Hong Kong: Avioni përfundon në det, dy viktima të konfirmuara
Një avion transporti mallrash është përfshirë në një aksident të rëndë në orët e para të mëngjesit të së hënës në aeroportin ndërkombëtar të Hong Kongut, duke shkaktuar vdekjen e dy personave dhe plagosjen e disa të tjerëve.
Sipas autoriteteve të aviacionit civil, bëhet fjalë për një Boeing 747 me ngjyrat e ACT Airlines, që po operonte një fluturim për Emirates Cargo nga Dubai. Avioni, pas uljes, ka devijuar nga pista veriore dhe është përplasur në det, pranë mureve mbrojtëse të pistës.
Fotot e para të publikuara tregojnë një skenë dramatike: trupi i avionit i ndarë në dy pjesë, me pjesën e përparme të zhytur në ujë dhe me ngjyrat e bardhë e jeshile karakteristike të linjës turke ACT Airlines, e njohur për operimin e fluturimeve cargo për kompani të tjera ndërkombëtare.
Në bord ndodheshin katër anëtarë ekuipazhi, të cilët fatmirësisht janë shpëtuar nga ekipet e emergjencës. Por dy punonjës të aeroportit, që ndodheshin në afërsi të pistës, humbën jetën menjëherë pas përplasjes, ndërsa një tjetër u raportua fillimisht si i zhdukur.
Departamenti i Aviacionit Civil të Hong Kongut deklaroi se hetimet kanë nisur për të përcaktuar arsyet e devijimit të avionit nga pista. Aktualisht pista veriore është mbyllur, ndërsa dy të tjerat vazhdojnë operimin normal. Autoritetet thanë se trafiku ajror nuk pritet të ndikohet ndjeshëm.
Në një deklaratë për mediat, Emirates konfirmoi se fluturimi EK9788 “pësoi dëmtime gjatë uljes në Hong Kong”, por se “nuk kishte ngarkesë në bord”. Kompania sqaroi gjithashtu se avioni ishte me qira nga ACT Airlines (Air ACT), me bazë në Stamboll.
Ekipet e shpëtimit dhe inxhinierët e aviacionit ndodhen në terren për të nxjerrë mbetjet e avionit dhe për të rindërtuar dinamikën e ngjarjes, ndërsa pritet që Boeing dhe autoritetet turke të përfshihen në hetim.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



