Karanxhai dhe Metodologjia e re e zgjerimit të BE.
Më kujtohet një humor korçar:
“Profesori i fizikës i thotë nxënësve: si ta kalojmë një fill nga njëri krah i markuçit në tjetrin?
Një nxënës ngre dorën dhe thotë: po ja bre presor, marrim një karanxha, ja lidhim fillin për mesi dhe e fusim nga njëri krah dhe ai del nga krahu tjetër. U bë.
Profesori, e sheh me ironi nxënësin, dhe i thotë: po sikur karanxhai të kthehet në mes të rrugës?
Nxënësi ja pret: po ce o presor ment e tua ka karanxhai?!”
Po pse o, metodologjia e zgjerimit e ka penguar integrimin europian të Shqipërise? Nuk më takon të komentoj erërat sociale dhe politike që fryjnë në BE dhe që ndikojnë proçesin e zgjerimit. Mendoj se pengesë është kultura autoritariste, korrupsioni galopant, vjedhja e zgjedhjeve, mbushja e parlamentit me kriminelë, emërimet politike në administratë, në shkolla, kopshte e çerdhe ….. Këto nuk luftohen me metoda burokratike por me sjellje politike.
Nuk ka asnjë rëndësi metodologjia e re burokratike e zgjerimit të Bashkimit Europian.
Vendimi për t’u bërë, ose jo anëtar i Bashkimit Europian ishte, është, dhe do mbetet politik. Pasi është politik, mund të kualifikohet më tej si strategjik, fobik, mediatik.
Metodologjia e re burokratike, vetëm sa justifikon sjelljen e ardhshme politike të BE. Kjo bëhet duke krijuar kinse argumenta në 6 fusha, që ata lidera të BE që janë kundër zgjerimit të mos duken krejtësisht infantil. Infantil në qëndrimin ndaj sakrificave çnjerëzore që bëjnë njerëzit që emigrojnë në BE për t’i shpëtuar qverive të tyre.
Hapja e negociatave, nuk do të thotë se u bëre anëtar i BE. Bile metodologjia e re e zgjerimit parashikon edhe kthim mbrapa në negociata, në rast se verifikohen mospërmbushje të standarteve, etj.
Por, dhe në këtë rast, vendim-marrja do jetë politike. Për vendet e veçanta, ajo implikon një analizë të tipit: A do e bëjmë qeverinë/kryeministrin x apo y të duket i/e pa-aftë, e korruptuar, idiote etj. apo jo ?? Apo do vazhdojmë të puthemi, t’i presim e t’i përcjellim këto qeveri/kryeministra dhe të tallemi me popullsinë duke thënë që këta keni zgjedhur ??
Për të kryer këtë analizë, dhe vendim-marrjen përkatëse nuk ka nevojë për metodologjira të reja. Kjo mund të kryhet që tani, thjesht fare, përmes Raportit të Progresit që Komisioni i BE nxjerr çdo vit kalendarik.
Metodologjia e re e zgjerimit, vetëm sa i shton një petë byrekut të integrimit, nuk është se shton harxhin e hedhur në të. Përkundrazi, qëndrimi politik ndaj regjimeve oligarkike që kanë kapur votën i ndihmon njerëzit të çlirohen prej tyre dhe të bëhen europianë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



