Gazetari : 27 Nëntori u la pushim, të sëmurët ngelin pa kimioterapi sot
Përmes një vendimi të këshillit të ministrave, qeveria ka vendosur si ditë pushimi për administratën ditën e sotme, datë 27 Nëntor.
Kjo vetëm e vetëm që punonjësit e administratës të kenë 5 ditë të plota pushimi, bashkë me fundjavën dhe 28-29 Nëntorin.
Por qeveria duke kënaqur punonjësit e saj, përfshirë këtu edhe punonjësit e spitaleve publike, ka harruar fare hallet dhe shqetësimet e popullit shqiptar.
Një ndër këto halle që nuk pyet fare për ditë pushimi është kimioterapia. Mëngjesin e sotëm, një numër i madh pacientësh, të ardhur edhe nga rrethet janë paraqitur në QSUT për seancën e radhës të kimioterapisë. Por sapo kanë mbërritur në spital janë përballur me dyer të mbyllura për shkak të pushimit “zyrtar”.
Në këto rrethana, natyrshëm lind pyetja: Qeveria kur vendos të bëjë pushim punonjësit e spitaleve, a mendon ndonjëherë për pacientët dhe sëmundjet e tyre. Pasi kimioterapia nuk është thjesht një vizitë, apo konsultë, ajo është e caktuar me plan nga mjeku dhe anashkalimi apo vonesa e saj nuk jep më efekt.
Denoncimi i gazetarit Osman Stafa:
NJEH KIMIO PUSHIM ORE TË ÇMENDUR?
Sot që në orët e para të mëngjesit isha në QSUT. Kisha marrë denoncime nga qytetarët se sot nuk mund të bënin kimio dhe disa janë lajmëruar 2-3 ditë përpara e të tjetë jo.
Çfarë ka ndodhur?
Para pak ditësh qeveria shqiptare shpalli me VKM që e hëna të jetë ditë pushimi për administratën publike. Kjo pasi e marta dhe e mërkura, janë ditë pushimi zyrtare (28-29 nëntori).
Nga kjo dhuratë e qeverisë kanë përfituar edhe punonjësit e spitaleve publike.
Peshqeshi i Kryeministrit për punonjësit është kthyer në një skandal në shërbimin shëndetësor.
Dita e hënë, ishte në kalendar ditë punë. Për pasojë mjekët kanë planifikuar vizita, konsulta, kimioterapi etj.
Dhe vendosja nga Këshilli I Ministrave që edhe e hëna do jëtë pushim, ka bërë që të gjithë konsultat, vizitat, madje edhe kimioterapitë të anullohen.
E kuptoni? Të anullohen!!!!! Nuk bëhen.
Në foton 1, janë një çift të moshuarish. Burri bënte kimio prej 3 vitesh në Gjermani. Vendos të vijë në Shqipëri, ta vazhdonte këtu mjekimin. Por këtu sapo vjen, ia shtyjnë kimion, me arsyetimin se është pushim!!! Ashtu i mërzitur iku gjyshi me zonjën e tij, të cilët kishin ardhur nga Kavaja për të marrë shërbim në Onkologjik.
Askush nuk mban përgjegjësi, apo së paku të mendoj për këta njerëz.
Mirë vizitat dhe konsultat, po anullimi I kimioterapive?
Çfarë po bëjnë këta njerëz? Po marrin vitamina, po marrin karamele?, që ua shtyjnë kështu?
Ore jëni të çmendur? Këta njerëz marrin kimioterapi sipas protokolleve të mjekëve. Ka një datë të caktuar, ka një ditë të caktuar që pacienti duhet të marrë kimion. Ndryshe nëse vonohet dhe nuk merret sipas nje protokolli, nuk ka efekt. Dhe këta njerëz jo vetëm që s’do e bëjnë kimion të hënën, por as të martën, as të mërkurën. Të enjten kismet pastaj!
Kjo është një papërgjegjshmëri totale që qeveria ka ndaj pacientëve të cilët përballen me sëmundje shumë të vështira, të cilat nëse nuk trajtohen siç duhet dhe sipas një protokolli, kane kosto fatale. Vendosin sipas orekseve të tyre ditë pushimi edhe kur nuk janë!!!!
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



