Hazardi e komenton përsëri të ardhmen e tij
Dje u bë e ditur se Eden Hazardi tashmë e ka marrë vendimin përfundimtar për të ardhmen e karrierës së tij, ndërsa sot u zbulua se ai është duke e pritur momentin e duhur për ta bërë publik këtë vendim. Ai pret që kjo gjë të ndodhë së shpejti.
Drejtuesit në Stamford Bridge janë duke shpresuar se vendimi i belgut do të jetë për të qëndruar në Londër dhe për ta rinovuar kontratën me klubin e tij aktual.
Megjithatë, mediat botërore raportojnë se 28-vjeçari ka vendosur pro transferimit në Real Madridit, transferim ky që është diskutuar tash e një kohë të gjatë.
Belgu është në pritje të ofertës së “Los Blancos”, të cilët priten t’ia ofrojnë Chelseat 110 milionë euro për ta arritur një marrëveshje. Kjo shumë kishte qenë më e lartë verën e kaluar, por pasi që kontrata e Hazardit përfundon verën e vitit të ardhshëm, çmimi është ulur.
Chelsea nuk dëshiron ta shesë Hazardin pasi që ai konsiderohet si lojtari më i mirë në skuadër dhe njëri ndër lojtarët më të mirë në Premierligë. Megjithatë, belgu e ka dëshiruar transferimin në Madrid për një kohë të gjatë dhe mund ta detyrojë klubin t’ia plotësojë dëshirën.
“Tani për tani, e vetmja gjë për të cilën po mendoj është të luaj mirë për Chelsean. Kam edhe një vjet e gjysmë në kontratën time, të gjithë e dinë këtë. Vendimi im do të bëhet publik së shpejti, por kjo nuk ka ndikim te unë”, ka thënë Hazard.
“Kur jam në fushë, unë vetëm dua të luaj mirë. Do ta shohim se çfarë do të ndodhë. Nuk e di [kur do t’i tregoj Chelseat për planin tim], do ta shohim. Do ta pres momentin e duhur”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



