E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Gazetaret në këtë shoqëri të dhunshme e të pamoralshme nuk janë ata problemi më i madh!
OP-ED

Gazetaret në këtë shoqëri të dhunshme e të pamoralshme nuk janë ata problemi më i madh!

Denis Dyrnjaja

Një incident mes një gazetari të Emisionit Investigativ Stop dhe një gruaje sipërmarrëse ka shfaqur dyshimin se dhuna ndaj gazetarit ishte e provokuar dhe se ngjarja ka dritë/hije që nuk janë bërë publike. Tani që të ketë dyshime për rastin nuk ka asgjë të keqe dhe gjithkush ka të drejtë të dyshojë. Por që të kesh ujkun para syve dhe të thuash po kërkoj gjurmët edhe kjo logjikë nuk rri. Në çdo rast dhuna dhe histeria e asaj zonjës sipërmarrëse është evidente, e paprecedent dhe e patolerueshme.

Jam krejtësisht i ndërgjegjshëm se në komunitetin e gazetarëve ka me shumicë mungesë të lartë etike, profesionalizmi dhe kulture, madje shpesh këto i shtyjnë gazetarët të jenë edhe intimidues dhe acarues ndaj të tjerëve, por kjo nuk duhet dhe nuk mund të justifikojë dhunën, qoftë ajo dhe e provokuar artificialisht. Në këtë rast kemi para një rast skandaloz kur mbetjet të rrezikshme spitalore ndotin ambientin e janë rrezik për jetën e shëndetin e njerëzve, që është faktuar tashmë me pamje e prova dhe këtu duhej përqendruar vëmendja. Dhe në vend që të na shqetësojë kjo dhe ky fakt, merremi a ishte e gjithë video apo s’ishte?

E provokoi apo se provokoi gazetari atë zonjën sipërmarrëse? Dmth prapë po merremi me formën e jo me përmbajtjen. Personalisht bëj pjesë te njerëzit kritikë dhe që besoj se gazetaria ka probleme të thella profesionale dhe etike, por kjo nuk mohon dot misionin e saj. Dhe në kushtet e Shqipërisë ka specifika të veçanta. Është kollaj të gjykosh punën e një gazetari, por presionin që kanë ata pak kush e mendon. Sepse ai/ajo gazetari(ja) përballet me realitete që jo gjithkush i merr dot përsipër. Sepse ka lënë fëmijët në shtëpi dhe duhet të bëjë këtë punë për të ushqyer ata, por duhet të bëjë edhe kujdes që të ruaj veten që të mos i lërë jetim ata. Pra dhe duhet të shkoj në detyrë edhe s’duhet të shkojë dhe në fund në këtë dilemë ai/ajo gazetare shkon. Presioni është i madh, pasiguria gjithashtu, sepse nuk e di se personi me të cilin përballesh mund të jetë edhe ajo sipërmarrësja që të sulet me histeri me shpulla e grushta, por mund të jetë edhe dikush me armë që të heq qafe dhe brenda 3 ditësh je i harruar mes të harruarve.

Ndaj gjykimi për gazetarët nga Facebook, kolltuku i shtëpisë apo i zyrës është gjëja më e thjeshtë për t’u bërë. Jepini Cesarit atë që i takon – thotë një shprehje e vjetër.

Gazetaria dhe gazetarët kanë probleme, madje shumë të mëdha, por në çdo rast në këtë shoqëri të dhunshme e të pamoralshme nuk janë ata problemi më i madh. Shumë shumë ata janë produkt i saj sikurse është politika, mësuesit, policët etj.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.