Një makinë është përplasur me një turmë njerëzish në Mynih dhe për pasojë ka plagosur të paktën 15 persona.
Incidenti ndodhi gjatë një demonstrate nga sindikata e punëtorëve Verdi në Dachauer Straße, rruga më e madhe e Mynihut. Forca të forta policore dhe ambulanca ndodhen në vendngjarje për t’i dhënë ndihmën e parë të lënduarve. Mbetet e paqartë nëse makina ka përplasur qëllimisht protestuesit apo ka pasur problem me frenat.
Shoferi u ndalua në vendngjarje dhe nuk paraqet më rrezik, raportoi policia.
Gazeta gjermane Bild, duke cituar burime zyrtare, raportoi se zyrtarisht janë 15 persona të plagosur.
Një dëshmitar okular raportoi se shoferi me dashje e futi makinën në turmë. Dëshmitarë të tjerë folën edhe për dy persona, njëri prej të cilëve u qëllua nga policia, ndërsa drejtuesi i mjetit është arrestuar.
“Unë isha duke ecur me protestuesit. Kur makina hyri në turmë, unë vrapova dhe pashë që një burrë ishte nën makinë. Më pas u përpoqa të hap derën, por ajo ishte e mbyllur,” tha një dëshmitar për BR24 , duke shtuar se “më në fund policia erdhi dhe qëlloi përmes xhamit të makinës”.
Në një postim në Twitter, policia e Mynihut tha se “një operacion i madh policor është duke u zhvilluar në zonën Dachauer Straße / Seidlstraße. Jemi në hapësirë me forca të fuqishme”.
Gjithashtu, policia kërkoi nga qytetarët që të shmangin qarkullimin në zonë për të lehtësuar punën e policisë.
Incidenti vjen një ditë para Konferencës së Sigurisë në Mynih, ndërsa sot mbërrijnë në qytet zëvendëspresidenti i SHBA JD Vance dhe Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.