Karakaçi i OSHEE i jep BNT ELECTRONICS 1.4 MLD me ofertën më të lartë
1.4 miliardë lekë të vjetra ka marrë kompania BNT ELECTRONICS një tender të dyshimtë të dhënë nga Enea Karakaçi i OSHEE. Duket se Enea nuk ka nguruar aspak të ndjekë gjurmët korruptive të paraardhësit të tij. Jo vetëm që ka organizuar një tjetër tender të dyshimtë, por kësaj radhe edhe “llokma” është e madhe.

Ai ka shpallur fituese BNT ELECTRONICS në një tender tepër të dyshimtë ku gjithë të tjerët ofruan më pak, por për habi fitues u shpall kompania që dha shifrën më të lartë. Bëhet fjalë për tenderin me numër reference REF-67579-04-27-2023. Objekti i këtij tenderi është “Mirëmbajtje e Customer Relationship Management (CRM) dhe sistemit të Faturimit për OSHEE”.

Për këtë është vendosur një fond limit në vlerën 119,770,498 lekë të reja pa TVSH ose rreth 1.4 miliardë lekë të vjetra me TVSH. Duke shfletuar dokumentacionin, shikohet se kanë marrë pjesë në garë vetëm 3 kompani. Firma BNT ELECTRONICS ka ofruar shifrën 117,982,224 lekë të reja pa TVSH ose gati 1.4 miliardë lekë të vjetra me TVSH.

Siç përmendëm dhe më sipër, kjo firmë ka ofruar ofertën më të lartë. Për të krijuar një ide të abuzimit, mjafton të krahasojmë këtë ofertë me ofertën më të ulët. Rezulton një diferencë prej gati 70 milionë lekë të vjetra me TVSH.
Kuptohet që nuk është një vlerë aspak e vogël kur bëhet fjalë për shpërdorimin e parave të shqiptarëve. Dyshimet për një fitues të paracaktuar të këtij tenderi i shton edhe fakti se vlera fituese është sa 99% e fondit limit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



