Gjykata e Lartë: Padia e Llagamit, rrezik për rendin kushtetues
Gjykata e Lartë i ka kërkuar zyrtarisht Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë të shpallë moskompetencën për padinë e ngritur nga ish-kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami, kundër procesit të votimit që çoi në zgjedhjen e gjyqtarit Asim Vokshi si anëtar i ri i Gjykatës Kushtetuese. Sipas Gjykatës së Lartë, shqyrtimi i një padie të tillë do të përbënte “rrezik potencial për rendin kushtetues dhe ndarjen e pushteteve”.
Çështja e kontestuar
Llagami pretendon se gjatë procesit të votimit në Mbledhjen e Posaçme të Gjykatës së Lartë, një votë në favor të saj është shpallur e pavlefshme në mënyrë të padrejtë, duke i mohuar asaj mandatin për në Gjykatën Kushtetuese. Ajo mori 8 vota nga 9, ndërsa një fletë votimi me shenja të dyfishta u konsiderua e pavlefshme, çka e bëri Vokshin – i renditur i pari nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) – kandidatin fitues automatik.
Në padinë e saj, Llagami ka kërkuar pezullimin e zbatimit të vendimit të Mbledhjes së Posaçme dhe të gjitha procedurave deri në një vendim përfundimtar gjyqësor.
Argumentet e Gjykatës së Lartë
Në një dokument zyrtar drejtuar Gjykatës Administrative, Gjykata e Lartë deklaron se vendimet e saj në raste të tilla janë akte kushtetuese, jo administrative, ndaj “nuk mund të kundërshtohen në një gjykatë të zakonshme”.
Sipas argumentimit, ndërhyrja e Gjykatës Administrative do të përbënte:
- Shkelje të parimit të ndarjes së pushteteve;
- Tejkalim të juridiksionit gjyqësor;
- Cenim të integritetit institucional të Gjykatës së Lartë.
Në dokument theksohet se “asnjë gjykatë tjetër, përfshirë atë administrative, nuk ka kompetencë të vlerësojë procesin e përzgjedhjes apo të emërimit të gjyqtarëve kushtetues”, pasi kontrolli i procesit para emërimit është institucional, ndërsa pas emërimit – kushtetues, pra në juridiksionin e vetë Gjykatës Kushtetuese.
Rreziku i precedentit
Gjykata e Lartë paralajmëron se një vendim që do të lejonte shqyrtimin e padisë “do të krijonte një precedent të paprecedentë në Evropë”, duke lejuar gjykata më të ulëta të kontrollonin veprime të organeve kushtetuese.
“Çdo tentativë për të ushtruar juridiksion mbi një vendim kushtetues, përbën tejkalim kompetencash dhe rrezikon stabilitetin institucional dhe besimin publik te pavarësia e gjyqësorit,” – thuhet në parashtrimin e Gjykatës së Lartë.
Vota e kontestuar
Sipas burimeve të Report TV, fleta e votimit e shpallur e pavlefshme kishte dy shenja: një në kutinë standarde të votimit dhe një tjetër rreth numrit “2”, që i përkiste Llagamit. Ajo argumenton se vullneti i votuesit ishte qartësisht në favor të saj dhe nuk duhej shpallur e pavlefshme.
Por Gjykata e Lartë citon nenet 12 dhe 13 të Rregullores së saj, që ndalojnë çdo shënim tjetër në fletën e votimit, duke e konsideruar atë automatikisht të pavlefshme. Sipas saj, “qartësia e vullnetit nuk mjafton në proceset institucionale; ajo duhet të shprehet në formën e saktë juridike, përndryshe cenon integritetin e procesit”.
Përfundimi
Në përfundim, Gjykata e Lartë kërkon që Gjykata Administrative ta shpallë padinë e Llagamit të papranueshme për mungesë juridiksioni, duke e cilësuar këtë si “një akt për mbrojtjen e Kushtetutës dhe të vetë shtetit të së drejtës”.
Seanca për shqyrtimin e kërkesës së Llagamit pritet të zhvillohet të hënën në Gjykatën Administrative të Tiranës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



