Gati skema për PPP-në e tenderëve

Në projektin e koncesionit, privati do lejohet të ndryshojë tarifat për vlerën e dokumentacionit të çdo tenderi, duke i rritur ato nga 2.5% e fondit limit, deri në 10% të vlerës së fondit limit për çdo tender, që do të thotë 4 herë më shumë vjedhje nga privati në buxhetin e shtetit…

Para një viti, kryeministri Edi Rama deklaroi, se për të luftuar korrupsionin me tenderët, është që menduar t’i hiqen institucioneve e enteve shtetërore dhe të zhvillohen nga privati me koncesion.

Skema për të kaluar zhvillimin e tenderëve me PPP, ishte objekt i mbledhjes së qeverisë më 17 prill 2024, ku me propozim të ministrit Blendi Gonxhja, është vendosur të bëhet eksperimentimi i një Projekt-PPP-je, me Operatorin Shtetërore të Blerjeve të Përqendruara.

Me VKM nr. 245, të propozuar nga Blendi Gonxhe e të firmosur nga Babloku, është vendosur që dokumentet, shpallja dhe zhvillimi i tenderëve, të përgatiten e zhvillohen nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara, kundrejt një tarife financiare fikse, të cilat i ka caktuar qeveria.

Në vendim, thuhet se autoritetet shtetërore, çdo tender duhet ta çojnë te Operatori i Blerjeve të Përqendruara; e cila, nga agjenci shtetërore u kthye në shoqëri aksionare; ku çdo institucion dhe ent publik, duhet të eksperimentojë zhvillimin e tenderëve dhe ankandeve, me këto tarifa:

– Për përgatitjen dhe zhvillimin e procedurave të prokurimit, institucionet e entet shtetërore do paguajnë 2.5% të vlerës së fondit limit të çdo tenderi me vlerë deri në 2 miliardë lekë të vjetra pa TVSH, që është 50 milionë lekë të vjetra pa TVSH për çdo tender.

– Për përgatitjen dhe zhvillimin e procedurave të prokurimit, për çdo tender me vlerë deri në 2 miliardë lekë të vjetra pa TVSH, do paguajnë 50 milionë lekë të vjetra tarifë fikse.

– Për çdo konsulencë lidhur me përgatitjen e procedurave të prokurimit, institucionet shtetërore do paguajnë 70 mijë lekë të vjetra për çdo Orë- Punë konsulence, që do bëjë shoqëria aksionare; ndërsa pagesat duhet të kryhen brenda 10 ditësh nga dorëzimi i kërkesës për hartimin e tenderit; nëse nuk paguajnë tarifën brenda 10 ditësh, u bllokohet dokumentacioni i tenderimit.

Këtë eksperiment, do ta monitorojë një strukturë e ministrisë që drejton Blendi Gonxhe si  metodë gjoja anti- korrupsion në aspektin e inovacionit; që në fakt është hapi i parë drejt planit për zhvillimin e tenderëve dhe ankandeve me koncesion, duke zbatuar skenarin e Bablokut.

Tashmë, janë caktuar tarifat e çdo shërbimi që do paguaj shteti, për përgatitjen e çdo tenderi dhe ankandi, fillimisht te shoqëria aksionare “Operatori i Blerjeve të Përqendruara”, ndërsa pas 6 muajsh, kjo shoqëri do shkrihet dhe tenderimet do jepen me koncesion te privati.

Këtë skenar, “Pamfleti”-t ia ka konfirmuar një burim nga Ministria e Financave, që bashkë me ministrin Blendi Gonxhe, kanë nisur hartimin e projektit të koncesionit të tenderimeve.

Në projektin për koncesionin, privati do lejohet të ndryshojë tarifat për vlerën e përgatitjes së çdo tenderi, duke i rritur ato nga 2.5% e fondit limit, deri në 10% të vlerës së fondit limit për çdo tender, që do të thotë 4 herë më shumë vjedhje nga privati në buxhetin e shtetit.

Por nuk thuhet, nëse pas dhënies së tenderimeve me koncesion, do pakësohet apo jo, numri i 13 mijë nëpunësve që merren me tenderët në 3200 institucione e ente shtetërore./Pamfleti

Publikuar nga Publik Media