Ju ruajtë e ju ndihmoftë Kisha e Laçit!
Kur bien daullet nuk dëgjohet melodia e flautit
Basha e Berisha po i bien daulleve, tashmë çdo ditë e më fort. Ndoshta, lëkurën e këtyre daulleve që dëgjohen sot e ka qepur Rama, por ama daulleve po i bien këta të dy me duart e tyre. Zhurma e daulleve të tyre po prodhon një melodi që të fton të rreshtohesh; njëherësh ajo nuk lejon të dëgjohet aspak melodia ripërtëritëse për të cilën kemi nevojë. Edhe pse zgjedhjet s’ka shumë që kanë mbaruar, dhe edhe “kësaj rradhe” duket sikur i kemi vënë kapakun hallit të madh që na ka zënë me të përhershmit.
Pazotësia për të menduar përtej Bashës apo Berishës është fatkeqësi e madhe. Janë të dy i njëjti model, veçse njeri një surrogat dyleksh i tjetrit. Të dy, me përshkrimet e vjetra e të reja për njëri tjetrin, kanë demonstruar se asnjë normë morale nuk i ndal për të ruajtur pozicionin e tyre në tavolinën ku është shtruar tepsia e pushtetit. Rastet kur ajo që thonë, arrin të përputhet me atë që bëjnë janë gjithnjë e më shumë të rralla. Prandaj edhe besimi tek opozita ka rënë, dhe shfaqja që “baba” dhe “biri” po u ofrojnë opozitarëve në këtë vjeshtë të parë të 2021 nuk do prodhojë asnjë dobi publike, por vetëm përfitim pesonal për njerin ose tjetrin, dhe patjetër një komfort për Ramën dhe ortakët e tij të buxhetit të shtetit.
Mendoj se vendi ka nevojë, në mos për një forcë politike, për një propozim të ri politik, për një kontratë të re me qytetarët, ku marrëdhënia mes tyre të bazohet tek idetë dhe jo tek personat, një kontratë që fillon me kufizimin e mandati të kryetarit. Përndryshe, kurrë nuk do diskutojmë a është e mirë apo e keqe një ide, për të tashmen dhe të ardhmen e secilit prej nesh, por do çirremi dhe kërleshemi të groposur nëpër llogore nëse qëndron më lart bajraku i Berishës apo i Bashës së rradhës.
E nëse kjo ju duket e bezdisshme, apo e pamundur sidomos tani që Berisha ka dalë nga rehati, apo se Basha vulën e PD e ka futur në një gropë të thellë që e di vetëm ai, mendoj se e shihni politikën si një çast oportunist dhe jo si një proçes ku secili duhet të shfaqë fytyrën e vet, bindjet e veta të vërteta. Përveç kësaj, të gjithë e dini që ka botë edhe jashtë botës së Bashës e Berishës, pavarësisht zhurmës shurdhuese që lëshojnë daullet e tyre. E nëse keni frikë ta pranoni që kjo botë ekziston, lëre më t’i jepni një shans, atëhere i pafshi hajrin, mu siç po ja shihni! 🙏Ju ruajtë e ju ndihmoftë Kisha e Laçit!
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



