Ilir Meta nuk është çmendur, ai është zënë në çark

Teoritë konspirative, sipas të cilave ish-Presidenti është çmendur, nuk qëndrojnë…

Kjo nuk është hera e parë që Ilir Meta, ish-President, ish-Kryeministër dhe ministër, ish-Kryetar Kuvendi, dalldis.  Kjo nuk është hera e parë në karrierën e lartë politike të Ilir Metës që del e bërtet, bën si i çartur nga mend e kokës dhe flet me fjalor e gjeste të paarsyeshme për logjikën normale.

Ilir Meta e ka bërë edhe më parë këtë dhe po t’i kthehesh historikut të jetës së tij politike, precedentëve që ai ka krijuar, do të gjesh edhe raste të tjera të ngjashme. Ndryshimi është që kësaj here, përveçse çartur, Ilir Meta është tërbuar.

Kjo do të thotë se teoritë konspirative, sipas të cilave ish-Presidenti është çmendur, nuk qëndrojnë.

Arsyeja që e ka dalldisur deri në ditën që të shfaqet, siç u shfaq në konferencën e djeshme, duke sharë e mallkuar, kërcënuar e tundur gishtin, me fjalor të papranueshëm, është tjetër: Ai është zënë në çark dhe e di tashmë se koha i ka mbaruar.

Kapitulli Meta është mbyllur në Shqipëri dhe kjo është koha e llogaridhënies për të. Ajo që njerëz si Ilir Meta, Sali Berisha dhe në një të ardhme të afërt, Edi Rama dhe të vetët, nuk e besonin kurrë se do të ndodhte, po ndodh. Me dyshimet (e arsyeshme dhe të provuara), për një Drejtësi të Re, që çalon shumë në disa vende dhe personazhe tipikë krimi që duhet të ishin në burg tashmë, mekanizmi i drejtësisë është vendosur në punë dhe, ose do t’i japë fund kësaj kaste kriminale që ka hedhur rrënjë të thella për më shume se 30 vjet, ose Shqipëria do të shpërbehet për të humbur përfundimisht në rrugën e historisë së saj fatkeqe.

Kjo është arsyeja që Ilir Meta ka dalë nga kontrolli.

Gjuha e trupit, fjalët, sjelljet dhe gjithçka tjetër tregojnë se ai e di tashmë, se nuk ka shpëtim. Ai po përplaset nga një cep, në cepin tjetër, të një çarku që e ka mbyllur hyrjen dhe ai nuk ka nga shkon.

Përballë kësaj të vërtete, për të qenë krejtësisht të ndershëm mbi realitetin aktual shqiptar, duhet të pranojmë edhe disa fakte të tjera, për të cilat ne kemi shkruar e folur vazhdimisht:

– Altin Dumani ka shumë hije të zeza mbi spektaklin për drejtësi që po jep kohët e fundit. Fakti që merret vetëm me drejtues të niveleve të ulëta e nuk ia mban ti shkojë në zyrë Kryeministrit për ti kërkuar llogari për Vendimet e paligjshme që ka marrë, e bën personazh të dyshimtë dhe, pse jo, të blerë nga kryeministri. Deri sa ai ta sqaroje këtë pozicion, është i pabesueshëm për drejtësinë e tij.

-Altin Dumanit nuk ja mbajti t’i shkojë deri në fund çështjes së inceneratorëve. Dumani i drejtësisë është i dyshimtë dhe i përlyer.

-Altin Dumani duhet t’i lërë dënglat me akuza të llojit “shpërdorim detyre” apo “shkelje administrative” për kokat e krimit (që kanë edhe pushtet) dhe të merrte me drejtësi të re. Ilir Beqja e ka vendin në burg; Ogerta Manastirliu pas tij, gjithashtu; Belinda Balluku nuk mund të fshihet përjetësisht, por duhet të japë llogari; Olta Xhaçka nuk dihet se çfarë shkeljesh më të mëdha se ato që ka bërë, duhet ti provohen për të dalë përpara drejtësisë.

Lista është e gjatë dhe për sa kohë është e tillë,  Altin Dumani nuk ankohet dot për fjalorin që Ilir Meta ka përdorur kundër tij.

Por natyrisht kjo nuk e bën burrë më të mirë Ilir Metën dhe çartjen e tij nuk e justifikon dot me një raport mjekësor që e shpall “të çmendur”.

Ilir Meta nuk është i çmendur, kjo është pak, por e sigurt. Mund të ketë lajthitur, por jo për ndonjë arsye tjetër, përveçse faktit se ka ngecur, i zënë në çark dhe e di tashmë se koha e tij ka marrë fund dhe s’ka fat tjetër përveç hekurave./Pamfleti

Publikuar nga Publik Media