Meriton Siqeca
Edhe atëherë kur harroni ekzistencën e mjekëve dhe stafit të shëndetësisë, edhe atëherë kur i shani me të gjitha fjalët e këqija që gjenden në fjalor dhe më shumë, ne jemi në punë çdo minutë të jetë sonë.
Edhe kur na mbaron orari i punës, përgjigjemi në telefon, what’s app, viber, facebook ndaj çdo ankese të pacientit. Sa herë që na keni sharë, është parë që nuk gjykohet drejtë, andaj dhe gjykimi i tanishëm nga ana juaj nuk na duhet.
Ne kalojmë çdo ditë duke luftuar një pafundësi sëmundjesh e diagnozash. Aktualisht po merremi me vetëm NJË (1) diagnozë, patjetër shumë të rrezikshme dhe pandemike.
Ju lutem, shfrytëzoni këtë moment ku po rezultojmë heronj për ju dhe “taposeni” përfundimisht në kokë që ne kemi një betim ndaj vetvetes që çdo njeri do ta trajtojmë si familjarin tonë dhe se të bësh mjekësi ka të mira të pafundta, por dhe këto situata.
- Kjo është luftë e llojit tjetër. Me plumba luftojnë ushtarët, në pandemi jemi ne ushtarët. Do donim shumë të qëndronim në shtëpi edhe ne, por as nuk e diskutojmë në asnjë moment që do jemi në spitale deri sa ta qërojmë dhe këtë kërcënim ndaj njerëzimit, me apo pa “kurajën” tuaj që na jepni duke na quajtur “heronj”!
Ju lutem, si mjek, ju vetëm rrini në shtëpi, se nuk është kohë për të dalë te liqeni për t’i bërë xhiro nipçes apo mbeskës, se i kanë heq nga shkolla.
Nuk dua të merrem fare me faktorët e mjerueshëm personale që kemi secili nga ne, në punën tonë të përditshme, të cilat i dinë vetëm familjarët e miqtë e ngushtë që habiten kur i dëgjojnë. Jemi HERONJ çdo ditë të punës sonë, prej nga ekzistoni dhe ju dhe ekzistojnë të dashurit tuaj!
Kjo është situatë e rëndë. Nuk na duhen elozhet tuaja, por bashkëpunimi juaj me këshillat e OBSh-së dhe tonat. Pikë!
Ju uroj jetë të gjatë dhe do ta kalojmë këtë situatë të gjithë me kontributin e vet! Ne jemi GJITHMONË këtu dhe, siç e tregon historia, përkushtohemi më shumë ndaj jush, se sa ndaj vetes e familjarëve tanë, ÇDO DITË!



