E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Fund i epokës së kredive të shpejta në Shqipëri: Projektligji që forcon mbrojtjen e konsumatorëve
Lajme

Fund i epokës së kredive të shpejta në Shqipëri: Projektligji që forcon mbrojtjen e konsumatorëve

 

Epoka e kredive të shpejta në Shqipëri, që shpesh mjaftonin vetëm me një kartë identiteti dhe pa domosdoshmërinë e të qenit në punë, pritet të marrë fund së shpejti.

Një projektligj i paraqitur në Kuvend nga deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, synon të vendosë rregulla më të forta për huadhënien, duke mbrojtur konsumatorët nga abuzimet financiare.

Ndër dispozitat kryesore të nismës ligjore është mundësia që çdo individ që merr një kredi të ketë të drejtën ta refuzojë atë brenda 14 ditëve pa dhënë asnjë shpjegim.

“Në rastin e heqjes dorë nga marrëveshja e kredisë, ofruesi nuk ka të drejtë për ndonjë kompensim tjetër nga konsumatori, përveç tarifave të pakthyeshme që mund të kenë lindur si pasojë e shërbimeve të administratës publike që lidhen me marrëveshjen,” thuhet në projektligjin “Për marrëveshjet e kredisë konsumatore.”

Projektligji adreson gjithashtu praktikat e pasigurta të mikrokredive, të cilat kanë shkaktuar shqetësime në opinionin publik. Ai propozon që kushtet dhe të dhënat e kredisë të jenë të qarta dhe të detajuara për konsumatorët. Në rast të mosrespektimit të kësaj kërkese, institucionet huadhënëse mund të gjobiten deri në 300,000 lekë.

“Ofruesit e kredive duhet të përfshijnë një tabelë përmbledhëse të kostove dhe detyrimeve të pagesës, që përfshin të gjitha kostot për konsumatorin, përfshirë shumat e detyrimit kryesor dhe interesin sipas kushteve aktuale të kredisë,” thuhet në nismën ligjore.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm i projektligjit lidhet me ndryshimet e normave të interesit. Kreditorët do të jenë të detyruar të njoftojnë klientët në kohë për çdo ndryshim në normat e interesit dhe ndikimin e tyre në pagesat totale përpara se ndryshimi të hyjë në fuqi.

“Kur normat e huamarrjes janë të ndryshueshme, kreditori do të ketë detyrimin t’i njoftojë konsumatorët për ndryshimet e mundshme në normat e interesit dhe se si këto do të ndikojnë në shumën totale të pagueshme pas ndryshimit.”

Në këtë nismë për shtrëngimin e kushteve të dhënies së kredive, Banka e Shqipërisë po punon gjithashtu me Bankën Botërore për të hartuar një bazë të re ligjore, e cila pritet të ofrojë mbrojtje më të mirë për konsumatorët dhe një mjedis më të rregulluar financiar.

Kjo ndërhyrje vjen si reagim ndaj skandaleve të fundit që kanë nxjerrë në pah abuzimet dhe mungesën e transparencës në sektorin e mikrokredive, duke theksuar nevojën për reforma të thella në këtë fushë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.