Intimidimi dhe dhuna nuk janë mjete të ligjshme të marrjes së dëshmisë!
Juristi dhe ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka ngritur një akuzë të fortë ndaj mënyrës se si SPAK dhe BKH zhvillojnë seancat e pyetjeve në ambientet e tyre të mbyllura. Manjani thotë se nuk ekziston asnjë garanci ligjore që personat e pyetur nuk i nënshtrohen presionit psikologjik.
“Në këto dhoma të mbyllura, kush garanton se i pyeturi nuk dhunohet psikologjikisht? Kush garanton se dëshmia e dhënë aty, pa kamera dhe pa praninë e avokatit, është e ligjshme, autentike dhe e dhënë me vullnet të lirë? Përgjigja është se deri më sot ASKUSH!”, shkruan ai.
Sipas Manjanit, situata është aq e rëndë sa “me këto dëshmi njerëzit shkojnë në gjyq e dënohen”, ndonëse ato mund të jenë marrë nën kushte intimidimi. Ai thekson se ekzistojnë raste konkrete kur persona në sallën e gjyqit kanë deklaruar se janë mashtruar, frikësuar ose u janë bërë premtime për favore penale.
“Na trego ti këtë që duam ne dhe të ndihmojmë të dënohesh pak ose aspak” — është një frazë që, sipas tij, dëgjohet shpesh. Manjani e quan këtë praktikë “dhunë të paligjshme, jo drejtësi”.
Ai shkon më tej duke përshkruar një realitet që i ngjan “mjedisit të një policie sekrete”, ku liritë dhe garancitë e qytetarëve “shumëzohen me zero”.
Për këtë arsye, Manjani kërkon një ndërhyrje të menjëhershme ligjore nga Parlamenti i Shqipërisë:
“Duhet të ndalojë pyetja e personave pa siguruar regjistrim audio dhe video. Absolutisht çdo gjë duhet të rregjistrohet! Çdo kush që pyetet duhet të informohet për të drejtat që ka — edhe të heshtë, edhe të kërkojë avokat. Përndryshe dëshmia duhet të konsiderohet e paligjshme dhe e papërdorshme.”
Ai paralajmëron se mënyra aktuale e funksionimit nuk ka lidhje me procesin e rregullt ligjor:
“Kjo që po ndodh ngjan si dy pika uji me hetuesinë komuniste!”
Manjani kërkon që Parlamenti të vendosë urgjentisht detyrimin ligjor dhe buxhetor për regjistrim të detyrueshëm të çdo seance marrjeje dëshmie në SPAK dhe BKH, si mënyra e vetme për të garantuar të drejtat themelore të qytetarëve.
Postimi i plotë:
Ka një pyetje të përhershme që ngrihet pas çdo seance pyetjesh që bëhet në dhomat e mbyllura të SPAK dhe BKH:
Kush e garanton se i pyeturi nuk dhunohet psikologjikisht?!
Kush garanton se dëshmia e dhënë aty, pra pa kamera dhe pa praninë e avokatit është e ligjshme, autentike dhe e dhënë me vullnet të lirë e të pandikuar nga asnjë formë presioni?!
Përgjigja është se deri më sot ASKUSH!
Mirëpo me këto dëshmi shkohet në gjyq e dënohen njerëz!!!!
Kjo është një situatë tjetër e rëndë dhe shumë e rëndë që ekspozon 100% liritë, të drejtat e garancitë e personit të pyetur në këto kushte, përpara abuzimit me të drejtën e prokurorisë për të pyetur persona që kanë dijeni.
Për shkak të punës së përditshme, dëgjojmë raste të shpeshta intimiduese, që bëhen më së shumti nga ana e oficerëve të BKH. Të krijohet ideja e një mjedisi policie sekrete ku liritë dhe garancitë shumëzohen me zero. Në fakt as në polici nuk duhet të ketë seanca pyetjesh të tilla!
Kemi patur edhe raste që në sallën e gjyqit kanë dëshmuar persona se u janë marrë dëshmitë e para nën intimidim, ose edhe në premtime mashtruese për favorizim në ndjekje penale.
“Na trego ti këtë që duam ne dhe të ndihmojmë të dënohesh pak ose aspak”!!! E dëgjojmë jo pak herë këtë gjë…
Kjo miqt e mi quhet dhunë e paligjshme, jo drejtësi.
Prandaj duhet sa më parë të ndalojë pyetja e personave pa siguruar që në mjediset e caktuara për këtë punë të ketë kamera dhe mikrofonë të dukshëm ku të rregjistrohet çdo gjë. Absolutisht çdo gjë!
Dhe çdo kush që pyetet duhet ti bëhen prezent të drejtat që ai ka. I pyeturi ka të drejtë edhe të heshtë dhe të kërkojë ndihmën e avokatit madje.
Në të kundërt dëshmia duhet të konsiderohet e paligjshme dhe për pasojë e papërdoshme!
*
Ky sugjerim i shkon në fakt Parlamentit të Republikës që të ndërhyjë menjëherë në ligj dhe të caktojë buxhet për rekordet audio dhe video të dëshmive.
E përsëris, kjo që po ndodh nuk ka lidhje me proçesin e rregullt ligjor. Kjo ngjan si dy pika uji me hetuesinë komuniste!
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



