E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Goditet rrjeti ndërkombëtar i kokainës në Ekuador, 18 të arrestuar
Lajme

Goditet rrjeti ndërkombëtar i kokainës në Ekuador, 18 të arrestuar

Një operacion i gjerë ndërkombëtar, i zhvilluar nga Policia Kombëtare e Ekuadorit në bashkëpunim me Prokurorinë e Përgjithshme të Shtetit dhe Europol-in, ka çuar në goditjen e një organizate të dyshuar të trafikut të kokainës me shtrirje ndërkombëtare dhe lidhje të dyshuara me grupe kriminale shqiptare dhe polake.

Aksioni, i koduar “Gran Fénix 0043 – Azkaban”, u zhvillua në orët e para të mëngjesit të 8 korrikut dhe përfundoi me arrestimin e 18 personave. Sipas autoriteteve, rrjeti kriminal dyshohet se ka trafikuar rreth 7.5 tonë kokainë, me një vlerë të përllogaritur prej afro 225 milionë dollarësh në tregun ndërkombëtar të drogës.

Shqiptari mes të arrestuarve

Autoritetet ekuadoriane identifikuan si një nga drejtuesit e organizatës shtetasin polak Jakimec Tomasz, ndaj të cilit ishte lëshuar më herët një njoftim i kuq nga Interpol për trafik ndërkombëtar droge.

Sipas hetimeve, ai dyshohet se kishte ngritur dhe administronte kompani fasadë, të cilat përdoreshin për të maskuar dërgesat e kokainës që transportoheshin me rrugë detare drejt vendeve evropiane.

Mes të arrestuarve ndodhet edhe një shtetas shqiptar me mbiemrin Daci, i cili, sipas autoriteteve, vepronte si ndërmjetës mes organizatave kriminale të Amerikës së Jugut dhe rrjeteve të narkotrafikut në Evropë.

Hetuesit dyshojnë se ai koordinonte komunikimin dhe organizimin e operacioneve mes grupeve kriminale, duke lehtësuar zgjerimin e aktivitetit të tyre në tregjet evropiane.

Si funksiononte organizata?

Sipas dosjes hetimore, rrjeti kriminal ishte aktiv që prej vitit 2019 dhe kishte krijuar lidhje me banda kriminale në Ekuador, si edhe me grupe të armatosura që veprojnë në Kolumbi.

Lënda narkotike sigurohej pranë kufirit verior të Ekuadorit dhe më pas transportohej drejt provincave Esmeraldas, Guayas, Azuay dhe El Oro, ku përgatiteshin ngarkesat për eksport.

Për të shmangur kontrollet doganore, kokaina fshihej brenda kontejnerëve me mallra të ligjshme eksporti. Sipas autoriteteve, droga kamuflohej mes ngarkesave me banane, kafe, produkte deti dhe dru, të cilat më pas dërgoheshin drejt vendeve evropiane, përfshirë Holandën, Belgjikën, Gjermaninë, Italinë, Danimarkën dhe Poloninë.

Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se anëtarët e organizatës përdornin platforma komunikimi të enkriptuara për të shmangur përgjimet dhe për të fshehur aktivitetin kriminal.

Çfarë u sekuestrua?

Gjatë operacionit u arrestuan gjithsej 18 persona, mes tyre 16 shtetas ekuadorianë, të cilët dyshohet se ishin të përfshirë në logjistikën e transportit, magazinimit dhe sigurimit të ngarkesave me drogë.

Policia sekuestroi telefona celularë, pajisje elektronike dhe materiale të tjera që pritet t’i nënshtrohen ekspertizës, ndërsa të gjithë të arrestuarit janë vënë në dispozicion të autoriteteve gjyqësore për procedurat e ngritjes së akuzave.

Hetimet vijojnë për të identifikuar të gjithë anëtarët e rrjetit dhe për të zbuluar lidhjet e mundshme me organizata të tjera kriminale që operojnë në Amerikën Latine dhe Evropë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.