Fevziu, ariu i Kolesianit dhe tuneli Llogar(isë)asë
Avni Neza
Strategët e mesëm dhe ata krejtësisht të paaftë të fushatave komunikative përzgjedhin motive me kafshë për të larguar vëmendjen nga një ide apo strategji që nuk ka funksionuar, ose që ka dështuar në kampin për të cilin punojnë. Ndodh edhe e kundërta.
Pasi u përmbyt Shqipëria, anija e propagandës, në vend që të shkonte të ndihmonte shqiptarët, u shpërnda si mjegulla në vjeshtë nëpër gjithë valët e gjirizeve mediatike, për t’u mbushur mendjen shqiptarëve se gjithçka është OK. Edhe përmbytjet janë OK. Edhe vjedhjet e parave të kanaleve kulluese janë OK. Edhe vjedhja e parave të hidrovoreve është OK. Edhe vjedhjet e investimeve në diga e mbrojtëse aty ku ka nevojë janë OK. Edhe lumenjtë që fryhen e dalin nga shtrati janë OK. Edhe shiu që bie është OK, se këtë njerëzit “nuk e dinë” dhe duhet t’ua thotë qeveria. Edhe plehrat, për të cilat kreu i qeverisë fajtor i quan shqiptarët që hanë e konsumojnë, janë OK. Edhe ato që hyjnë e dalin nëpër procesin e “incinerimit” në landfillet e ndërtuara nga qeveria janë OK. Ndërtime 3D, sepse në realitet paratë i kanë marrë. 5D. 5B. 5R, e së shpejti edhe 5O.
Shpikja e debatit ndërmjet Ramës dhe Fevziut, drejtues i një emisioni televiziv në një media kombëtare që merr shpeshherë tendera nga qeveria, ishte njëra anë e medaljes së modelit komunisto–socialist të nënshtrimit të vetëdijes qytetare dhe mposhtjes së aftësisë për të reaguar. I ndihmuar shumë nga patronazhistët e sufllaqeve në rrjetet sociale, Edi Rama po kamuflonte një dështim të madh dhe një abuzim kolosal me fondet nëpërmjet një debati shterp e pa pikë vlere: as për heqjen e ujit që ka pushtuar shtëpitë e shqiptarëve, e as për hedhjen e kripës nëpër rrugët e akullosura, ku makinat shkonin për “ski”.
Dikush do të thotë: cila është lidhja e Fevziut me ariun e Kolesianit? Se për tunelin tashmë të gjithë janë të qartë.
Në të njëjtën mënyrë siç u përdor një fotomontazh për ariun dhe “familjen” e tij të madhe nga specialistët e rrjetit të mashtrimit dhe manipulimit, kështu po mundohen të përdorin edhe debatin e Fevziut me Ramën, për të larguar vëmendjen. Ariu i Kolesianit u përdor që të largohej vëmendja nga afera e Ballukut. Ndërsa kjo e Fevziut, që të tërhiqet vëmendja nga afera e përmbytjeve dhe deklarimet e nxehta të Arben Ahmetajt, i cili i bëri një radiografi të plotë mushkërive të nxira nga vjedhjet dhe grabitjet e bandës që qeveris Shqipërinë.
Dhe më e rënda është se ariu i Kolesianit nuk ishte real. Pra nuk kishte forcë të reagonte, kafshë hesapi. Ndërsa Fevziu edhe mund të reagojë e të mos lejojë përdorimin e tij nga propaganda e majtë që ka uzurpuar qeverinë duke vjedhur votat dhe pasuritë e shqiptarëve. Ndoshta e bën me vetëdije; kjo pastaj është punë e tij. Por nëse mendon vërtet që shqiptarët të shkojnë drejt BE-së, ai duhet të qartësojë pozicionin e vet.
Strategët sufllaqexhinj mezi presin të marrin pjesë në fushata dezinformimi kolosal. Rama i ka përdorur shumë mirë këto lloj fushatash, deri edhe negative në ekstrem. Shpeshherë i kanë dhënë fryte, e shpeshherë i janë kthyer në bumerang. Por pasojat i vuan Shqipëria dhe shqiptarët. Tani drejtohen nga një bandë hajdutësh që e kanë mision të kamuflojnë edhe vjedhjen si humanizëm. Dhe të njëjtin mision ka edhe ariu i Kolesianit, edhe ai ariu që Ramës i doli “polak” dy vjet më parë, por edhe debati me Fevziun: që llogaritë e Llogarasë, dhe shumë llogari e llogara të tjera, të mos zbulohen kurrë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


