Hipokrizia e Deputetëve : Flasin për varfërinë, por përfitojnë miliona për “komoditetet” e tyre

Është tragjike dhe ironike që deputetët shqiptarë, të njëjtët që bëjnë denoncime teatrale për varfërinë dhe pagat e ulëta të qytetarëve në seancat plenare, janë po ata që çdo muaj mbushin xhepat me miliona lekë nga buxheti i shtetit. Hipokrizia është ulëritëse: në publik luajnë rolin e “shpëtimtarëve të popullit”, ndërsa pas kuintave ndajnë dietat, rimbursimet dhe benefitet, duke siguruar komoditete që qytetari i zakonshëm nuk i imagjinon dot.
Miliona për “shërbime”, ndërsa populli vuan
Sipas shifrave të publikuara nga Kuvendi, vetëm gjatë muajit tetor, përfitimet jashtë pagave për deputetët arritën në mbi 22 milionë lekë të reja, një shumë që është fyese për qytetarët që luftojnë për të mbijetuar me paga minimale. Çdo deputet merr mesatarisht mbi 5 milionë lekë të vjetra në muaj, nga paga dhe përfitime të tjera si dieta, rimbursime karburanti, qira banese dhe hotele.
Dhe këto nuk janë thjesht të drejta ligjore; ato janë tërësisht abuzive:
•Rimbursim karburanti dhe dieta për deputetët që nuk kanë shkelur kurrë në zonat e tyre elektorale.
•Pagesa për qira banese dhe hotele, ndërsa shumë prej tyre posedojnë apartamente dhe makina personale.
Deputetë që jetojnë për “qejf” dhe jo për përgjegjësi
Është e njohur për të gjithë që shumë deputetë të rretheve kanë shtëpi në Tiranë dhe nuk kthehen kurrë në zonat e tyre elektorale. Ata të Tiranës që janë zgjedhur në rrethe, nuk kanë shkelur asnjëherë atje. Por kur vjen muaji, të gjithë janë në një garë për të marrë sa më shumë rimbursime.
Marrin 40 mijë lekë të reja karburant për udhëtime që nuk i bëjnë kurrë dhe deri në 1.5 milionë lekë të vjetra për dieta, pa folur për pagesat e qirave dhe hoteleve që shpesh janë thjesht një skemë tjetër përfitimi.
Një mesazh i qartë për qytetarët: ju vuani, ne përfitojmë
Këta janë të njëjtët deputetë që nuk kanë asnjë problem të ngrenë zërin për “të drejtat e popullit” dhe “varfërinë që po e mbyt Shqipërinë”, por harrojnë që janë ata vetë simboli i abuzimit dhe padrejtësisë. Ndërkohë që pensionistët jetojnë me 15 mijë lekë të reja në muaj, këta marrin shuma marramendëse për të mbuluar luksin e tyre.
Të gjithë njësoj: Nga PD tek PS dhe PL
Dhe këtu nuk ka rëndësi nëse janë të majtë apo të djathtë. Të gjithë ndajnë të njëjtën etje për përfitime, duke e treguar qartë që për paratë janë të bashkuar. Partia Demokratike, Socialiste, e Lirisë apo cilado tjetër: kur vjen puna te privilegjet personale, nuk ka as ndarje ideologjike dhe as luftë politike.




Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



