Historia dhe Teoria e Katërt Politike e Duginit
Gjergj Totozani
Aleksandër Dugini konsiderohet si filozofi dhe gjeostrategu më i debatueshëm i kohës sonë. Tezat e tij tepër të qarta dhe të drejtëpërdrejta kanë ndikuar që shumë intelektualë perëndimorë të reagojnë duke mos qenë dakort. Njohës dhe folës i dhjetë gjuhëve të huaja, profesor në Universitetin Shtetëror të Moskës, Dugini nga shumë intelektualë dhe shkolla mendimi, etiketohet si ideologu i politikës së jashtme ruse, pavarësisht se personalisht në daljet e tij publike ai i ka mohuar gjithmonë lidhjet me politikat dhe ideologjitë e shtetit të tij. Tezat e tij më thelbësore, ai i ka paraqitur në veprën e tij Teoria e Katërt Politike.
Sipas tij, historia njerëzore dhe politike ka njohur tre ideologji të mëdha: 1. Liberalizmi, qoftë ky i majtë apo i djathtë. 2.Komunizmi, përfshirë marksizmin dhe socializmin. 3. Fashizmi,duke përfshirë nacional-socializmin. Sipas Duginit këto alternativa historike janë të dështuara dhe për këtë arsye,nevojitet hartimi i një ideje të re të cilën ai e quan Teoria e Katërt Politike. Sipas Duginit, kjo ide duhet të korrigjojë ideologjitë e mëparshme historike dhe të marrë konceptet më të mira politike, ekonomike,fetare,filozofike dhe sociologjike duke i vendosur në dispozicion të njerëzimit.
Dugini kritikon vështrimin historik që kanë mbi zhvillimin e shoqërisë, liberalët klasikë, të cilët e shikojnë zhvillimin e shoqërisë njerëzore si një shkallë të zhvillimit të botës shtazore, duke bërë në këtë mënyrë një lidhje midis botës shtazore dhe zhvillimit shoqëror (Herbert Spencer). Këto teza do të bëheshin baza të asaj që u quajt ²Darvinizëm Shoqëror².
Ai del hapur kundër idesë së globalizmit unipolar. Sipas tij, ajo bazohet në idenë se historia dhe vlerat e Perëndimit, pavarësisht se janë vlera periferike dhe lokale, paraqiten si universale dhe artificialisht mundohen të ndërtojnë një shoqëri globale bazuar në këto vlera. Vlera si demokracia, tregu, parlamentarizmi, kapitalizmi, të drejtat e njeriut, zhvillimi i pakufijshëm teknologjik etj, nuk duhet ti imponohen kulturave të tjera të cilat kanë historinë e tyre tradicionale dhe vlerat e tyre origjinale të krijuara në rrjedhën e shekujve. Sipas tezës së Duginit,globalizmi nuk është gjë tjetër veçse modeli europiano-perëndimor apo etnocentrizmi anglo-sakson i cili synon që të ²gëlltisë² të gjithë pjesën tjetër të botës brenda tij.
Në Teorinë e Katërt Politike, ai cek edhe faktorin ²teknologji².Në lidhje me këtë të fundit, thekson se në shoqërinë e sotme vëmë re një zhvillim të paparë teknologjik, krahas një degradimi të pabesueshëm moral, teknologjia e pakontrolluar, po e kthen njeriun gjithmonë e më shumë në një krijesë mekanike.
Në vetvete ideologjia e progresit është raciste. Ideja se e tashmja është gjithmonë më e mirë se e kaluara, dhe se e ardhmja, do jetë gjithmonë më mirë se e tashmja, sipas Duginit është një ide diskriminuese. Një ide e tillë është një diskriminim për të gjithë njerëzit që kanë lindur në të kaluarën, një poshtërim për nderin dhe dinjitetin e paraardhësve tanë.
Si rezultat i modernizimit liberal globalist, tradita, feja,hierarkia, familja etj, me vlerat që përfaqësonin, u pëmbysën në agim të epokës moderniste. Sipas Duginit, njeriu modern nuk është antifetar por është indiferent ndaj fesë.
Në Teorinë e Katërt Politike, Dugini mbështet idenë se e vetmja mënyrë për të ndërtuar një botë multipolare me themele në vlera autentike është që të ruhet sovraniteti gjeopolitik i fuqive të kontinentit Euraziatik si Rusia, Kina, Irani dhe India. Në këtë pikë ai do të ndeshej me shumë intelektualë dhe filozofë perëndimorë me ide liberale dhe globaliste. Ndër më të njohurit veçojmë Bernard Henry Levy-in, francez me origjinë hebrejedhe nga shumëkush i konsideruar si intelektuali më në zë i Francës së sotme. Sipas Levy-it, Shtetet e Bashkuara dikur ishin shpresa e botës, një fener i lirisë dhe mbrojtës i demokracisë liberale. Kombet dhe popujt në të gjitha kontinentet panë nga Amerika për të dalë në vlerat që krijuan botën Perëndimore dhe për të kundërshtuar autokracinë dhe shtypjen. Edhe kur Amerika nuk u përmbahej idealeve të saj, ajo përsëri e njohu rëndësinë e tyre, brenda dhe jashtë vendit.
Sipas Levy-it, historia e vlerave liberale dhe e përçimit të këtyre vlerave me anë të globalizmit është më e mira që mund ti ndodhë botës dhe njerëzimit. Nqs Amerika tërhiqet nga roli i saj udhëheqës tradicional, në vend të saj do të vijnë fuqi ambicioze për të pohuar përparësinë dhe ndikimin e tyre. Levy tregon në librin e tij të njohur ²Perandoria dhe Pesë Mbretërit² se si shtete, qytetërime dhe ideologji gjithmonë në rritje si : Rusia, Kina, Turqia, Irani dhe Islamizmi radikal sunit – po ndërmarrin hapa për të minuar vlerat liberale që kanë qenë një shenjë dalluese e civilizimit perëndimor. Idetë e tyre, Dugini dhe Levy, i kanë pasqyruar jo vetëm në distancë por edhe ballë për ballë njëri-tjetrit.
Duke u rikthyer te Dugini, në librin e tij, Teoria e Katërt Politike, ai pohon se kjo teori refuzon çdo lloj force racizmi bazuar në etni, fe, shoqëri, teknologji, kulturë ekonomi.Shoqëritë mund të krahasohen, por nuk mund të jemi në gjendje të themi se njëra qëndron objektivisht më lart se tjetra.
Dugini gjithashtu, e vendos konceptin e etnosit apo etnisë si vlerën më të madhe të Teorisë së Katërt Politike. Në dallim nga ideologjia historike liberale, Teoria e Katërt Politike, mbështet konceptin e lirisë njerëzore si e drejtë natyrore dhe jo lirinë e individit të dhënë nga koncepte kulturore etnocentrike. Teoria e Katërt Politike, gjithashtu, bën thirrje të kthehet teologjia si shkenca e studimit të fesë. Drejtësia shoqërore, sovraniteti kombëtar, vlerat tradiconale, janë tre principet e mëdha mbi të cilën ngrihet kjo teori e cila, duhet thënë që është gjithmonë në evoluim të vazhdueshëm.
Kjo teori, mëton të huazojë elementet më të mira nga e majta politike, si psh, drejtësia shoqërore, duke refuzuar ateizmin dhe materializmin. Ndërsa nga e djathta bën të vetën konservatorizmin, traditën, patriotizmin duke refuzuar ksenofobinë dhe racizmin.
Në thelb, Dugini me teorinë e tij, kërkon multipolariet dhe bashkëpunim me perëndimin. (Këtu vlen të përmendim mikëpritjen që ai i bëri fitores së Trumpit si mundësi dialogu).Ai nuk kërkon të zëvendësojë një superfuqi atlantike me një superfuqi euraziatike, por kërkon demokratizim të pushtetit botëror dhe dialog në vendimarrje. Për të, çdo popull duhet të qeveriset sipas traditës së tij dhe askush nuk duhet të imponoi mënyrën e vet të jetesës tek të tjerët.
Historia e qytetërimeve duhet të jetë një histori respekti reciprok ku palët duhet të marrin më të mirën nga njëra-tjetra dhe politika e ditës duhet ti shuaj konfliktet dhe jo ti ndezë akoma më tej. Jo vetëm Dugini me intelektualët perëndimor, por çdo intelektual i kujtdo shteti qoftë, kulture apo feje, duhet të vendosë urat e komunikimit sepse njerëzit nuk u krijuan të ndryshëm që të përplasen me njëri-tjetrin, por që të njihen me njëri-tjetrin.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




