E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Federata Ndërkombëtare e Xhudos shkruan për suksesin e Majlindës
Sport

Federata Ndërkombëtare e Xhudos shkruan për suksesin e Majlindës

Federata Ndërkombëtare e Xhudos (IJF) e ka publikuar një fotografi në llogarinë zyrtare, mbi të cilën e ka komentuar suksesin e Majlinda Kelmendit, në Grand Slamin e Dusseldorfit, që po zhvillohet për momentin.

Në gjysmëfinale të kësaj gare, Kelmendi e mposhti xhudisten italiane Odette Giuffrida, me ippon, në kategorinë e peshave deri në 52 kilogramë. Me këtë fitore, kosovarja e ka siguruar medaljen e argjendtë, por do të tentojë ta fitojë medaljen e artë.

Majlinda e kishte mposhtur italianen edhe në finalen e madhe të Lojërave Olimpike RIO 2016. Ndërsa, në finale, do të përballet me xhudisten nga Mongolia, Sosorbaram Lkhagvasuren. Ndeshja pritet të zhvillohet pas orës 17:00.

“Në një rimeç të finales së Lojërave Olimpike, në kategorinë deri në 52 kilogramë, Majlinda Kelmendi e ka mposhtur Odette Giuffridan e Italisë me Ippon, në gjysmëfinalen e Grand Slamit të Dusseldorfit!’, shkruan IJF.

“A mund ta vazhdojë Kampionia Olimpike e Kosovës dominimin që e ka shfaqur deri në finale, ku do të përballet me Lkhagvasuren e Mongolisë”.

Në çerekfinale, Majlinda e mposhti xhudisten koreane, Bokyeong Jeong, me ippon. Fillimisht, kosovarja kishte qenë duke humbur me rezultat teknik, mirëpo, afër fundit të ndeshjes, ajo u tregua shumë e fortë për kundërshtaren e saj, e cila tentonte ta sigurojë një vend në gjysmëfinale duke humbur kohë.

Në rrethin e tretë, xhudistja pejane e mposhti xhudisten braziliane, Eleudis Valentim, ndërsa në rrethin e dytë, triumfoi kundër xhudistes gjermane, Verna Thumm.

Të dyja këto ndeshje, në rrethin e dytë dhe të tretë, Kelmendi i kaloi duke i mposhtur kundërshtaret me ippon, ndërsa rrethin e parë e kaloi pa luftë.

Kjo është gara e dytë e xhudos në të cilën Kelmendi po merr pjesë këtë vit, pasi që pushoi në Grand Slamin e Parisit. Në garën e parë, në Grand Prixin e Tel Avivit, ajo e kishte fituar medaljen e artë.

Majlinda është garuesja e vetme që po e përfaqëson Kosovën, pasi xhudistët tjerë, Akil e Nora Gjakova, Distria Krasniqi dhe Loriana Kuka, pushuan.

Këtë formë të mirë, xhudistja pejane do të tentojë ta shfaqë edhe në ndeshjet e radhës, në Grand Slamin e Gjermanisë, ku marrin pjesë 683 garues nga 97 shtete. Grand Slami është i vlefshëm për pikë Olimpike Tokio 2020.

 

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.