Grupi kriminal me turq e shqiptarë i mbetjeve toksike
Pozita dhe Opozita që digjen në Furrat e KURUM
Debati për mbetjet toksike ka marrë përmasa alarmante, duke nxjerrë në pah një krizë të thellë të përgjegjshmërisë politike dhe institucionale në Shqipëri. Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet mbi eksportin e lëndëve të rrezikshme nga kompania Sokolaj sha, duke zbuluar se këto mbetje ishin të blera nga gjiganti metalurgjik KURUM. Ky zbulim ka tronditur opinionin publik, veçanërisht pasi një nga ngarkesat e nisura drejt Tajlandës u bllokua në portin e Singaporit, duke ngritur shqetësime të mëdha për standardet e sigurisë dhe mbikëqyrjes në Shqipëri.
Në këtë skandal, qeveria shqiptare ka zgjedhur të heshtë, ndërsa opozita, në vend që të ngrejë zërin për këtë çështje madhore, është shfaqur në mbrojtje të KURUM-it. Kryetari i opozitës, Sali Berisha, ka deklaruar publikisht se mbetjet nuk i përkasin KURUM, pa pritur rezultatet e hetimeve. Ky qëndrim i çuditshëm vjen në një kohë kur KURUM, një kompani me lidhje të ngushta me presidentin turk Erdogan, është bërë objekt mbrojtjeje nga politika shqiptare, duke përfshirë edhe privilegje të ndryshme fiskale dhe licenca të dhëna nga qeveria.
KURUM ka qenë përfitues i një sërë marrëveshjesh të diskutueshme, përfshirë privatizimin e hidrocentraleve Bistrica 1 dhe 2, Ulëz dhe Shkopet, të cilat u shitën nga qeveria e Berishës, pavarësisht kundërshtimeve të ashpra nga Partia Socialiste në atë kohë. Ironikisht, pasi PS erdhi në pushtet, jo vetëm që nuk shfuqizoi këto marrëveshje, por përforcoi pozitat e KURUM-it në tregun shqiptar.
Ndërkohë që hetimet po vazhdojnë, qytetarët pyesin me të drejtë se sa herë më parë mund të ketë ndodhur transporti i tillë i mbetjeve toksike dhe ku janë depozituar ato në territorin shqiptar. A janë këto mbetje vetëm nga KURUM, apo përfshijnë edhe mbetje nga kompani të tjera, duke përfshirë ato nga Kosova apo industri të tjera në Shqipëri?
Kjo çështje ka ngritur pyetje serioze për integritetin e sistemit të drejtësisë dhe për përkushtimin e qeverisë dhe opozitës për të mbrojtur mjedisin dhe shëndetin e qytetarëve. A do të shkojnë hetimet deri në fund dhe a do të dalin përgjegjësit para drejtësisë, apo do të jemi dëshmitarë të një tjetër skandali që zhduket në errësirën e interesave të ngushta politike dhe ekonomike?
Në fund të ditës, shqetësimi më i madh për shoqërinë shqiptare është se kauza qytetare e mbetjeve toksike, një çështje që prek drejtpërdrejt shëndetin dhe mirëqenien e të gjithëve, po digjet për skrap në furrat e KURUM-it, së bashku me interesat e qeverisë dhe moralin e opozitës.
Grupi kriminal me turq dhe shqiptarë që kanë organizuar trafikimin e 816 ton mbetje toksike drejt Tajlandës.
Pronarja në letra e kompanisë Kurum, Hatice Kurum dhe administratorja Lindita Kikino, në bashkëpunim me pronaren në letra të kompanisë Sokolaj shpk, Gjovana Sokolaj, kanë organizuar trafikimin e 816 ton mbetje toksike të vendosura në 100 kontejnerë në dy anije, të cilat kaluan nga Porti i Durrësit më 4 korrik për të shkuar drejt Tajlandës.

Skandali po hetohet nga Prokuroria e Durrësit bashkë me OLAF.
Mbetjet e rrezikshme janë nisur nga impianti ‘Kurum’ pranë metalurgjikut në Elbasan.
Gjovana Sokolaj, administratore e kompanisë “Sokolaj shpk”që ka kryer transportin e lëndëve toksike në Portin e Durrësi,t është marrë në pyetje nga Prokuroria e Durrësit.

Zonja Sokolaj ka dëshmuar për skandalin e mbetjeve të rrezikshme duke thënë se kompania që ajo administron ka kryer transportin konform rregullave dhe ligjeve në fuqi.
Sokolaj ka sqaruar se mbetet i ka blerë pranë kompanisë Kurum.
Duket se Prokuroria e Durrësit po heton në dy pista kryesore: e para është mundësia e transportit të mbetjeve toksike tranzit nga kompania “Sokolaj shpk” drejt Tajlandës dhe vendeve të tjera dhe kjo kompani mund ta ketë kryer aktivitetin edhe në mashtrim dhe e dyta, kompania e saj është e lidhur direkt me kompaninë KURUM dhe transporton prej kohësh mbetjet toksike dhe jo toksike të kompanisë.
Prokurorit ka nisur hetimet për shpërdorim detyre, trasportim të lëndëve toksike dhe është duke sekuestruar të gjitha dokumentat.
Dosja duhet të kalojë në kompetencë të SPAK-ut pasi faktet tregojnë për një grup të strukturuar kriminal, të drejtuar nga bosë shqiptarë dhe turq, por që në skenë kanë nxjerrë tre gra.
Sokolaj shpk është themeluar në 2006 me objekt tregëtar në Lushnjë dhe Gjovana Sokolaj është që prej themelimit administratore e kompanisë. Në vitin 2011 kanë shtuar si aktivitet kërkimin e ferrokromit dhe mineraleve. Në vitin 2012 shton si aktivitet grumbullim dhe përdorim qumështi dhe blegtori. Në 2013 në kompani shfaqet aksionar shtetasi turk Serdar Can Hakliol.
Në 2014 Hakliol largohet dhe Gjovana Sokolaj rikthehet me kuota të plota. Po në këtë vit ajo shton aktivitetin “grumbullim skrapi”.
Vendndodhja e kompanisë në këtë vit zhvendoset nga Lushnja në Durrës. Në vitin 2020 shtohet aktiviteti dhe me eksportin e mbetjeve jo të rrezikshme, zink dhe bakër. Në dhjetor të vitit 2020 si adresë kompania ka patur të regjistruar në uzinën e ferromromit në territorin e “refraktare sha”. Në prill të 2023 ajo largohet nga ky territor.
Në mars të vitit 2022 ajo merr licencën për transportin e lëndëve të rrezikshme të firmosur nga Mirela Kumbaro.
Turku Serdar Can Hakliol duket se qëndron pas kompanisë Sokolaj edhe pse jo në letra.
Serdar Can Hakliol është aksioner me Gjovana Sokolajn edhe në kompaninë e tregtimit të materialeve të ndërtimit FLORESTER METALIK.

Gjovana Sokolaj është aksionere bashkë me shtetasin Doni Sokolaj edhe në kompaninë e grumbullimit dhe eksportimit të mbetjeve të ngurta dhe hekurishteve, SCHOLZ shpk.
Gjovana Sokolaj, pas të cilës dyshohet se fshihen personazhe të tjerë, është aksionere me Doni Sokolajn edhe në kompaninë e ndërtimeve, prodhimit dhe shitjes së energjisë elektrike, S CORP shpk.
Mafia Kurum

Hatice Melek Kürüm është pronarja në letra e Kurum, ndërsa e besuara e saj si administratore është Lindita Kikino.
Dora e punëve të zeza te Kurum konsiderohet edhe Erdal Demir.
Dy anijet me mbetjet toksike janë në pronësi të kompanisë Maersk. Por, transporti i mbetjeve toksike të Kurum bëhet zakonisht nga kompania Sokolaj, me pronare në letra zonjën Gjovana Sokolaj.
Pluhuri i furrës është një produkt mbetjesh i rrezikshëm që zakonisht vjen nga riciklimi i skrapit të çelikut dhe përmban okside metalike toksike si kadmiumi dhe kromi, që janë të dëmshëm për shëndetin dhe mjedisin. Ky lloj pluhuri kërkon trajtim të kushtueshëm, ndërsa Tajlanda vitet e fundit është parë si një venddepozitimi të ngarkesave të ngjashme nga shumë vende më të zhvilluara.
Kompania e transportit Maersk ka thënë se nuk ishte në dijeni se çfarë ngarkëse kishin brenda kontenierëve në Durrës.
As qeveria tajlandeze nuk ishte informuar për llojin ngarkesën që mbartnin dy anijet. Sapo u njoftuan, autoritetet tajlandeze ndaluan futjen e anijeve.
Ka dyshime të forta se zhdukja e mbetjeve është planifikuar në bashkëpunim nga kompania Kurum dhe kompania Sokolaj, ndoshta në bashkëpunim me kompaninë Maersk.
Dy anijet e ngarkuara me mbetje të dëmshme, janë ngarkuar njëra me 60 kontenierë, tjetra me 40 kontenierë. Anija që udhëheq quhet Maersk Campton dhe ishte e ngarkuar me 40 kontenierë. Ajo mbërriti e para në Singapor dhe i shkarkoi kontenierët në datën 18 gusht. 40 kontenierët do të ngarkohen në anijen me emrin MARIA SAVERA që do t’i transportojë drejt Italisë. Më pas një anije tjetër do t’i kthejë në Durrës.
Anija e dytë me 60 kontenierë, e quajtur Maersk CANDOR ka rezultuar jashtë radarëve që nga data 9 Gusht, një kohë relativisht e gjatë dhe pritet të mbërrijë në Singapor në datën 24 Gusht.
Llogaritet që të dyja anijet të jenë në fund të shtatorit në vendin e origjinës, pra në Shqipëri.
Kush e zbuloi skandalin?
Sinjali i parë për transportin e mbetjeve të dëmshme drejt Tajlandës e dha Basel Action Netëork (Rrjeti i ndërveprimit të Baselit) një organizatë me bazë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Qëllimi i organizatës është pikërisht zbulimi i operacioneve të tilla, si ai që ka nisur nga Shqipëria, ku kompanitë e mëdha depozitojnë mbetjet e dëmshme në vende të pazhvilluara. Rrjeti i ndërveprimit të Baselit thotë se synon t’i japë fund tregtisë toksike, pasi Tajlanda dhe vendet e tjera të Azisë Juglindore kanë parë një fluks mbeturinash nga vendet e zhvilluara, nga plastika e ndotur deri te mbetjet industriale dhe elektronike.
Skandali nuk mbaron me kaq

Kjo nuk është ngarkesa e parë me mbetje të dëmshme që del nga Shqipëria dhe refuzohet nga një vend tjetër. Janë 115 kontenierë të tjerë që kanë dalë nga Porti i Durrësit dhe janë braktisur në Kinë. Ishte Kapitali.al që raportoi sot se kjo ngarkesë e dytë është nisur në prill të këtij viti nga Shqipëria drejt Kinës dhe përmban 115 kontenierë me mbetje toksike. Ngarkesa mbahet e bllokuar në Portin e Nanshas në Guangzhu të Kinë.
Në një letër që Rrjeti i Ndërveprimit të Baselit i ka dërguar autoriteteve portuale të Singaporit kërkohet analizimi i menjëhershëm i materialeve që kanë anijet e nisura nga Shqipëria, në mënyrë që të ketë prova të pakontestueshme për aktivitetin e paligjshëm.
Po ashtu, Rrjeti i Baselit kërkon që edhe 115 kontenierët e bllokuar në Kinë të kthehen menjëherë në Shqipëri, ashtu siç po veprohet me 100 kontenierët e parë.
Duke u njohur me përmasat e skandalit, mbetet për t’u parë cili do të jetë qëndrimi i qeverisë shqiptare. A do të ndëshkohen kompanitë private për mostrajtimin e mbetjeve, apo eleminimi i tyre do të bëhet në dëm të ambjentit dhe qytetarëve shqiptarë?
Kurum aktivitet mafioz si Bankers
Kompania më e madhe e hekurit në Turqi, ‘Kurum Demir’ ka fshehur procedurat e falimentimit, duke u përfshirë në një skandal të madh financiar ndërkombëtar dhe tjetërsim të paligjshëm të aseteve për t’i shpëtuar sekuestrimit.
Pjesë e këtij skandali ishte edhe dega në Shqipëri, “Kurum International SHA’, që vijon falsifikimet, mashtrimet dhe aferat, ashtu si “Bankers Petroleum”. Për llogari të mashtrimit të kompanisë mëmë në Turqi, ‘Kurum’ në Shqipëri ka mashtruar me bilance të rreme 5 banka të nivelit të dytë në vendin tonë, duke u marrë 210 milionë euro kredi.
Ndërkaq, publikimi i listës së pagave dy vite më parë tregoi rrogat marramendëse që drejtuesit e këtyre dy kompanive grabitqare i kanë vendosur vetes.
Tek Kurum, vetëm një këshilltar e ka pagën 8 mijë USD në muaj, edhe pse Turqia nuk shquhet për paga të larta, por në Shqipëri kanë gjetur shesh për të bërë përshesh nën pushtetin e Edi Ramës.
Ndërsa ka marrë 210 milionë euro kredi për llogari të mashtrimit të madh të Kurum në Turqi, Kurum në Shqipëri, ndan superpaga dhe noton në paratë që nxjerrë në Shqipëri.
Shpërthimet te Kurum
Shpërthimi te Metalurgjiku në Elbasan, flakët rrezikojnë të përhapen (FOTO)

Zjarri në pikën e skrapit të ‘Kurum’ në Metalurgjik
Disa incidente tê rënda, për shkak të mosrespektimit të kushteve të punës, kanë ndodhur herë pas here në mjediset e kompanisë problematike Kurum, e cila është përpjekur të fshehë ngjarjen, për shkak të mundësisë së pasojave ligjore.
Në vitin 2022 ka shpërthyer një bombol oksigjeni pranë furrave të shkrirjes së çelikut, ku për rrjedhojë ka mbetur i plagosur rëndë një punonjës.
Punonjësi është dërguar me urgjencë në një spital privat, ndërsa përfaqësuesit e kompanisë kanë marrë masa që ngjarja të mbetej e fshehtë.
Në shkurt të vitit 2021, një bombol gazi ka shpërthyer tek furrat e Kurum. Edhe në këtë rast, dyshohet se kompania ka fshehur pasojat e shpërthimit tek punonjësit.
Në korrik të vitit 2020, në zonën e ish-kombinatit metalurgjik në Elbasan, që administrohet nga kompania turke Kurum, në repartin e oksigjenit, u shënua një shpërthim i fuqishëm, ku për pasojë u plagosën disa punonjës, 3 prej në gjendje të rëndë (Qemal Mullahu, 61-vjeç, Eduard dhe Osman Bendaj, 42 dhe 69 vjeç, babë e bir).
Më parë, një tjetër shpërthim i fuqishëm ka ndodhur në furrën e shkrirjes së Uzinës së Çelikut te ish-Metalurgjiku, ku u dogj punonjësi Hyqmet Doka. Nga shpërthimi i llavës, thuajse në 90 për qind e trupit të punonjësit u dogj.
Në një rast tjetër, nga një incident i rëndë, një punonjës ka humbur gishtat. Dyshime të forta ka se shumë incidente të tjera kanë ndodhur, por nuk janë marrë vesh kurrë.
Skema mashtrimi
Në vitin 2017, u arrestuan dy ish-drejtues të lartë të kompanisë “Kurum International”, të dyshuar se kanë krijuar një skemë mashtruese me rimbursimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), me dëm ekonomik ndaj shtetit në vlerën rreth 1.5 milionë dollarë.
Gjithashtu, me kërkesë të Prokurorisë së Elbasanit, gjykata vendosi sekuestro mbi llogaritë bankare të kompanisë Kurum.
Ish-administratori i kompanisë “Kurum”, Koray Zeytinoglu dhe ish-Drejtori i Skrapit, Yucel Aksu dyshohet se, nëpërmjet faturave fiktive, kanë deklaruar se kanë kryer aktivitet shit-blerje në vitin 2011 me disa kompani të tjera, të regjistruara në qytetin e Laçit.
Në bazë të dyshimeve të arsyeshme, mbështetur në prova, Prokuroria kërkoi nga gjykata caktimin e masës “arrest me burg” për këta dy shtetas, e cila u pranua nga ana e gjykatës.Prapaskena
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



