E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Guljelmi do gajasej duke e qesëndisur hipokrizinë e Kryeministrit
Publik News

Guljelmi do gajasej duke e qesëndisur hipokrizinë e Kryeministrit

Zoti Kryeministër! Si mundesh të jesh kaq cinik, kaq i paskrupull, kaq i pacipë dhe kaq i lëtyrosur në çdo qelizë të produktit tënd të pandjeshëm e të padhembshur?!

Si mundesh, ti, që për fat të keq je edhe Kryeministri i shqiptarëve, sot, në ditëvdekjen e Guljelmit, kësaj ikone të artit tonë skenik e kinematografik, nuk ndalesh, nuk hesht, nuk reflekton pendesën për të manifestuar qoftë edhe formalisht kodin e heshtjes dhe të respektosh sadopak dëshirën e fundit të të ndjerit që e lë përgjithmonë botën e të gjallëve, së paku si një gjest të një ndërgjegjeje të munguar për talljen, shpërfilljen, përçmimin dhe përbuzjen sistematike që ke shfaqur hapur për atë pjesë të konsiderueshme të komunitetit të nderuar të artistëve, ndaj atyre që hapur nuk ishin në një mendje me ju dhe me zullumet e tua…

?Si mundet me statuset e tua në “Facebook” të jesh kaq hipokrit dhe i gënjeshtërt në sy të njerëzisë edhe në ditëmort me ata artistë që në gjallje i qesëndisje me cinizëm, me sarkazmën tënde banale e vanitoze, duke synuar me sjelljet e tua delirante stigmatizimin dhe poshtërimin e dinjitetit të tyre, vetëm e vetëm sepse në bindjet e tyre këta artistë ishin me “ata” dhe nuk ishin me “ne”, (pra, nuk ishin me ju…?!”).O Zot! Çfarë gjaku lëviz në dejet e tua o njeri, jam kurioz ta di…!!! Z. Kryeministër! Ju e dini fare mirë se artisti i madh, gjiganti i skenës dhe i ekranit, Guljelm Radoja, nuk kishte asnjë lloj empatie ndaj jush.Pra, nuk kishte asnjë ndjesi pozitive ndaj jush, sepse ai nuk vlerësonte asgjë si qenie sociale dhe shoqërore, por, edhe në atë humane! Si politikan dhe burrë shteti, jo e jo! Përkundrazi!

Në takimet dhe bisedat e shumta miqësore me Lemin, (kështu e thërritnin miqtë e ngushtë të zemrës), kuptoja fare qartë se ju nuk gëzonit asnjë fije respekti prej tij.Sikundërse jam i bindur se edhe ju e keni ndjerë dhe e keni kuptuar qartë se ky artist dinjitoz edhe si NJERI, me përmasa të jashtëzakonshme, nuk ka ekzistuar dhe nuk ekzistonte për ju deri në çastet kur ai mbylli sytë dhe zemra e tij pushoi së rrahuri në spitalet e mjeruara të Covid-19 të Durrësit dhe Tiranës.Ai iku nga kjo botë me një mal zhgënjimesh dhe brengash që shteti shqiptar me mosmirënjohje ndaj tij ia rëndoi edhe më shumë barrën e dhimbjes, duke u dergjur në shtrat për një muaj rresht, i sfilitur nga flama e pandemisë, por sërish dinjitoz si Ai, pa të shtrirë dorën dhe pa të kërkuar asnjë ndihmë për një shërbim mjekësor më të specializuar jashtë vendit.Iku, ashtu siç dinë të ikin dinjitarët e mëdhenj të kombit, të cilët e përçmojnë mëshirën dhe nëpërkëmbjen e dinjitetit njerëzor!

Sot, në ditëvdekjen e Guliemlit të dashur për të gjithë shqiptarët, pa pritur më erdhi në mendje komedia e njohur e Andon Zako Çajupit, “Pas vdekjes”.Nëse i madhi Guljelm Radoja për një çast do të ishte në rolin e doktor Adhamudhit, e, nëse do të shikonte në “Facebooku”-n z. Rama nekrologjinë e tij, ai nuk do ta merrte fare seriozisht, por si hokatar i këndshëm që ishte në jetën e përditshme do gajasej duke e qesëndisur hipokrizinë e Kryeministrit tonë!

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.