Në të gjithë vendin sot në Itali është mbajtur një minutë heshtje për viktimat që kanë humbur jetën nga Covid-19.
Homazhi është mbajtur sot në orën 12:00 dhe iniciativa është nisur nga kryetarët e bashkive dhe më pas është shtrirë në qindra mijëra institucione të tjera.
Flamuri italian në gjysmështizë është shfaqur në të gjitha ndërtesat publike. Të gjitha institucionet kanë ndaluar gjithçka këtë mesditë për të mbajtur zi. Pas presidencës e cila ishte e para që iu bashkua kësaj iniciative, pjesë e saj është bërë edhe Vatikani në shenjë solidarizimi.
“Sot, në solidaritet me Italinë, Selia e Shenjtë do të ulë flamujt e tyre në gjysmën shtizë duke mbajtur zi, dhe duke shprehur ngushëllimet tona për viktimat e pandemisë në Itali dhe në botë, për familjet e tyre dhe atyre që përpiqen kaq shumë ta mposhtin këtë virus”, tha Vatikani në një deklaratë.
Italia aktualisht shënon 11 591 të vdekur, 101739 persona të prekur me koronavirus,dhe renditet një nga vendet më të prekura ku pandemia çdo ditë vijon të përhapet më shumë.



