Frika e Edi Ramës që dogji para kohe projektin e Sazanit

Publikimi i projektit sot, është qartazi një karshillëk politik ndaj demokratëve, një sjellje krejt e kundërt, por njëlloj infantile, me atë që Edi Rama kishte shfaqur para zgjedhjeve të 2016-n, kur sulmoi ashpër Donald Trump…

Publikimi i projektit të Sazanit dhe Zvërnecit në mediat ndërkombëtare, duket qartë se është një operacion marketingu i kërkuar nga Edi Rama. Kjo pasi investitorëve, të cilët janë ende në fazat e kalkulimit dhe studimit të parametrave për të nisur një projekt të tillë gjigand, u nevojitet më shumë qetësia, diskrecioni, e sa më pak zhurmë. Në mënyrë që gjërat të kopsiten sa më mirë deri në hapin final.

Kemi të bëjmë me një investim, që ka shumë e shumë hapa nga pala e huaj e ajo shqiptare, përpara se të hidhet betoni.

Çdo sipërmarrësi, i vogël apo i madh qoftë, ajo që i vyen më shumë, është të flitet sa më pak, e të ecet përpara në punët konkrete.

Ndërkaq, Sazani dhe Zvërneci, ende nuk janë bërë as projekte zyrtare, përveç një kërkese të thjeshtë për shpallje interesi.

Duket qartë, se Edi Rama, e ka dashur të flitet për “dhëndrin e Donald Trump”, sot në një kohë kur administrate amerikane që kontrollon bërthamën e SPAK ka vënë në shënjestër shumicën e kupolës së mazhorancës e pjesën më të madhe të krye bashkiakëve.

Rama, realisht i ka marrëdhëniet më shumë se gri me administratën e Presidentit Joe Biden, i cili nuk e ka pritur asnjëherë në Shtëpinë e Bardhë, edhe pse përpjekjet kanë qenë kolosale nga ana e lobistëve të kryeministrit shqiptar, e në radhë të parë Sorosit.

Aspekti më i logjikshëm i kësaj meseleje, do të ishte që Edi Rama ta bënte publike këtë projekt pas zgjedhjeve Presidenciale amerikane të Nëntorit.

Nëse fiton Trump është bingo për të, por edhe nëse jo, gjithsesi, dhëndri i tij, siç e ka thënë mbetet një biznesmen i njohur në SHBA.

Publikimi i projektit sot, është qartazi një karshillëk politik ndaj demokratëve, një sjellje krejt e kundërt, por njëlloj infantile, me atë që Edi Rama kishte shfaqur para zgjedhjeve të 2016-n, kur sulmoi ashpër Donald Trump.

Duke njohur Ramën, që është një nga politikanët më konjukturalë, këtë lojë e ka shtruar si sinjal, si një sfidë ndaj njerëzve të Biden. Në një farë mënyre është atashuar me lojën e Aleksandër Vuçiçit në Serbi, i cili me anë të njerëzve të tij e ka thënë hapur që preferon të fitojë Donald Trump.

E ndaj ka zgjedhur si lobistin kryesor të tij ambasadorin Richard Grenell, i cili gjithashtu është edhe një lobist e këshilltar në hije i Edi Ramës.

Por edhe sikur të ishte kjo, kryeministri shqiptar, nuk është aq naiv sa të mos e kuptojë se publikimi i këtij allishverishi në mos do ta dëmtojë, nuk do të shihet me sy të mirë në administratën demokrate të Presidentit Biden. Pasi i jep Trumpit, një rol evropian, të cilin qeveria e Biden po e luan fort që prej luftës në Ukrainë.

Natyrisht nuk është vetëm kjo lëvizje që tradhton apo deshifron panikun e Edi Ramës. Ka edhe të tjera. Siç është loja me Berishën për të ngritur komisionin hetimor për sterilizimet. Ku sipas gjasave, si Rama, ashtu edhe njerëzit e tij do të tregojnë se ka qenë një operacion pozitiv, në raportimet e tyre para komisionit. Raportime që do të përkojnë sipas llogaritjeve, me nisjen e procesit në GJKKO ndaj Ilir Beqjes, kur mund të shpërthejë dhe ‘qelbi’ i PPP-ve të Shëndetësisë. Gjasat janë që ai proces të hedhë në erë të gjithë propagandën e mazhorancës, e mund të ndikojë në nisjen e fundit të këtij pushteti të gjatë.

Ndaj Edi Rama po merr masa të bëjë lëvizje të çartura. Njëjtë siç ka bërë Hashim Thaçi para se të arrestohet, kur pa asnjë skrupull, bëri të gjitha letrat për shkëmbimin e territoreve, vetëm e vetëm që të mbyllte Gjykatën Speciale. Por në fund përfundoi keq. A po përjetojmë të njëjtën tablo edhe me vëllain e Hashimit në Tiranë? Duhet të ndjekim me kujdes panoramën!/Pamfleti

Publikuar nga Publik Media