Kantieret e ndërtimit zaptojnë trotuaret dhe rrugët, Veliaj bën sehir

Kompanitë e ndërtimit në Tiranë kanë zaptuar pa asnjë leje trotuaret, duke rrudhur edhe më tej hapësirën publike. Në disa nga zonat më të populluara në kryeqytet, të ecësh në rrugëkalimin e kalimtarëve është një sfidë e vërtetë. Në disa raste madje, ata mbajnë të zaptuar prej vitesh, edhe korsi të kalimit të automjeteve. Ndërsa bashkia pranon se nuk kanë marrë leje për përdorimin e hapsirës publike, megjithatë nuk kanë penalizuar askënd.

Citizens Channel monitoroi në terren katër kompani ndërtimi, që po ngrenë shumëkatësha në zemër të kryeqytetit. Bashkia e Tiranës pranoi se këto kompani punojnë në paligshmëri, duke kapërcyrer kufinjtë e kantiereve dhe rrëmbyer sipërfaqen publike qytetarëve.

Një ndër këto kompani është “Geci Group” e cila po ndërton hotelin “Intercontinental”, pas 15 katëshit. Zënia e trotuarit të këmbësorëve nga kjo kompani, vë në rrezik jetën e qytetarëve, teksa mundohen të kalojnë nga ana tjetër e rrugës. Kjo kompani ka futur prej vitesh brenda rrethimit të kantierit të ndërtimit edhe një pjesë të korsisë së Unazës së Vogël.

“Për subjektin ”Intercontinental”, në qendër të Tiranës, te ish – 15 katëshi, nga verifikimi rezulton se nga ana e institucionit tonë nuk është dhënë leje”- i tha Bashkia Tiranë Citizens Channel.

“Geci Group” i kontaktuar nga Citizens tha se nuk është i detyruar të jap një përgjigje në lidhje me këtë.

Bashkia Tiranë thekson se pajisjet e punës, zyrat e përkohshme të kantierit etj., përfshihen në plan organizimin e kantierit, por në të gjitha rastet plan organizimi i punimeve nuk parashikon zënie te hapësirave jashtë kufirit të pronave për zhvillim.

Organi kompetent për inspektimin e punimeve gjatë ndërtimit është Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit, i cili verifikon në mënyrë të vazhdueshme dokumentacionin tekniko-ligjor dhe zbatueshmërinë e projektit të miratuar (përfshi këtu dhe plan organizimin e kantierit të punimeve).

“Duhet dërguar direkt ankesë, sepse kjo do të thotë që Bashkia fle gjumë të thellë. Nuk është bllokim rrugor për dy javë, janë muaj që janë zënë këto hapësira publike dhe është çudi që asnjë nuk është në dijeni nga personat përgjegjës“- analizon për Citizens Martin Lerch nga “Urban Movement”.

Ai shton se gjëja më e rëndësishme është që trafiku, por edhe këmbësorët, nëse i janë zënë trotuaret, duhet t’ju ofrohet një alternativë për të kaluar në mënyrë të sigurtë, mundësisht larg kantierit që mos të rrezikohen nga elementët në skeleri, që mund të bien.

“Përshembull te “Downtown One” nga Kastrati është zënë një pjesë e rëndësishme e trotuarit me tunel, ky i fundit shërben për kalimin e këmbësorëve, si alternativë ndaj bllokimit të rrugës“- shtjellon Lerch.

Për subjektin “Ekspozita Buding”, ku po ndërton shoqëria “Viktoria Invest”, Bashkia Tiranë thotë se nuk ka leje për shfrytëzim të hapësirës publike. Megjithëse kompania ka zënë trotuaret dhe parkingjet publike, ka hapur vetë një parkim alternativ privat.

“Ne kemi marrë leje, janë vënë dhe tabelat, jemi brenda të gjithë rregullave. Nuk zihet rruga, gjithmonë kur ka kantiere, që mos të dëmtohen qytetarët bashkia jep një leje provizore”- tha për Citizens një përfaqësues i “Ekspozita Bulding”.

Situatë e ngjashme konstatohet edhe për subjektin “Altana” në rrugën “Liman Kaba”, i cili nuk është i pajisur me leje për bllokim trotuari, por po njësoj ka bllokuar rrugën me pajisjet e kantierit.

Përfaqësuesi i këtij subjekti deklaroi se ishte i sëmurë dhe për momentin nuk mund të jepte një reagim.

Shoqëria “Texas Devlopment” në rrugën “Brigada e VIII” pretendon se e ka lejen, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk na e vendosi në dispozicion. Në total punimet e kësaj firme do të zgjasin 48 muaj, periudhë që përkon edhe me bllokimin e trotuarit dhe kalimit të këmbësorëve.

“Në momentin që mbarojmë ato punime lirojmë trotuarin, nuk është se do e mbajmë ne trotuarin“- përfundon një përfaqësues i shoqërisë “Texas Devlopment”. Citizens Channel

Publikuar nga Publik Media