E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Investigimi për inceneratorët/ Qeveria e dinte që në 2017 aferën e plehrave, si u paguan miliona!
Publik News

Investigimi për inceneratorët/ Qeveria e dinte që në 2017 aferën e plehrave, si u paguan miliona!

Koka – Rama

Arrestimi nga SPAK-u i ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, për aferën e inceneratorëve ka ndezur një debat të fortë në vend për shkak të shumave të mëdha të parave të paguara, kontratave afatgjata dhe abuzimeve me detyrën. Pavarësisht se Kryeministri Edi Rama deklaroi se përgjegjësia e atij që firmos dhe shkel ligjin është individuale, opozita e fajëson drejtpërdrejtë atë, pasi sipas saj, 17 vendime brenda një dite nga qeveria nuk mund të bëhen nga një ministër i vetëm.

1

Opozita nisi denoncimet e saj që herët, ndërsa qeveria e mbronte këtë mënyrë trajtimi të mbetjeve si më produktivin. Por, duke iu referuar një shkrimi investigativ me titull “Një dështim i suksesshëm”, i gazetarit Artan Rama për projektit “Raportimi i Krizave në EJL”, të zbatuar nga Rrjeti i Europës Juglindore për Profesionalizimin e Medias (SEENPM) në shtator të 2017, kupton që qeveria ishte në dijeni të skemës korruptive të inceneratorëve. Në shkrim thuhet se “Tri kompanitë që përfituan paratë për ndërtimin dhe menaxhimin e tre inceneratorëve, të Elbasanit, Fierit dhe Tiranës, kishin të njëjtën adresë, zyrën 13/2 në katin e 13 të “Sky Tower” në Tiranë, dukë dhënë hollësi për mënyrën si u përfituan kontratat dhe u vodhën paratë.

Ajo që bie në sy në këtë shkrim investigativ është fati që qeveria e dinte që kjo skemë është abuzive nga e cila do të përfitohen miliona euro, por përsëri vijoi pagesat edhe në vitet e tjera përmes skemës së preferuar partneritetit publik privat. Në këtë investigim thuhet se kjo është edhe arsyeja pse qeveria ndryshoi edhe Strategjinë e Mbetjeve Kombëtare të miratuar në vitin 2011 ku incenerimi, pra djegia e kontrolluar mbetjeve, klasifikohet në fund të hierarkisë së menaxhimit të mbetjeve, pas ripërdorimit, ripërtërimit dhe riciklimit.

ARTAN RAMA

“NJË DËSHTIM I SUKSESSHËM”

Gjatë dekadës së fundit, Shqipëria e ka dyfishuar sasinë e mbetjeve. 70 për qind e tyre groposet. Ndarja në burim, pothuajse nuk ekziston dhe niveli i riciklimi është i ulët. Nga dymbëdhjetë venddepozitime mbetjesh të premtuara, deri tani janë ndërtuar vetëm dy. “Landfill”-i më i madh i vendit, Sharra, është i kontaminuar dhe jashtë afatit. Nëse do të flisnim për suksese, vetëm dy mund të konsiderohen të tilla: paratë e shpenzuara dhe dështimi i autoriteteve për të menaxhuar mbetjet! Kësisoj, në Shqipëri, gjithçka po nis nga e para. Në dhjetë vitet e fundit, sasia totale e mbetjeve në Europë, ka zbritur në 6 për qind, por në Shqipëri është dyfishuar. E kapur në panik, qeveria vendosi t’i djegë! Për herë të parë, ajo aprovoi ndërtimin e tre inceneratorëve, fillimisht në qytetin e Elbasanit, më pas në Fier, së fundi, muajin e shkuar, në Tiranë, natyrisht, sipas metodës së preferuar të saj: Partneritetit Publik Privat. Por, ajo që për zyrtarët publikë është një zgjidhje, për ekspertët dhe grupet e interesit është një vendimmarrje gabuar, problematike e madje, korruptive. “Le të na thotë vendimmarrësi se ku është bazuar për këtë zgjedhje”, thotë ekspertja mjedisore, Marianthi Guri. “Të na tregojë se cilit studim i është referuar”.

Strategjia Kombëtare e Mbetjeve është miratuar në vitin 2011 dhe incenerimi, pra djegia e kontrolluar mbetjeve, klasifikohet në fund të hierarkisë së menaxhimit të mbetjeve, pas ripërdorimit, ripërtërimit dhe riciklimit. Sipas Strategjisë, radha e investimeve është në përputhje me hierarkinë e mbetjeve. Por në pamundësi për të respektuar hierarkinë, zyrtarët po ndryshojnë strategjinë. “Pamjaftueshmëria financiare e bëri të parealizueshme këtë strategji. Objektivat e mëparshme ishin tepër ambicioze për kushtet tona”, thotë një zyrtare e lartë në Ministrinë e Mjedisit. Por, ndonëse në pamjaftueshmëri financiare, qeveria sidoqoftë, shpenzoi miliona nga buxheti në favor të koncesioneve të incenerimit. Për inceneratorin e Elbasanit u shpenzuan rreth 22 milionë euro. Pesë milionë euro më shumë u shpenzuan për inceneratorin e Fierit, ose rreth 50 milionë së bashku. Paradoksalisht, qeveria po kërkon të hartojë një strategji të re, pasi vendimet janë marrë. Shqipëria e humbi betejën me riciklimin dhe qeveria i ra shkurt: vendosi t’i djegë. Shqipëria nuk ka asnjë program për zvogëlimin dhe riciklimin e mbetjeve.

ZYRA 13/2

Në verën e vitit 2014, themeluesja e “Albtek Energy” sh.p.k., Stela Gugallja, u ngjit në katin e trembëdhjetë të godinës “Sky Tower” në Tiranë dhe regjistroi zyrën me numër 13/2 si adresë të kompanisë së sapoformuar. Pastaj, u ul e shkruajti një letër në adresë të qeverisë. Ishte kërkesa e parë dhe kërkonte ngritjen e një inceneratori në qytetin më të ndotur të Shqipërisë, në Elbasan. Pas pak javësh, “Albtek Energy” u shpall “fituese” e një gare pa konkurrentë, me vlerë rreth 22 milionë euro dhe nënshkroi me qeverinë kontratën e bashkëpunimit për ndërtimin e inceneratorit në Elbasan. Por, Zyra 13/2 strehonte njëkohësisht edhe një tjetër kompani, “Integrated Technology Service” sh.p.k., me administrator dhe pronar të vetëm Klodian Zoton. Por, “Albtek Energy” dhe “Integrated Technology” u ribashkuan në një vendndodhje të njëjtë zyrash disa javë më pas, në të njëjtën ditë. Në datën një tetor, ndonëse në seli të ndryshme, kompanitë njoftuan secila më vete çeljen e një adrese të dytë, që ndodhej çuditërisht në të njëjtin vend: “Kantieri i impiantit të përpunimit të mbetjeve urbane në Elbasan”. Dukej pra, që kompanitë, përveç zyrave, po ndanin edhe bizneset. “Integrated Energy” nuk ndaloi këtu. Ashtu si “Albtek Energy” një vit më parë, kompania i dërgoi qeverisë një letër, ku i kërkoi të ndërtonte një incenerator në Fier.

Qeveria u vu menjëherë në lëvizje dhe në shtator të 2016, “Integrated Technology” konkurroi e vetme dhe u shpall fituese duke siguruar të drejtën për të ndërtuar inceneratorin e Fierit, me vlerë 28 milionë euro. Adresa mbetej përsëri, e famshmja, “Sky Tower”, Zyra 13/2. Më pas, së bashku me dy ortakë të tjerë, “Integrated Technology” i dërgon qeverisë një letër të dytë, ku i kërkon një incenerator tjetër, por këtë radhë në Tiranë dhe natyrisht, më të madh. Qeveria vihet përsëri menjëherë në lëvizje dhe shpall tenderin për ndërtimin e inceneratorit. Qeveria e favorizon “Integrated Technology”, duke i dhënë paraprakisht disa pikë bonus. Pak javë më parë, Agjencia e Prokurimeve Publike njoftoi rezultatin e këtij tenderi për inceneratorin e Tiranës. Natyrisht, Zyra 13/2 u shpall përsëri fituese: “Integrated Technology” së bashku me dy ortakët e saj do të ndërtojë inceneratorin e Tiranës. Brenda një periudhe dyvjeçare, një zyrë e vetme, Zyra 13/2 në katin e trembëdhjetë të godinës “Sky Tower” në Tiranë, siguroi një sërë kontratash prej dhjetëra milionë eurosh, siguroi të drejtën për incenerimin e mbetjeve në më shumë se gjysmën e vendit, siguroi të drejtën për të prodhuar dhe për të shitur energji elektrike dhe përfitoi falas mijëra hektarë tokë publike në favor të bizneseve të saj. Ndonëse pa asnjë përvojë në menaxhimin e mbetjeve, përmes kompanive të saporegjistruara pa asnjë aktivitet tjetër, një grup i ngushtë personash shënuan “një histori suksesi”, qysh në muajt e parë të kësaj sipërmarrjeje. Për vitin 2016, shuma totale e urdhëruar prej Thesarit për Ministrinë e Mjedisit, në favor të të tretëve ishte pak më shumë se dy miliardë lekë (saktësisht 2 128 364 299 lek). Nga këto, 1,7 miliardë lekë kishin shkuar në favor të vetëm katër kompanive të përfshira në biznesin e menaxhimit të mbetjeve: “Integrated Technology”, “Ndërtim Montim Patos”, “Albtek Energy” dhe “Integrated Technology Waste Treatment Fier”. Pra, për çdo 100 milionë lekë që Ministria e Mjedisit kishte shpenzuar në vitin 2016, 80 milionë ishin shpenzuar në favor të kompanive të inceneratorëve. Vlen për t’u theksuar se kompania që do të ndërtojë inceneratorin e Fierit, “Integrated Technology Waste Treatment Fier”, ka përfituar deri tani 11 pagesa në para prej Ministrisë së Mjedisit me vlerë mbi 650 milionë lekë, edhe pse ndërtimi në fjalë nuk ka filluar ende, për shkak se banorët përreth e refuzojnë ndërtimin e tij.

Natyrisht, fituesja e madhe ishte Zyra 13/2. Kështu në pak muaj, falë operacioneve financiare dhe marifeteve, herë ta hapura dhe herë te fshehura, duke luajtur me adresa kompanish dhe transferta kapitalesh, brenda një rrethi të ngushtë të besuarish, një grup i vogël njerëzish në zyrën 13/2 të “Sky Tower”, përfituan shuma të mëdha prej fondeve publike dhe arritën “qiejt” e vërtetë të suksesit. Dështimi i politikave të menaxhimit të mbetjeve nga disa qeveri radhazi u shndërrua në një përfitim të papritur financiar për aksionarët dhe ortakët e zyrës 13/2. Inceneratori i Tiranës është inceneratori i tretë i aprovuar nga qeveria shqiptare dhe më i madhi. Zyra 13/2 është pjesë edhe e këtij suksesi. “Integrated Energy” B.V., një kompani e themeluar vitin e shkuar në Amsterdam, u mbështet paraprakisht me një bonus prej 8 për qind të pikëve, dhe u shpall fituese, në një garë ku ajo konkurroi e vetme.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.