Fundi i partive të kryetarëve, dhe deputetët e pavarur
Mero Baze
Fenomeni më interesant i zgjedhjeve të fundit, ishte zëvendësimi i partive të vogla me individë dhe mbijetesa e kryetarëve të partive të vogla brenda partive të mëdha. Këto zgjedhje duket se i dhanë fund legjendës së partive të vogla, që mbaheshin në këmbë për t’i dhënë një mandat kryetarit. Përkundrazi, partitë e vogla shërbyen vetëm si kartvizita për individë të fuqishëm, të cilët nuk dihet ende pse u duhet të përdorin sigla partish, kur ja dalin të bëhen vetë deputetë, më mënyrat e tyre.
Fjala vjen nuk kuptohet përse Tom Doshit i duhet sigla e Partisë Socialdemokrate në Shkodër. Ai ka arritur të marrë përsëri aq vota si i duhen si deputet dhe nëse do dilte vetëm me emrin e tij, ndoshta merrte dhe më shumë. Nuk di pse i është dashur të ngatërrohet me një sigël partie, pasi duke qenë ish deputet mund të regjistrohej duke treguar mandatin në KQZ.
Kjo i jep fund mitit të Partisë Socialdemokrate në Shqipëri, e cila në vitin 1991, shkëlqeu si partia që mblodhi në një seli gjithë elitën e ish të majtës liberale shqiptare në fund të komunizmit, duke futur 6 deputetë në Parlament, dhe përfundoi tek mandati i Tom Doshit, i cili vjen nga një familje anti-komuniste dhe ka bërë jetë politike, jo si intelektual, siç ka nisur jetën PSD, por si biznesmen.
Edhe më komike ngjan historia e PDIU, ose e quajtur ndryshe parti e komunitetit çam. Kjo parti e cili ka nisur rrugëtimin nga viti 2005, për të përfaqësuar interesat e komunitetit çam në Shqipëri, në fakt ka humbur në çdo pjesë të territorit ku ka komunitet të fortë çam, si Saranda, Vlora, Durrësi, Fieri dhe Tirana. Ajo ka fituar dy mandate në Elbasan ose rreth 25 mijë vota në një qark, që ka 500 familje me origjinë nga komuniteti dhe një mandat në Dibër, ku nuk ka asnjë çam. Edhe në këtë rast është e pakuptueshme përse këtyre tre deputetëve, u duhet të quhen pjesë e PDIU, kur votat i kanë marrë më mekanizmat e tyre fisnorë, politikë, ekonomikë dhe socialë.
Këta janë individë të fortë, jo kryetar partish që ja dalin. Ndërsa kryetarët e partive të vogla në këto zgjedhje, u eliminuan që të gjithë. Disa që mbijetuan, mbijetuan jo nga partitë e tyre, por nga PD.
Agron Duka fjala vjen, një biznesmen i madh, ia pat dalë zgjedhjet e shkuara të dilte vetë deputet, duke përdorur siglën e një partie të vogël. Këtë herë ai tentoi të ishte më i sigurt brenda siglës së PD, por në fakt vetëm sa ndihmoi PD-në dhe humbi vetë. Nëse do të dilte vetë, me siguri do ishte deputet.
E njëjta gjë mund të thuhet dhe për Vangjel Dulen. Duke qenë politikan i njohur i pakicës greke, dhe refuzues ndaj komunitetit çam në Shqipëri, ai iku nga koalicioni me PS, pse në Kuvend u zgjodh një nënkryear çam dhe hyri në listën e PD në Vlorë duke pasur mbështetje në listë, një individ të fortë të komunitetit çam.
Për pak vota ai ja doli të bëhet deputet, në emër të PD, por tani pikëpyetja është pse duhet të egzistojë PBDNJ, kur nuk nxjerr dot më vota as për një kryetar. Dhe më keq akoma a duhet të korigjojë diçka kjo parti nga urrejtja etnike që tenton të ngjallë ndaj një komuniteti në Shqipëri? Në disa raste vetë Dulja ka shprehur racizëm të pastër etnik në deklaratat e tij, jo vetëm ndaj shqiptarëve, por dhe kombeve të tjera si në rastin e Turqisë. Duke replikuar me Edi Ramën, lidhur me batutën e tij “Vangjel Bakllavaja”, Dule tha se Rama i ofroi bakllava, por nuk e hëngri, se ishte turke. Një deklaratë e tillë në çdo vend të botës do kishte shkaktuar tërmet, për shkak se është një racizëm i pastër mbi baza etnike, që kompromenton politikën e vendit tonë, por tek ne, duke mos marrë njeri seriozisht kryetarët e partive inegzistente, nuk e marrin seriozisht, as këtë deklaratë.
Simbolikë edhe më qesharake historikisht ka Fatmir Mediu, i cili prej vitit 2001, ka dalë deputet nga lista e PD, edhe pse është kryetar i Partisë Republikane. Këtë herë kishte dhe një rekord më shumë, pasi PD, e kishte çuar deputet në Gërdec, aty ku Fatmiri dhe Shkëlzeni bashkohen në një krim kundër shoqërisë shqiptare që ka kushtuar 26 të vdekur. Dhe fill pas kësaj, vazhdon e thotë prap që është republikan dhe kryetar i një partie.
Dhe natyrisht nuk duhet të harrojmë Nard Ndokën, një “shejtan budalla”, i cili në çdo palë zgjedhje parlamentare është me PD, për t’u bërë deputet dhe në çdo palë zgjedhje lokale është me PS për të marrë ndonjë bashki. Dhe vazhdon të këmbëngulë, që është kreu i demokristianëve.
Kjo situatë qesharake duhet të marrë fund.
Reforma e re elektorale duhet të përcaktojë qartë, që çdo parti që hyn në zgjedhje lokale, duhet të ketë kandidatin e saj për bashki dhe çdo parti që hyn në zgjedhje parlamentare nuk mund të eksportojë kryetarin në një parti tjetër. Të paktën të shpëtojmë nga kryetarët fallco që strehohen në parti të tjera dhe të dimë që kemi të bëjmë vetëm me disa individë të fortë që ia dalin të bëhen deputetë me çdo sigël që u jep, e cila nuk u shkon fare. Ndoshta do t’u bënte më shumë punë, emri i tyre.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


