Fuga : Ligji anti-shpifje na kthen tek gjykimi fshatçe i Frontit!
- Akademiku Artan Fuga përmes një postimi në rrjetet sociale i është rikthyer edhe njëherë paketës anti-shpifje, për të cilën ka ardhur në Tiranë edhe një delegacion i Komisionit të Venecias.
Fuga shkruan se ligji në fjalë është jo vetëm kulturalisht dhe profesionalisht i padenjë, por edhe bie në kundërshtim jo thjesht me lirinë e shprehjes, por ka probleme të tjera më të mprehta, krejt të tjera, që nuk janë vendosur në dukje.
“Dëmtimin e reputacionit duke ja kaluar për gjykim AMA ose Këshillit të ankesave ligji i quan si kundravajtje administrative. Në fakt kjo dëmton të drejtat qytetare sepse kodi penal shpifjen, etj, i konsideron kundravajtje, vepra penale. Tani gjyakata për këto raste mund t’i thotë qytetarit shko te Ama!!!
Gjykimi bëhet jo nga gjykatat. Ligja në fjalë përcakton që masat mund t’i japi ose bordi i AMA-s ose Këshilli i Ankesave dhe nuk përcakton qartë se cili prej tyre. Kjo krijon një flu juridike dhe administrative të hatashme.
Gjykata administrative ka tagër të gjykojë nëse vendimi i AMA -s është apo jo i drejtë administrativisht, por nuk ka tagër të gjykojë vetë çështjen me themel si shpifje.
Në Gjykatë individi shkon paraqitet vetë përpara trupës gjykuese kurse te AMA operatori nuk parashikohet të shkojë. Nuk ka as avokat si në gjyq, nuk ka mundësi as për tre shkallë gjykimi. Me një fjalë kthehet në gjykimin fshatçe, tipi i frontit demokratik”, shkruan Fuga.
Nga Artan Fuga
Ka vend të dali më qartë se çfarë përmban ligji i amenduar për transmetimet audiovizive dhe elektronike, dhe përse ai është jo vetëm kulturalisht dhe profesionalisht i padenjë, por edhe bie në kundërshtim jo thjesht me lirinë e shprehjes, por ka probleme të tjera më të mprehta, krejt të tjera, që nuk janë vendosur në dukje.
Publikimet dhe masat kundër shkeljeve të parashikuara i trajton në mënyrë të diferencuar, pra ndryshe për median e shkruar në letër, ndryshe për transmetimet audiovizive lineare, pra të televizioneve, dhe ndryshe për portalet dhe përgjithësisht për platformat e publikimeve elektronike.
Në këtë mënyrë ai drejtohet kundër barazisë të subjekteve para ligjit. Privilegjon mediat klasike dhe diskriminon mediat elektronike.
Nuk përcakton qartë dhe prerë se cili është dallimi midis një transmetuesi personal apo një transmetuesi që konsiderohet se ka një vijë editoriale të përcaktuar. Përmbajtja editoriale e përpunuar nuk ka lidhje fare me dallimin nëse je publikues personal apo subjekt juridik.
Po ashtu nuk rregullohet edhe cënimi i personit në Internet pavarësisht nëse dëmtuesi është me këtë apo status. O shokë kryetarë kooerativash: është web -i media apo jo?
Në vend të përcaktojë llojin e veprës penale ose kundravajtjes administrative, pra nëse është: cënim i privatësisë, cënim i së drejtës të imazhit, fyerje, denigrim, shpifje, harselim, etj., ligja në fjalë përmend cënimin e “reputacionit”.
Pra specifikon vetëm pasojën, por nuk parashikon përcaktimin e mjeteve dhe rrugëve kundraligjore që çojnë atje. Përsa i përket reputacionit nuk specifikohet se çfarë është reputacioni dhe kur quhet i dëmtuar. Tani gjithkush bërtet m’u dëmtua reputacioni!
Dëmtimi mund të jetë jo vetëm i reputacionit por edhe shkaktim i dëmeve financiare dhe materiale, Prandaj duhet që të përcaktohet: Me çfarë mjeti dhe veprimesh është sjellë dëmtimi. Të provohen dëmete materiale dhe morale që kanë lidhje me këtë. Të specifikohen që kjo është bërë me qëllim si edhe të provohet që faktet e publikuara dihet se ishin të rreme. Kjo është abc e ligjeve të BE.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



