Lubonja e konsideron si “rrëshqitje” drejt një shteti policor paketën e propozuar sot nga kryeministri Edi Rama që i jep fuqi ligjore policisë të bëjë përgjime pa pasur nevojë për vendim gjykate apo leje nga prokuroria.

Lubonja: KÇK është kap ç’të kapësh për gjyqtarët, e para gjë që mund të thuhet; Po Reforma në Drejtësi çfarë ishte? O do pranojmë dështimin e Reformës në Drejtësi, ose të dyja bashkë nuk shkojnë. Është një konfuzion mendor i kryeministrit, ka humbur sensin e realitetit dhe mendon se çdo gjë që mendon ai se i bën mirë atij, i bën mirë dhe shqiptarëve. Ligji përveç të tjerave është forcimi i një regjimi policor.
Ky do të bëjë institucionet e tij paralele, të partisë së tij, siç kishte Hitleri SA-në e famshme. Ky është në pushtet, i ka të gjithë institucionet dhe ndërton edhe institucione të tjera që janë komplet në kundërshtim me atë që është propaganduar, një reformë në drejtësi që do të luftojë korrupsionin, krimin e organizuar, do jetë e fuqishme, e pavarur nga politika, etj. Është për të vënë duart në kokë.
Anti-KÇK-ja ishte për gjyqtarët, kjo ishte në fillim, banda kap ç’të kapësh është e gjyqtarëve. Kjo është për t’iu hedhur hi syve njerëzve, sepse normalisht banda e vërtetë me në krye KÇK-stin e vërtetë është Edi Rama. Kapet ai me vetting Muçi për 15 mijë euro, për apartamente, gjëra të vogla që hajt ta kapim. Ti ke një kryeministër që ka deklaruar se tokën në Surrel ka deklaruar se e ka blerë me paratë e emigracionit. Nuk ka vetting për këta. Kush është banda këtu? KÇK, apo KÇKK-j?!
Të vetët, veten në qafë paçin nëse e ndjekin se po na marrin në qafë edhe ne. Me këto që bën ai, nuk ka sensin e realitetit të shëndoshë. Është absurde fare. Dmth nuk di çfarë t’u thotë partnerëve ndërkombëtarë që mbështetën reformën në drejtësi. Ore, ne të mbështetëm në reformën në drejtësi mund t’i thonë nga ambasada amerikane nëse u ka ngelur pak pavarësi, objektiviteti edhe atyre. Si e bën tani këtë?! Ose Evropës. Këtu jemi në situatën se mund të dalë situata nga duart. Problemi është si ndalohen këto veprime.
Lëvizjet e Metës
“Më duket si shenja e parë që kemi të bëjmë me këtë krizë, që i ka nxjerrë jashtë institucioneve të gjithë, si kryeministri, edhe presidenti është jashtë institucionit. Është vështirë të shohësh që Presidenti del në një situatë ku do bëjë protesta, qoftë dhe për referendum. I ka konsumuar të gjitha mjetet institucionale, duket si lëvizje e dëshpëruar. Po të më kishte kërkuar mendim, do thoja se duhet të bëjë luftën në institucion deri në fund, kur ta heqin, duhet të dalë në shesh.
Jam dakord që populli duhet të lëvizë, të mbrohet se nesër mund të ndërtohet një regjim policor. Po se kush do ta organizojë popullin pastaj, partitë, shoqëria civile apo presidenti, ka një problem këtu te presidenti, se duket sikur del nga roli i institucionit. Por, që ka të drejtë se këtu duhen bashkuar të gjitha forcat demokratike për të ndaluar këtë rendje pas pushtetit të Ramës, që s’ka marrë asnjëherë mësim, se këta tjerët kanë marrë mësim, edhe Meta, edhe Berisha. Në këtë aspekt, duket se kur të ikë ky, do të ikë edhe Shqipëria. Do ta çojë në zero fare, institucionet, por edhe ekonominë. Në këtë aspekt është e vërtetë se duhet bërë diçka, por Presidenti duhet të qëndronte në rolin e tij me instrumentet që ka. Si në krye të një proteste e shoh jo shumë bindëse.
Basha duket sikur po pret që molla t’i bjerë në dorë, është këputur, në rastin më të mirë. Në rastin më të keq, ata s’kanë më fuqi t’i mbledhin njerëzit, s’kanë fuqi ekonomike, janë lodhur. Pastaj ka ndikuar një lloj pozicionimi me ndërkombëtarët, se ju duket sikur i kanë me vete dhe do iu japin dorën. Basha ishte tani me partitë popullore dhe dhanë një mbështetje, por nuk mendoj që ata të jenë aq aktivë, sa të sigurojnë pushtetin. Pushteti, me këtë lloj bande, nuk merret aq kollaj. Më duken shumë pasivë për situatën që ndodhemi, do duhej më shumë goditje.
Ideja e referendumit është që të shkohet në zgjedhje, por të zgjidhet dhe presidenti përmes këtyre zgjedhjeve. Është një formë për të bërë që populli të vendosë se kush do të jetë në pushtet. Është një referendum pro ose kundër Rama, pro ose kundër Meta dhe opozita. Nuk e di sa është e realizueshme kjo dhe kjo kërkon sërish një bashkërendim. Kemi një hall të madh se partitë tona marrin pushtetin dhe eliminojnë tjetrin, kjo është mendësia e tyre. Këtë lojë duket sikur e ka fituar Rama, i duket atij të paktën, por çdo bandë e ka një fund. Më duken lëvizje pak që nuk di çfarë mund të sjellin. Deri dje opozita ka ngritur çështjen se këtu nuk ka zgjedhje të lira. Por a ka referendum të lirë? A je i sigurt për këtë? Unë pyes sa janë realistë këta, sa njerëz mund t’iu dalin në shesh?
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



