E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Hapësira alternative larg retorikës inatçore, thashethemit dhe frustrimit
OP-ED

Hapësira alternative larg retorikës inatçore, thashethemit dhe frustrimit

GJERGJ METADom Gjergj Meta

Në kohët e fundit po vërej me shqetësim të madh se si retorika politike në Shqipëri sa vjen e po bëhet më e ashpër, më inatçore dhe më përçarëse. Dhe kjo është një rrugë pa kthim, që ka kushtëzuar jetën e shumë njerëzve e që për fat të keq, nuk do t’i lërë më kurrë. Kjo lloj retorike, për aktorët e saj është kthyer në një vartësi, e barabartë me bixhozin dhe drogën apo me dëshirën e “vipave” për të qenë çdo ditë në faqet e mediave, qoftë edhe duke paguar. Përveç aktorëve të drejtpërdrejtë, në këtë mes ndikojnë edhe mediat online që, edhe pse përfshijnë vetëm një pjesë të limituar të shoqërisë, bëjnë shumë zhurmë. Kemi krijuar një shoqëri të zhurmshme dhe harmoninë e kemi degdisur larg jetëve tona, duke u zhytur në një kakofoni kolektive e të pashpresë. Mendoj se jemi në një nyje gordiane, por me shumë nyje të tjera ama dhe vështirësisht të gjenden fijet për ta zgjidhur.

Më vijnë ndërmend imazhet e një filmi, që nuk e di se ku dhe kur e kam parë, në të cilin, ndërsa prindërit ziheshin përditë, fëmija i tyre adoleshent një ditë të bukur zgjedh të marrë plaçkat e të ikë prej shtëpisë. Është normale që të ndodhë kjo gjë. Në mos ikën, fshihet poshtë krevatit duke mbyllur veshët që të mos dëgjojë më. Na serviret vetëm retorikë politike ose emisione që nxjerrin në shesh jetët private të njerëzve apo telenovela turke. Një shoqëri që jeton me gossip, që konsumon përditë retorikë konfliktuale dhe dëshpërim telenovelash turke, si mendoni se mund të rritet cilësisht?

 

 

Jam i sigurt se ndaj kësaj gjendjeje do të reagohet herët a vonë. Do të vijë një ditë që vullkani të shpërthejë, vetëm se nuk i dimë pasojat e kësaj. Disa, madje shumë kanë ikur si puna e adoleshentit, ndërsa shumë kanë mbyllur veshët dhe janë strukur në errësirën e situatës së tyre. Reagimi do të vijë e do të krijojë probleme një ditë. Ndoshta më mirë të vijë, do jetë më mirë për të gjithë, sado i vuajtur që të jetë, por duhet reaguar.

Ky reagim nuk është ndaj mungesës së paqes sociale, të cilën falë Zotit e kemi, edhe pse me problemet normale të çdo shoqërie demokratike, por bëhet fjalë për paqen e shpirtit dhe higjienën e mendjes. Këtë të fundit nuk mund ta ofrojë politika aktuale në Shqipëri, madje janë shkaktarët e dëmtimit të saj në mënyrë të drejtpërdrejtë, në mënyrë transversale, majtas e djathtas. Kjo është pika ndaj së cilës duhet të reagohet sa më shpejt dhe pa humbur kohë.

Po si mund të reagohet? Nuk ka rrugë tjetër përveçse hapësirave alternative të reflektimit, të debatit konstruktiv, të mbledhjes përreth kulturës, letërsisë dhe artit në të gjitha qendrat kryesore të vendit, së paku aty ku ka pak jetë urbane. Dhe në mënyrë xheloze, këto hapësira duhet të ruhen nga ndotja partiake dhe ideologjike. Duhet të jenë hapësira takimi dhe lirie, ku njerëzit ndihen të lirë të ushqehen me të bukurën dhe të mirën, ku ndihen të dëgjuar dhe të vlerësuar për kontributin e tyre, ku nuk u ndërpritet fjala apo bëhet ironi me fjalën e tyre, ku nuk u përdoret fjala për të sulmuar kundërshtarin. Sot këto nisma duhet të merren jashtë koniukturave zyrtare, shtetërore apo partiake që të mos rezultojnë mediokre dhe të finalizuara për përfitime elektorale.

Kemi nevojë për hapësira lirie, në të cilat takimi mes të ndryshmëve të kthehet në një pasuri dhe jo në një luftë xhungle për mbijetesë duke shkatërruar tjetrin.

Realiteti ynë ka nevojë për profetët e lirisë e këta profetë janë në sytë e botës “humbës”, sepse nuk kanë asnjë interes tjetër veçse lirinë. Duhet me patjetër t’i themi jo çdolloj forme kafazizimi të iniciativës individuale, të grupeve që duan të promovojnë të bukurën dhe të mirën në shoqëri. Platformat partiake dhe ideologjike i rrinë ngushtë një shoqërie, që do të zhvillohet e lirë.

Sa më shpejt të nisë një proces i tillë, më mirë do të jetë për të gjithë. Këtu bëhet fjalë për një lloj mistike të jetës, e cila e zhvillon jetën në dinamizmin e saj të brendshëm e jo vetëm në struktura të jashtme. Dinamizmi i brendshëm i një shoqërie është ai që e mban të gjallë sikurse një lumë që ushqehet nga shumë përrenj të nëndheshëm. Përvoja e popujve europianë është përvoja e rritjes nëpërmjet artit dhe mendimit që kanë sjellë në krijimin e shoqërive të mbështetura në vlera. Duhet dhe mund ta kapim kohën, sidomos nëse mendojmë për të rinjtë që po rriten, pasi ata do të jenë e ardhmja e shoqërisë sonë. Hapësirat alternative, ku zhvillohet mistika e jetës (arti kultura, letërsia) duhet të jenë në fakt më të banuarat, larg atyre trajtave që e bëjnë jetesën të frustruar. Nuk është vetëm çështje religjioni, edhe pse ky i fundit mund të kontribuojë në këtë proces, por është çështje e shpirtit të njeriut dhe të një shoqërie. Shndërrimi i brendshëm i shoqërisë dhe individit do të sjellë një shndërrim më të qëndrueshëm dhe të dukshëm në strukturat e jashtme të saj.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.