E mërkurë, 21 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Jorida Tabaku: Kërcënimi ndaj Endri Meksit, test për drejtësinë dhe politikën
Lajme

Jorida Tabaku: Kërcënimi ndaj Endri Meksit, test për drejtësinë dhe politikën

Deputetja e Partia Demokratike e Shqipërisë, Jorida Tabaku, është e para dhe deri tani e vetmja figurë politike që ka reaguar publikisht ndaj kërcënimeve me jetë ndaj drejtorit të MCN TV, Endri Meksi.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Tabaku i ka bërë thirrje Policisë së Shtetit dhe organeve të drejtësisë që të ndërhyjnë menjëherë për të garantuar sigurinë dhe për të identifikuar autorët, duke theksuar se rasti nuk është thjesht një incident i izoluar.

Sipas saj, kërcënimet ndaj gazetarëve po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe lidhen me një klimë të përkeqësuar ndaj medias, ku gjuha politike shpesh është denigruese dhe kritika trajtohet si armike.

Tabaku nënvizon se kjo situatë krijon terren për intimidim dhe presion ndaj mediave, duke shtuar se përgjegjësia nuk bie vetëm mbi organet e drejtësisë, por edhe mbi vetë politikën dhe mënyrën se si ajo komunikon me publikun dhe median.

Ajo kërkon reagim të menjëhershëm nga institucionet përkatëse për të garantuar sigurinë e gazetarëve dhe për të zbardhur plotësisht ngjarjen, duke vendosur para përgjegjësisë çdo person të përfshirë.

Deputetja thekson se liria e medias nuk cenohet vetëm përmes dhunës fizike, por edhe përmes presionit të vazhdueshëm dhe gjuhës së ashpër politike. Sipas saj, Shqipëria nuk mund të avancojë drejt integrimit europian në një klimë frike ndaj medias, ndaj kjo situatë duhet të marrë fund.

Postimi i plotë i Tabakut:

Kërcënimi i përsëritur ndaj pronarit të MCN TV nuk është thjesht një incident i izoluar. Është një rast i përsëritur që, fatkeqësisht, vjen në një moment kur kultura e fyerjes dhe e sulmit ndaj gazetarëve ka arritur nivele të reja.

Ky mjedis toksik, ku gjuha politike ndaj medias është denigruese dhe ku kritika trajtohet si armik e jo si pjesë e demokracisë, krijon një terren ku kërcënimi dhe intimidimi bëhen të mundshme.

Nuk është rastësi por po kthehet në kulturë e sponsorizuar nga një qeveri që sulmon gazetarët. Një qeveri që nuk respekton median me fjalë, nuk mund të pretendojë se e mbron atë me veprime.

Prandaj, ky nuk është vetëm një test për organet e drejtësisë për të hetuar dhe ndëshkuar çdo kërcënim. Është një test për vetë politikën dhe për mënyrën si flet, si sillet dhe si e trajton fjalën e lirë.

I bëj thirrje Policisë së Shtetit dhe organeve të drejtësisë të marrin menjëherë masa për këtë rast të përsëritur, të garantojnë sigurinë dhe të zbardhin plotësisht ngjarjen, duke vënë përpara përgjegjësisë çdo autor.

Sepse liria e medias nuk cenohet vetëm me dhunë fizike. Ajo cenohet çdo ditë; me gjuhë, me presion dhe me përpjekje për ta delegjitimuar.

Shqipëria nuk mund të ecë drejt Europës me një klimë frike ndaj medias dhe kjo klimë duhet të marrë fund.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.