Ish-kryebashkiaku i Prishtinës dënohet me 2 vite burg
Shpend Ahmeti nuk deklaroi 172 mijë euro
Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtor ish-kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, për mosdeklarim të saktë të pasurisë, duke e dënuar me dy vite burg dhe një gjobë prej 5 mijë eurosh.
Vendimi u bë publik të premten nga kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Leon Perllaska. Sipas këtij vendimi, masa e burgimit do të zbatohet vetëm pasi të marrë formë të prerë, ndërsa gjoba duhet të shlyhet brenda tre muajve nga hyrja në fuqi e vendimit përfundimtar.
Përveç dënimit kryesor, ish-zyrtari është detyruar të përballojë edhe shpenzime shtesë, përkatësisht 100 euro për kostot gjyqësore dhe 100 euro për Fondin për Kompensimin e Viktimave.
Gjykata ka rrëzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për konfiskimin e pasurisë së padeklaruar, e cila sipas akuzës kapte vlerën totale prej 172 mijë e 600 eurosh.
Sipas aktakuzës së ngritur në dhjetor 2025, Ahmeti dyshohej se gjatë ushtrimit të detyrës si kryetar i Komunës së Prishtinës në periudhën 2018–2022 nuk kishte deklaruar saktë pasurinë pranë Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit. Konkretisht, ai akuzohej për mosdeklarimin e 118 mijë e 200 eurove në llogaritë personale dhe 54 mijë e 400 eurove të transferuara në llogaritë e nënës së tij.
Në total, sipas organit të akuzës, bëhej fjalë për mbi 172 mijë euro të padeklaruara.
Ahmeti u gjykua për veprën penale që lidhet me mosdeklarimin ose raportimin e rremë të pasurisë dhe të ardhurave, një shkelje e parashikuar nga Kodi Penal i Kosovës. Në seancën ku u shpall vendimi ishte i pranishëm vetëm avokati i tij mbrojtës, Arbër Istrefi.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



