Gjyshja tregon arsyen pse rrëmbeu nipin: Donim ta rrisnim vetë…

Bahrije Gjuni, gjyshja që rrëmbeu nipin 3-vjeçar dhe e dorëzoi te e ëma pas një jave ka treguar në polici shkaqet që e shtynë drejt një veprimi të tillë.

57-vjeçarja që është arrestuar për akuzën e “marrjes padrejtë të fëmijës” ka thënë se djalin e djalit ka dashur ta rrisë vetë bashkë me bashkëshortin.

“Vendosëm së bashku me Rexhepin ta merrnim nipin e ta rrisnim vetë sepse ai është i djalit tonë. E kam fëmijën e djalit, nuk i bëj keq. Nuk na e linin ta rrisnim ne ndaj e morëm. Nuk kam bërë krim. Na zëvendëson djalin që na vdiq në aksident. Nusja nuk na e jepte ndaj e mora dhe ika tek të afërmit e mi.”

Duke treguar arsyet pse vendosi ta dorëzojë nipin, gjyshja tha:

Vendosa për shkak të ndjekjes nga policia, por edhe se një vëlla i im u arrestua e një tjetër është shpallur në kërkim. Ata nuk kanë gisht në këtë ngjarje. Edhe djali im që ndodhet në Belgjikë këmbënguli ta ktheja fëmijën tek nëna e tij.”

57-vjeçarja Gjuni shpjegoi para oficerëve të policisë dhe vendet ku ajo qëndroi për 1 javë.

Kur nusja e solli të shtunën që shkoi e mora dhe u nisa për në fshatin tim në Gjinaj të Krumës te prindërit e mi. Atje kam fjetur një natë. Ditën tjetër kam shkuar të Vendi i Mirë në fshatin Buzmadh të Kukësit, ku qëndruam për një natë tjetër aty. Ditën e tretë shkova te kushërira ime në Kukës. Më pas, pash në lajme që policia po kontrollonte në Kukës e Has dhe kam shkuar në Tiranë, ku kam fjetur në 4 hotele të ndryshme.”

Për këtë ngjarje policia ka arrestuar më herët gjyshin Rexhep Gjuni dhe kunatin e tij Arben Selaj të cilët u lanë në burg nga gjykata e Durrësit.

Publikuar nga Publik Media