GJENERALI ITALIAN NË QELI / AUDI I ZI 003 GB, RAMA APO AGAÇI PASAGJERË TË RINJ ?
Një gjeneral italian në pranga, një telash i madh dhe në Tiranë. Sajmir Tahiri, kryesuksesi ministror i Edi Ramës, përfundoi në qeli, pas pesë vitesh hetim, me një dënim harmonik me shëndetin penal të Edi Ramës, me një akuzë të sforcuar, ndërruar në minuta shtesë nga Gjykata e Posaçme, përtej pritshmërive të Prokurorisë. Nga kërkesa për 12 vite heqje lirie me akuzë trafik ndërkombëtar të drogës në një grup të strukturuar kriminal, në 3 vite e katër muaj dënim për shpërdorim detyre, janë kapërcime dërrmuese për dosjen, personazhet në të dhe rreth saj. Dritan Zagani, ish-shefi seksionit të antidrogës në Drejtorinë e Policisë vendore Fier, ishte denoncuesi i parë ndaj ministrit të Brendshëm Tahiri, duke publikuar edhe përdorjen e makinës së tij, Audit të zi me targa AA003 GB, nga kushërinjtë, vëllezërit Moisi e Artan Habilaj, njëri prej të cilëve, i dënuar me shumë vite burg nga antimafia italiane. Ndërsa në Shqipëri, janë sekuestruar prona në vlerë qindra milionëshe të Habilajve, pas dënimeve si organizatë kriminale ndërkombëtare në trafikun e narkotikëve. Avionët me drogë në Divjakë dhe në Ishëm, mushkonjat e qeverisë, sollën rëndim të situatës, por pilotët u trajtuan si turistë dhe pas pak ditëve pushim, u përcollën në Itali me një rehati befasuese larg ndëshkimeve ligjore.
Edi Rama, në një delir të gjithëkontrollit të pushteteve, në nëntor të vitit 2015, pasi antimafia kishte nisur hetimet, edhe për minsitrin e tij të brendshëm, sulmonte në një takim me policinë e shtetit, oficerin denoncues Zagani, si kriminel. Madje hidhte akuza edhe ndaj oficerit italian Alessandro Guiliani, përfshirë në hetim të këtyre ngjarjeve. Në këtë sallë ku lartësohej qeveritari i akuzuar si trafikant, gjendeshin pjesëmarrës edhe ambasadori amerikan Donald Lu dhe ai italian Massimo Gaiani, si duartokitës të suksesit. Krimet e Rënda kërkuan mandatin e ministrit dhe arrestimin e tij, por Kuvendi refuzoi të dorëzohej. Telenovela cannabis, kishte në brendi forcën e ministrit, të fshehtat e punës së tij, ndaj të cilave, Edi Rama ishte ekspozuar në jo pak raste. Shërbimi Informativ kallzoi në Prokurori mbi 120 oficerë policie të përfshirë në trafikun e drogës, pjesë të bandave e të Mafias. As Prokuroria e Përgjithshme, as Krimet e Rënda, as SPAK më vonë, nuk e prekën as shkurt as gjatë këtë dosje. Fikja e saj u bë prioritet sirtarësh. Zvarritja dhe razultati i saj, prova jo të pakta hetimi rrënues, e katandisi dosjen në një patate që as nuk piqej as digjej. Nga oficerët nëpër qarqe, drejtuesit e policive, e më pas kushërinjt, shoqëruesit e ministrit, për të shkuar në piramidë te Kryeminstri, ishte rruga e bllokuar me urdhër për hetimin. Makina audi e famshme, me targa të ndërruara nuk u sekuestrua. Ende qarkullon lirisht. As skafet, as 863 mijë eurot e kapura në makinën e biznesmenit Sota, për të cilat Prokuroria zyrtarisht këmbënguli se janë të minsitrit. Asgjëja kishte vënë dorë shumëkund në këtë dosje. Ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu, ndër të tjera tha publikisht një ditë para seancës në Apelin për Krime të Rënda, kur do të vendosej për kërkesën e Prokurorisë arrest me burg ndaj Sajmir Tahirit se, “nga burime të pavarura, kemi të dhëna se po ofrohen para dhe po bëhet shantazh ndaj gjykatësve dhe prokurorëve, për të mos vendosur masë shtrënguese ndaj ministrit…” Fituan paratë dhe presioni. Mesazhet e dhunshme mes ministrit e kryeministrit, u acaruan kur Tahiri në një moment lëshoi leksikun, kur gazetarët përmendën Ramën, duke përdorur ngjashëm gjuhën e tij. Ai mes të tjerash tha se “ nuk ka bir nëne e bir kurve që të më pengojë të bëj drejtësi…” Teksti dhe konteksti ngjanin në lajmërim. Tahiri po njoftonte shefin e tij politik dhe në dosje, se ai mund ta marrë lehtësisht me vete në qeli, nëse dikush mendon ta bëjë kurban dhe ky dikush që duhej ta dëgjonte mesazhin, ishte Edi Rama. Trysnia e partnerëve kërkonte një kokë të shitej. Tahiri ndjeu se po braktisej në ekstrem. Rama po fitonte kohë. Zgjidhja është e përkohëshme, por jo krejt e pakëndshme për të pandehurin dhe kujdestarin e tij. Shpërdorim detyre është oferta e pashmangshme, për të kënaqur dhe reformën në drejtësi, ku Rama u mburr pas vendimit të dënimit, se ai e ka udhëhequr. Ky është mesazhi publik për të dënuarin ministër. “E udhëheq unë reformën do rregullohemi në Gjykatën e lartë”, aty ku avokati Haxhia shprehej optimist për përmbysje dhe ritheksoi porosinë se të tjerë pushtetarë të vishen trashë. Qelitë kanë vende bosh e telashet nuk kanë të sosur. Nga Itali një lajm me zgjatime në Shqipëri, është arrestimi i ish-gjeneralit të Guardias, Fabrizio Lisi. dyshimet e akuzat për të cilin flasin për lidhjet me ngjarje e dosje krimi e mafie në Shqipëri. Miqësitë e tij nuk janë larg oborrit të Ramës. Audi 003 GB duket se ka dalë të marrë pasagjerë të rinj. Radha është e dikujt tjetër. Rama mund të informohet nga Sekretari i tij i Përgjithshëm, Engjëll Agaçi, se çfarë po ndodh matanë Adriatikut me miqtë e ri në qelitë e antimafias. Ndrangheta kur shet, nis nga të huajt, qiraxhinjtë jo të oborrit të saj.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



