Heronjtë dhe vlerat
Dikur ishte problem të gje je informacion, se helbete duhet t’u futeshe librave me kokë, e për t’iu futur librave me kokë duhet kokë. Po kokën duhet ta kesh plot, po ato plot duhet të jenë tjetër gjë përveç tallashit, e kështu zgjatet diskutimi kot. Sot është plot me informacion, nga të katërta anët, nga veshët, nga sytë, nga lëkura nga çdolloj kanali dhe shqise ti bombardohesh me informacion.
E njëjta gjë po ndodh dhe me mendshitësit. Kur kam qenë shumë më i ri, mbaj mend një diskutim për një ide biznesi që duhet të krijonim. Një miku im, ndër të rrallat mendje që kam adhuruar (por ç’e do mendjen e mirë në shpirt të keq?!) tha që duhet të hapnim një dyqan mendsh. Të gjithë në ngelëm të shtangur!
-Po!, – tha, të gjithë këtu shesin mend. Mend andej, mend këndej, mend lart, mend poshtë, u dhimë në mend tha. Hape, pra, një dyqan dhe shkruaj “Shes Mend”!
Në një vend me pak mend, fallxhoret bëjnë kuvend! Kjo po ndodh sot, edhe në këtë fazë afro 30 vjet pas rënies së qoftëlargut. Më kujtohet Shqipëria e atëhershme kur nëpër rrethe vinte dikush me një xhaketë të bukur dhe njerëzit e merrnin për të huaj. Ai premtonte lloje e soje çudirash, kështu nisën firmat piramidale, kështu nisën ata që të shëronin kancerin dhe prostatën me 50 mijë dhrahmi, e ata që të hiqnin magjinë e të linin dhe gruan shtatzënë se ti nuk e lije dot vet.
Sot, pas afro 30 vjetësh kromatoze politike, sociale dhe ekonomike, ne jemi në një krizë kulturore. Njerëzit dehen nga populizma patetike dhe nga fjalime ose delirë një lloj si në 1996. Shikoj pseudointelektualë dhe gjithologë, që në gjithë këtë shoqërinë e ngritur ku të gjithë bëjnë gjoja, u mungon kufizimi i të diturit, arsyeja e profesionistit dhe humiliteti ose përulja e intelektualit dhe qytetarit. Si nuk foli një akademik për Akademinë e Shkencave, ore një dreq pedagogu nuk u shpreh?! Nuk ngeli njeri që nuk e ka haberin nga akademia pa folur … Vate kjo punë, u harrua!
Si nuk foli një pedagog, ekspert apo vetë studenti për kartën e studentit që nuk i hyn në punë as dreqit, por vetëm duartrokasin theatron e naltmadhnisë… Edhe kjo punë vate, u harrua!
Si nuk foli eksperti për sistemin zgjedhor se çfarë duhet ndryshuar a çfarë nuk shkon, por nuk ngeli spurdhjak pa dhënë mend edhe pse nuk është marrë kurrë në jetë të jetëve me atë punë… Edhe kjo punë vate, u harrua!
Si nuk foli njeri për skemën e famshme të TVSH-së së turizmit që ishte piramida e radhës?!… Edhe kjo punë vate, u harrua!
Si nuk foli për impaktin ekonomik të 700 milionë turistëve që erdhën?!… Edhe kjo punë vate, u harrua! Si nuk foli njeri për mosbarazinë e individëve në këtë vend ku për një lopë dënohesh pesë vjetë dhe për 5 të vrarë në mes Tiranës të ruan shteti?!… Edhe kjo punë vate, u harrua!
Si nuk foli njeri për mosbarazinë e biznesit, kur ti je i njerkës nuk ngelet soj e sorollop shteti me lloj-sojë gjobash si xhonturq dhe kur je i shtetit i merr të gjitha?!… Edhe kjo punë vate, u harrua!
Si nuk foli njeri për… shtoje vetë çfarë ke në mendje i dashur lexues, se me siguri të vijnë plot…
Si nuk u dëgjua në një panel televiziv dikush që nuk reciton si prej një dekade tashmë, që nuk është hapur fare diarre, ose që nuk e ka kuptuar që shpëlarja e truve e dikurshme nuk funksionon më, ose që ka një mendësi të re?
Si përherë, flasim për antivlerën dhe aspak për vlerën. Edhe kur flasin për biznesmenë, për shembuj marrim lloje e soje horri, saqë perceptimi i të rinjve për sipërmarrësit është më i neveritshmi. Në Amerikë, një i tillë mbahet për shenjtor. Edhe kur flasin për ide, flasin për ide kaps se mendojnë se u krijua bota sot që u ftilluan barbarët. Edhe kur flasin për pedagogë, dëgjohen përherë ata pseudo, që nuk kanë lëçitur një faqe dhe janë bërë me grada me lloj-sojë plagjiaturash. Edhe kur flasin për LGBT, nuk ua ndjen për të drejtat e tyre, por të gjithë këta surretër që flasin janë mekanizma fondesh e skemaxhinj pastrimi parash.
Artistët tanë janë (nuk e kam fjalën për brezin e artistëve që bëjnë humor lacash dhe vijnë nga rruga) më të mirë se ata të Hollivudit. E di pse? Sepse artistët tanë ngelën duke vdekur në skenë, ndërsa ata të Hollivudit vdesin milionerë në ndonjë plazh të mirë…
E çfarë se i kemi më të mirë? Si vdiq në skenë Aleko Prodani (legjendë), vdiq Muhameti (legjendë) dhe as dy rreshta nuk u thanë për të dy, bën 4 dekada shqiptarësh për të qeshur. Katër dekada! Hapi veshët dhe më dëgjo mirë, i dashur lexues! Disa prej jush mezi jetojnë katër dekada! Të dy kishin aq shpirt sa na bënin për të qeshur.
Mirëpo, horrllëku politik as dy rreshta nuk i kushtoi, media e humbëtirës as një selam nuk i dërgoi dhe kështu ikën heroi i radhës shqiptar. E mos thoni që nuk ka heronj këtu pastaj.
Sot që flasim, një teatër nuk kanë, jo vetëm në Tiranë, por gjetiu gjithashtu. Në atë të Tiranës janë turr kuçedrat e me durim të madh, tinëzari të paparë e hipokrizi Makbethiane do ta kullandrisin për hesap të tyrin. Heronjtë po i vrasin në heshtje dhe me duart e tyre e nga krahu tjetër po promovojnë antivlerën, sipërfaqësoren, cinizmin… Një pordhë të bëjë Noizy dhe kryelali e nxjerr me vrap si artist të popllit. Po, po! – Popllit, se me popullin nuk kanë lidhje.
Sot që flasim, ka ardhur një pikë që njerëzit besojnë se është bërë aq keq sa duhet të besosh diçka, se nuk ka ngelur gjë për të besuar e ndaj duhet patjetër të besosh diçka. Pra, është pika që nëse njerëzit kanë dy të këqija përballë do të zgjedhin më të voglën…
E di?! M’u bë vetja si i vjetër! Për një moment imagjinova veten në të ardhmen dhe u shtanga.
Pashë një ish profesor që dikur ka qenë shumë energjik, karizmatik, i paheshtur, deri në karagjoz, i brezit të artë të viteve 90′, ndër studentët që protestuan pa u trembur atëherë dhe ndër të pandreqshmit që nuk u vunë kurrë në rresht nga partia sot….
Dikur ai nuk merrte leje, fliste çfarë i thoshte shpirti, vishesh si ia kishte ënda, hokatar si t’i donte xhani, i arsyeshëm deri në absurd, përherë renegad që bënte dallimin. Mendova, edhe unë si ky jam? Uroj që po… faktikisht besova se po, madje një version më i sofistikuar i tij…
Mirëpo, kur e pashë sot të kalonte rrugën si t’u merrte leje atyre që kalonin, atyre me makina, madje i mori leje dhe vetë rrugës për të kaluar matanë… U tremba! E pashë që mosha kish bërë të veten dhe aty vura re sa vite kishin kaluar. Desha ta ndaloja e t’i thosha: “Profe, vetëm koha të mundi?” Ajo, vetëm ajo të mund, është më putana e të gjithave! Shpirtrat e mëdhenj vetëm ajo i vret! Asgjë tjetër, asgjë!
Kur shikoj armata të rinjsh në moshë dhe jo vetëm, që nuk e kuptojnë akoma se vetëm koha të mund e asgjë tjetër, më lindin disa pyetje në gulçim e sipër. Çfarë pret? Pse shitesh? Pse jep shpirtin? Pse e nxin fytyrën? Pse nuk beson në vete? Pse nuk punon fort për veten? Pse nuk punon fort për trashëgiminë që do të lësh pas vetes? Pse nuk ke nder? Pse nuk ke një bosht vlerash? Pse nuk i shikon heronjtë që janë këtu? E kupton që asgjë nuk të ndalon në botë? Asgjë!
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




