E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
‘Firo’ tek moshat, Italia gllabëron talentet e Kombëtares Shqiptare
Lajme

‘Firo’ tek moshat, Italia gllabëron talentet e Kombëtares Shqiptare

Kombëtaret e moshave të Shqipërisë janë kthyer në një “han pa porta”, ose më saktë, në një han me dyer të hapura, nga ku futbollistët dalin njëri pas tjetrit sapo veshin fanellën kuqezi.

Nëse deri dje ikjet drejt përfaqësueseve të tjera ishin raste sporadike, sot ato janë kthyer në fenomen shqetësues. Mjafton të kujtosh rastin e Leon Myrtajt, i cili vetëm disa muaj pasi luajti me Shqipërinë në Europianin e U17, zgjodhi Hungarinë. Dhe siç duket, ai s’do të mbetet i fundit.

Vetëm pak ditë më parë, dy talente të tjera janë “rrëmbyer” nga Italia, menjëherë pasi spikatën me fanellën kuqezi.

Samuel Prendi, mesfushor i Atalantës, ishte titullar dhe shënoi golin e fitores për Shqipërinë U15 në turneun “UEFA Development”. Por sapo u kthye në Itali, mori ftesën e menjëhershme nga Italia U15.

I njëjti fat edhe për Deni Dukën e Juventusit, që asistoi në fitoren 3-2 ndaj Maltës me fanellën kuqezi. Edhe ai është grumbulluar nga Italia, ndërsa FSHF e sheh në heshtje sesi humbasin një e nga një lojtarët më premtues.

Këto nuk janë më raste të izoluara. Janë simptoma të një sistemi të dështuar, ku talentet nuk ndihen të vlerësuar dhe ku dashuria për fanellën kuqezi zëvendësohet nga zhgënjimi dhe mungesa e besimit.

Në krye të këtij sistemi që po shpërbëhet në heshtje, ndodhet Fulvio Pea, drejtori teknik italian që duhet të menaxhojë moshat, por që duket se ka humbur busullën.

Eksodet e lojtarëve dhe ankesat e hapura të futbollistëve të U17 ndaj ish-trajnerit Andrea Tedesco, janë sinjale alarmi për mënyrën si po drejtohet futbolli i moshave. Në një kohë kur fqinjët tanë po investojnë seriozisht për talentet e reja, ne po i humbasim një nga një, pa asnjë rezistencë.

Kombëtaret shqiptare po shndërrohen në vitrina për talentet e huaja, dhe jo më në djepin ku duhet të rriten brez pas brezi lojtarët që do mbrojnë ngjyrat kuqezi.

Nëse në FSHF nuk kupton se fanella e Shqipërisë nuk është stacion tranzit, atëherë shumë shpejt, nuk do kemi më as “han pa porta”. sepse askush s’do të trokasë më në të.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.