E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Hashim Thaçi nuk është vetëm në përpjekjen për të bindur ndërkombëtarët që nuk ka kryer krime lufte.
Lajme

Hashim Thaçi nuk është vetëm në përpjekjen për të bindur ndërkombëtarët që nuk ka kryer krime lufte.

Bashkë me të janë edhe katër të tjerë që kanë mbajtur poste të rëndësishme në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës: ish-kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli; ishzëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare, Jakup Krasniqi; ishanëtari i shtabit të përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi; si dhe ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa (i deklaruar i pafajshëm). Është Gjykata Speciale ajo që ka komunikuar emrat bashkë me aktakuzat përmes një deklarate publike. Pas arrestimit të tyre nga Prokurori i Specializuar më 4 dhe 5 nëntor, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, më 4 dhe 5 nëntor. “Gjykatësi i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës e konfirmoi aktakuzën kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit më 26 tetor 2020. Në pajtim me rregullën 88(2) të Rregullores së Procedurës dhe të Provave para Dhomave të Specializuara të Kosovës, aktakuza e konfirmuar nuk u bë publike në atë moment”, thuhet në komunikatën e Gjykatës Speciale.

TË AKUZUARIT

Dje, kreu i shtetit ishte i pari që konfirmoi aktakuzën, i ndjekur nga Kadri Veseli, i cili tha se do të heqë dorë nga të gjitha angazhimet deri në përfundim të procesit. “E vlerësoj faktin që Dhomat e Specializuara kanë treguar mirësjellje duke më nisur një ftesë për t’u paraqitur në Gjykatë, në vend se të më arrestonin në mënyrë të padinjitetshme. Unë i jam përgjigjur këtij akti mirësjelljeje, duke u pajtuar që të udhëtoj këtë mëngjes për në Hagë me përfaqësues të Tribunalit, ku formalisht do të paraqitem para trupit gjykues për t’iu përgjigjur akuzave të bëra dhe për të nisur një proces të gjatë të mbrojtjes”, deklaroi Veseli, duke shprehur besim në objektivitetin dhe paanshmërinë e gjykatësve. “Ky proces ka për qëllim të arrijë tek e vërteta. Nuk ka asnjë arsye për të pasur frikë nga e vërteta. Nuk duhet ndërmarrë asnjë përpjekje për të minuar punën e tribunalit, e as për të penguar dhe ndërhyrë në ndonjë mënyrë në këtë proces. Prandaj, nëse ju kërkohet që t’i ndihmoni Dhomat e Specializuara, ju lutem pranojeni pa hezitim”.

AKUZAT

Më 24 prill, Prokuroria e Specializuar në Hagë kishte paraqitur një aktakuzë për shqyrtim në Dhomat e Specializuara të Kosovës kundër Hashim Thaçit, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, si dhe disa personave ‘të tjerë’, emrat e të cilëve Prokuroria asokohe nuk preferoi t’i bëjë publikë. Sipas aktakuzës, figurat kyçe të ishUÇK-së janë penalisht përgjegjës për gati 100 vrasje, midis të cilëve ka shqiptarë të Kosovës, serbë, romë dhe njerëz të kombësive të tjera, përfshirë kundërshtarë politikë. Si rregull, pas konfirmimit të aktakuzës, i dyshuari merr statusin e të akuzuarit dhe aktakuza dorëzohet personalisht tek ata. Paraqitja e parë e tyre në Gjykatë mbahet brenda një jave që nga dita kur është dorëzuar ajo. Konfirmimi i aktakuzës pason arrestimin e ishzëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqi, këtë të mërkurë. Por, brenda asaj dite, dhomat e specializuara në Hagë konfirmuan aktakuzën edhe për shefin e grupit parlamentar të Lëvizjes së Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, që mësohet të jetë nisur që dje për në Hagë. “Unë po shkoj me kokën lart dhe kurdo që kthehem, do të kthehem po ashtu me kokën lart, sepse isha, jam dhe do të jem ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për të cilën jam i gatshëm të jap gjithçka nga vetja ime. Ideali i asaj ushtrie të lavdishme është mbi mua, mbi këdo, mbi gjithçka”, ka shkruar Selimi në “Facebook”. Zyra e prokurorit të specializuar është vënë në lëvizje që në 24 shtator kur kreu arrestimin e ish-eprorit të UÇK-së, Salih Mustafa. Ky i fundit akuzohet për krime lufte dhe vepra penale si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme. Në seancën e 28 tetorit, Mustafa është deklaruar i pafajshëm për të gjitha akuzat e lartpërmendura. Prokuroria e Specializuar në Hagë heton krimet e pretenduara nga ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve që nga janari i 1998-ës deri në dhjetor të vitit 2000. Krimet janë pjesë e një raporti të Këshillit të Europës të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.