Jepini diçka Zotit Vuçiç!
AGIM NESHO 
Njëzet vite pas konfliktit të rëndë dhe spastrimit etnik në Kosovë, pasi komuniteti ndërkombëtar mbylli një çështje të nxehtë dhe përfundoi plotësisht procesin e shpërbërjes së Jugosllavisë, sot jetojmë në një botë që gjithmonë e më shumë po ndryshon; me një gjeneratë të re që nuk mban mend nga lufta dhe krizat nacionale-etnike, me një politikë të jashtme të fokusuar në interesat individuale të shteteve sesa normat e sistemit liberal ndërkombëtar, në një atmosferë ku nacionalizmi po fiton gjithmonë e më shumë terren ndaj frymës globaliste dhe nevojës për integrim.
Ballkani është i vetmi rajon gjeografik, që akoma nuk është integruar në Bashkimin Europian. Për t’u bërë pjesë e tij duhet të përafrohen jo vetëm standardet, por vendet duhet t’i përkushtohen ndërtimit të marrëdhënieve bashkëpunuese midis tyre.
Serbia dhe Kosova mbeten pika më e nxehtë në këtë drejtim. Problemet kryesore qëndrojnë se Serbia nuk e ka njohur akoma Kosovën dhe marrëdhëniet midis tyre kanë mbetur të ngrira. Ky proces i gjatë negocimi i BE-së, si dhe kushti që Serbia të njohë Kosovën përpara se të hyjë në BE ka filluar që në vitin 2011 dhe po vazhdon sot pa asnjë rezultat. Ndryshimet pozitive në Serbi, pavarësisht nacionalizmit të paepur serb, kanë bërë që Perëndimi gjithmonë të tentojë një zgjidhje sa më të pranueshme për palët.
Të vetëdijshëm për ‘rikalibrim’ të sistemit botëror, si dhe daljen në arenën ndërkombëtare të fuqive rajonale që kërkojnë rritjen e influencës së tyre në Ballkan dhe rikthimi në idenë e vjetër të dominimit ballkanik, Serbia ka filluar një lojë me pasoja për sigurinë dhe paqen në Ballkan.
Së pari, ka rritur bashkëpunimin me Rusinë, duke shtrirë interesat e baraslarguara midis Bashkimit Europian dhe Rusisë.
Së dyti, rigjallërimi i konflikteve të vjetra në Kosovë dhe Republika Srpska në Bosnjë-Hercegovinë. Kosovën e pozicionon në një konflikt të ngrirë midis dy vendeve ndërsa Republika Srpska-n si një kundërpeshë në zgjidhjet e ardhshme që ajo dëshiron me një ndarje gjeopolitike të Ballkanit midis fuqive të mëdha të interesuara. Projekti për ndryshimin e kufijve midis Kosovës dhe Serbisë do të ishte vetëm precedent për ndryshime të reja, duke hapur kutinë e Pandorës në Bosnjë-Hercegovinë dhe kthyer destabilitetin në zonë. Realizimi i këtij skenari bazohej në përkrahjen e siguruar nga disa liderë shqiptarë, të cilët si rezultat i presioneve apo delirit për të bërë gjëra të mëdha, e pranuan si zgjidhje këtë projekt.
Së treti, në fuqinë e lobimit në Uashington dhe Bruksel, i cili krijon një perceptim të gabuar dhe joreal se ndaj Serbisë është bërë një zgjidhje jo e drejtë në marrëdhëniet me Kosovën.
Zotit Vuçiç i duhet një zgjidhje e re, ku të dyja palët të dalin fituese dhe Serbia të marrë diçka si palë e dëmtuar. Agresivitetit serb për të marrë diçka duket se po i reziston vetëm Kosova, ku faktorët e tjerë të rëndësishëm ndërkombëtarë veprojnë më shumë për të balancuar qëndrimet e njëritjetrit, sesa në një zgjidhje të drejtë. Ky konfuzion krijohet edhe nga qëndrimi i disa liderëve shqiptarë, të cilët besojnë që çështja nacionale e tyre mund të zgjidhet me projekte serbe, duke disbalancuar vendimin ndërkombëtar se çfarë në të vërtetë palët kërkojnë.
Ajo që është e vështirë të kuptohet është mundësia që disa në Uashington mendojnë për një kompromis të ri që Serbia të njohë Republikën e Kosovës dhe disa zyrtarë të Brukselit që kërkojnë një formulë që zoti Vuçiç të fitojë diçka. Të vetmet vende që qëndrojnë të vendosura që çështja e Kosovës është një çështje e mbyllur historike, janë Gjermania dhe Britania e Madhe.
Nevoja për t’i ofruar Serbisë një kompromis, kur Serbia gjithnjë e më shumë po shket në pozitat e një sateliti të Rusisë, duket se tregon pafuqishmërinë e Europës së Bashkuar. Serbia ka qëndruar fort në dënimin e ‘agresionit të NATO-s’ dhe e ka çuar atë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, si dhe nuk do të mungojë të vazhdojë të mos njohë dhe veprimin humanitar të komunitetit ndërkombëtar, i cili është legjitimuar ex-post facto nga Këshilli i Sigurimit.
Ata mund ta bëjnë se vazhdon në Serbi gjenerata që i shërbeu regjimit të Millosheviçit. Prandaj, Kosova po qëndron fort në pabesueshmërinë e politikës serbe dhe pavendosmërinë e politikës europiane.
Një gjë është e qartë. Çdo marrëveshje larg një realiteti objektiv dhe vetëm në favor të ambicieve nacionaliste të një pale, krijon tension të ri. Ballkani nuk është bussiness as usual.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



