E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Inceneratorët si kopila të krimit shtetëror
Lajme

Inceneratorët si kopila të krimit shtetëror

Nga Klodian Tomorri / Një burrë përdhunon një grua. Policia mbërrin në vendngjarje teksa akti i përdhunimit është duke u konsumuar, por nuk ndërhyn. Pret derisa autori ta çojë deri në fund përdhunimin sipas parimit; tani që hyri ta ndihmojmë dhunuesin të arrijë orgazmën. Ndjesë për banalitetin, por kjo është ajo që po bën qeveria me inceneratorët. Në këtë rast përdhunuesit janë pronarët e inceneratorëve, ndërsa viktima që po përdhunohet është publiku.

Vazhdimi i pagesave nga buxheti për inceneratorët, teksa pronarët e tyre janë në kërkim është një gafë e paprecedentë ligjore e atyre që po e bëjnë. Arsyet se po e bëjnë meritojnë të hulumtohen. Ndoshta nuk e dinë se çfarë janë duke bërë, ose ndoshta kanë arsye të tjera. Por financimi i inceneratorëve tani është thellim i krimit dhe përfshirje e të gjithë shtetit në krim.

Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku justifikohen se shteti ka detyrime kontraktuale ndaj koncesionarit dhe se ndërprerja e pagesave do ta ekspozonte qeverinë përballë arbitrazhit. Por ky është një absurd i madh.

Nga ana juridike një kontratë korruptive është “void ab initio”. Pra një veprim juridik që nuk ka asnjë vlerë, që nga fillimi. Koncesionet e inceneratorëve kanë rënë. Rrjedhimisht çdo detyrim apo angazhim kontraktual që e lidh qeverinë me koncesionarin tashmë është nul.

Dhe ka një precedent shumë të freskët për këtë. Afera e Unazës. Kur u zbulua falsifikimi i firmës së sekretarit të shtetit në Delaware, qeveria e kishte lidhur kontratën me kompaninë DH Albania për ndërtimin e mbikalimit. Por sapo shpërtheu skandali, ARRSH u detyrua ta anullojë menjëherë kontratën. Nuk guxoi askush të financonte qoftë edhe një qindarkë.

Llogjika që qeveria po përdor për inceneratorët sot, është njësoj sikur të financohej mbikalimi i unazës me argumentin se ishte lidhur kontrata dhe vepra ishte ajo e duhura që do të zgjidhte trafikun. Por pse DH Albania nuk shkoi në arbitrazh kur ARRSH anulloi kontratën e unazës? Sepse nuk ka gjykatë në botë që të kërkojë respektimin e një kontrate korruptive.

Së dyti, argumenti tjetër i qeverisë se veprat janë ndërtuar dhe tani i përkasin qytetarëve është po ashtu një absurd tjetër i madh. Madje kryeministri shkon deri aty sa të thotë se është krenar për inceneratorët. Por ka një pyetje që e lëkund fort krenarinë e qeverisë.

Nëse pronarëve të inceneratorëve u kanë dalë paratë që të paguajnë bakshishe, ashtu siç thotë prokuroria, me çfarë çmimi janë ndërtuar inceneratorët? A mundet një qeveri të jetë krenare për një vepër, e cila sipas prokurorisë, u ka kushtuar qytetarëve shumë më tepër se sa kostoja e saj reale?

Dhe e gjitha kjo që po ndodh lëkund seriozisht edhe alibinë e fundit të qeverisë. Atë që korrupsioni është individual. Vazhdimi i pagesave për inceneratorët pasi ata janë në sekuestro është në fakt përfshirje e të gjithë shtetit në krim.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.