E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Gazetari: Nuk e njoha avokate Denisa Dakën, por ca fjalë i kam
Lajme

Gazetari: Nuk e njoha avokate Denisa Dakën, por ca fjalë i kam

Denis Dyrnjaja

Një lajm për ndarjen nga jeta të Avokates Denisa Daka po bën xhiron e portaleve, po ashtu shumë mesazhe keqardhjeje në rrjetet sociale. Por ju lutem kujtohuni për njerëzit kur janë gjallë, kur ata kanë nevojë. Nëse të gjithë nuk do shihnin hallin e vet dhe do solidarizoheshin me një kontribut konkret për të kuruar sëmundjen e rëndë me të cilën Denisa u përball, sot ajo ndoshta do të ishte përsëri në gjykatë duke punuar si avokate, do të ishte pasdite pranë fëmijëve të saj binjakë dhe pse jo do të ishte duke pirë një gotë verë me miq në fundjavë. Por askush nuk tha të bëhemi bashkë për Denisën kur ajo kishte nevojë të mos përballej e vetme me sëmundjen që i mori jetën. Të gjithë panë punët e tyre dhe sot papritur u befasuan sesi, një profesioniste, një grua dhe mbi të gjitha një nënë, nëna e dy fëmijëve binjakë nuk jeton më. Nuk ishte vetëm sëmundja, por indiferenca, shkaqet që Denisa shkoi pa kthim. Nëse vërtetë ata që e njohën dhe e deshën Denisën sot ndjehen të tronditur e të befasuar kanë një mundësi të zhbëjnë atë që se bënë me Denisën. Le të solidarizohen e të kontribuojnë për fëmijët e saj të mitur. Është njerëzore për çdokënd nëse do bëheshin të gjithë bashkë shumë vështirësi kalohen më lehtë. Edhe shpirti i saj do të gjente paqe nëse fëmijët e saj do kishin vëmendjen dhe përkujdesjen shoqërore që Denisa nuk e pati sa ishte gjallë. Fjalët e ndjera nuk i duhen një të pajeti. Ndaj nëse dhimshuria dhe dashuria për ata që e njohën Denisën ekziston ajo duhet të shkojë si përkrahje për fëmijët e saj. Requimet poetiko/dramatike janë të pavlera. Unë nuk e kam njohur personalisht këtë zonjë të ndjerë, por t’i kursejmë elegjitë e nëse vërtetë duam të jemi pranë fëmijëve të saj t’iu gjendemi atyre konkretisht duke kontribuar jo me llogje Facebooku por me fakte. Ndërsa për Denisën dua të them se ka shpëtuar nga një shoqëri plot hipokrizi. I qoftë dheu i lehtë e shpirti në paqe!

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.