E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
GTS e Nikut, 13.6 mln euro pa garë në 6 muaj/ ‘Ndrangheta’ nuk ndalet, importi i oksigjenit
Publik News

GTS e Nikut, 13.6 mln euro pa garë në 6 muaj/ ‘Ndrangheta’ nuk ndalet, importi i oksigjenit

Kompania e Nikut të ‘Ndrangheta-s, i identifikuar si Besnik Halili, ka marrë nga Ministria e Shëndetësisë 13.6 milionë euro tendera pa garë në 6 muajt e fundit. Dalja në përgjimet e mafiozëve italianë duket se nuk e ka penguar shtetin shqiptar që t’i japë edhe më shumë tendera, kompanisë GTS-Albania, që duket se pas skandalit ka rritur edhe më shumë aktivitetin dhe përfitimin nga tenderat e dyshimtë.

Kompania “GTS-Albania” ka përfituar 13.6 milionë euro fonde publike pa garë reale gjatë 6 muajve të fundit, pasi administratori i saj, Besnik Halili, u përmend në përgjimet e anti-Mafias italiane si ndërmjetës i Princit të ‘Ndrangheta-s, Andrea Gallo, për sigurimin e lejeve të ndërtimit në Tiranë.

Prej shkurtit të këtij viti, kur u publikuan regjistrimet audio të prokurorisë së Katanzaros, kompania e oksigjenit është shpallur fituese në 20 tendera të sistemit shëndetësor shtetëror.

Vlera totale e këtyre procedurave tenderuese arrin në shifrën e më shumë se 16 miliardë lekë të vjetra ose afërsisht 13.6 milionë euro.

Në të gjithë tenderët e kësaj periudhe, “GTS” rezulton të ketë qenë konkurente e vetme ose pjesë e një gare jo-reale, ku kompani të tjera janë përfshirë në procedurë pa oferta ekonomike dhe rrjedhimisht janë skualifikuar.

Prej disa vitesh, “GTS-Albania”, pjesë e grupit italian “Sol”, ka krijuar një lloj situate monopol në tregtimin e oksigjenit mjekësor për strukturat spitalore shqiptare.

Megjithatë, kjo situatë nuk ka nxitur ende asnjë hetim administrativ nga Autoriteti i Konkurencës apo agjenci të tjera qeveritare e të pavarura.

Ndërkohë, një hetim penal i nisur nga SPAK-u për shtrirjen e Mafias italiane ‘Ndrangheta në lejet e ndërtimit në Tiranë vijon pa sukses të dukshëm prej më shumë se 6 muajsh.

Në shkurt 2021, prokuroria e Katanzaros finalizoi operacionin “Basso profilo”, me arrestimin e rreth 400 personave, për përfshirje në organizatë mafioze dhe krime të tjera.

Në qendër të atij hetimi ishte Andrea Gallo, i njohur ndryshe edhe si Princi i ‘Ndrangheta-s.

Në disa përgjime, të publikuara edhe në median shqiptare, Gallo diskutonte me bashkëpunëtorët e tij për të siguruar leje për ndërtim kullash në Tiranë.

Sipas bisedave të regjistruara, Gallo fliste për shqiptarin “Nik”, i identifikuar më pas si Besnik Halili i kompanisë “GTS”, si personi me lidhjet e duhura në qeveri dhe bashkinë e Tiranës për të siguruar leje ndërtimi.

Princi i ‘Ndrangheta-s dhe shumë prej bashkëpunëtorëve të tij pritet të dalin në gjykatë në javët e para të Tetorit 2021.

Ndërkohë, në Shqipëri, ky rast është kaluar me qetësi olimpike nga institucionet shqiptare.

Rreth 6 muaj pas finalizimit të operacionit “Basso profilo”, kompania e Andrea Gallos në Shqipëri, “Gallo-Albania” është rikthyer në aktivitet tregtar, ndërkohë që procesi i lejeve të ndërtimit vijon të jetë i pandalshëm.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.