Ish-rektori Skënder Topi me 370 mijë euro në llogari: I kam nga kursimet e emigracionit
Lidhjet me drejtuesit e ILDKPI

Skënder Topi, rektori i Universitetit të Elbasanit, deklaron se ka 14 llogari bankare me vlerë 370 milionë lekë, 4 ullishte, 4 toka, 6 apartamente dhe dy vila.
Ai pretendon se këto pasuri janë rezultat i kursimeve nga puna në emigracion. Por, a mund të jetë e vërtetë kjo? Një tjetër pikëpyetje ngrihet mbi diplomën e tij të dyshimtë në mjekësi nga Universiteti i Barit-Itali, kur në të njëjtën periudhë ai supozohet të ketë qenë në Elbasan.
Që nga viti 2016, kur mori mandatin si rektor, Topi nuk ka deklaruar asnjë pasuri, për shkak të lidhjeve familjare me drejtuesit e ILDKPI. Edhe në mars të 2024-ës, para largimit nga detyra, nuk iu kërkua deklarimi i pasurive. SPAK duhet të hetojë pasuritë e tij, duke filluar me ato të deklaruara në vitin 2016, që përfshijnë llogari bankare të shumta dhe pasuri të paluajtshme të cilat ai pretendon se i ka fituar nga kursimet e 3 viteve emigrant në Itali dhe paga në Shqipëri.
Ndër pasuritë e tij të deklaruara në Elbasan përfshihen:
– Apartament 106 m², me vlerë 2.8 milionë lekë.
– Apartament 76 m², me vlerë 2 milionë lekë.
– Apartament 105 m², me vlerë 1 milion lekë.
– Apartament 62 m², me vlerë 1.8 milionë lekë.
– Apartament 152 m², me vlerë 74 mijë e 480 euro.
– Banesë 2-katëshe 140 m² me truall 150 m², me vlerë 4 milionë lekë.
– Ullishte 1450 m², me vlerë 2.9 milionë lekë, dhe pronësi të pjesshme në 13 mijë 270 m² tokë të dhuruar nga nëna; ndërsa bashkëshortja e tij është pronare e 11 mijë e 193 m².
– Bashkëshortja zotëron një klinikë dentare me vlerë 8 mijë euro.
Për këto pasuri, Topi deklaron se i ka siguruar nga kursimet e emigracionit dhe paga në Shqipëri, por nuk ka bërë asnjë deklarim për pasuritë dhe të ardhurat e fituara gjatë 8 viteve në detyrë. Këto të ardhura, për shkak të fshehjes, janë objekt hetimi nga SPAK.
SPAK duhet të hetojë edhe një kallëzim penal të bërë nga mjeku Shefqet Deliallisi më 17 qershor 2021 në Prokurorinë e Elbasanit, ku akuzohet se Skënder Topi ka diplomë mjeku dhe doktoraturë false. Në kallëzim thuhet se Topi nuk ka përfunduar Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë, por deklaron se ka marrë diplomë në Itali gjatë viteve 1994-1996, periudhë në të cilën ai supozohet të ketë qenë në Elbasan.
Përkundër këtyre akuzave, kallëzimi është pushuar nga drejtuesit e Prokurorisë së Elbasanit, Kreshnik Ajazi dhe Alfred Shehu, ky i fundit tashmë prokuror në SPAK. Ky është një tjetër skandal që kërkon hetim të plotë dhe të pavarur nga drejtësia shqiptare.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



