Flet vëllai i të arrestuarit të tretë: Jemi rritur me Liridonën, nuk e besoj dot!
Numri i të arrestuarve në lidhje me vrasjen e Liridona Murselit shkoi në 3 mbrëmjen e së premtes. Pas arrestimit të bashkëshortit të saj, Naim Murselit, si porositës i krimit dhe Granit Plavës, në rolin e ekzekutorit, në pranga ra edhe Kushtrim Kokalla.
Ky i fundit është pjesëtar i FSK-së dhe nip i Naim Murselit. Kokalla dyshohet të bashkëpunuar me Murselin dhe ekzekutorin.
Lidhur me arrestimin e tij, ka reaguar vëllai i Kushtrimit, Kanon Kokalla, i cili është efektiv i Policisë së Kosovës.
“Jemi të shokuar! Por një gjë ta garantoj, se vëllai im në natën kritike, ka qenë në shtëpi. Tjetër gjë nuk di”, tha Kokolla për mediat në Kosovë.
Sipas tij, Kushtrimi ka qenë shumë i lidhur me viktimën. Më tej ai u shpreh se të gjithë janë të shokuar.
“Vallahi nuk e besoj! Ai ka qenë shumë i lidhur me të (Liridonën). Se ne jemi shumë të lidhur familjarisht. Ne jemi rritë bashkë me Liridonën!”.
“Nuk kam informata tani [flet për familjen e Liridonës]. Tri familje jemi ekstrem keq. Të shokuar. Si familjarët e Liridonës, si prindërit e Naimit, si ne, komplet jemi të shokuar. Po na duket si ëndërr e s’po mundemi me besu. Përpos nëse çmendesh, se nuk ka kurrfarë arsye një njëri me e bë atë send”, ka thënë Kanon Kokolla.
Në lidhje me rastin, Policia e Kosovës ka bërë me dije se është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me 19 fishekë dhe një veturë që janë përdorur në krim.
Liridona Murseli u vra të mërkurën mbrëma, teksa po udhëtonte me bashkëshortin dhe fëmijët e saj drejt shtëpisë në Prishtinë.
Në ceremoninë e varrimit ka marrë pjesë bashkëshorti i saj, Naim Murseli, i cili disa orë më vonë u arrestua nën dyshimet se kishte porositur vrasjen e saj, duke e paguar 30 mijë euro një person për ta kryer krimin.
Mbi varrin e saj, ai la edhe një kurorë me lule, siç raporton Nacionale.
“Të kujtojnë me mallë burri Naimi, si dhe djemtë” – shkruhet në mbishkrimin e kurorrës me lule.
Murseli dyshohet se e ka paguar Granit Plavën 30 mijë euro që ta vrasë gruan. Raportohet se 15 mijë ia kishte dhënë para krimit të rëndë dhe 15 mijë të tjera pas vrasjes.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



