Karola
Nga çfarë mundësojnë dhe kujt i shërbejnë, rrjetat sociale të Internetit kanë kryesisht natyrë zbavitëse. Si të tillë, ta do mendja që shumica e frekuentuesve të tyre duhet të jenë ata që kanë më pak punë dhe më tepër kohë, pra fëmijët që kanë kohë të lirë, të moshuarit që kanë dalë në pension, dembelët që s’e kanë qef punën, pse jo dhe të burgosurit, ndërsa më të paktit frekuentues ata që kanë më tepër punë dhe më pak kohë, të rinjtë, të fuqishmit, ata që mendojnë dhe punojnë për jetën, të ardhmen, karrierën.
Kështu “ta do mendja”, por fatkeqësisht faktet dëshmojnë një realitet tjetër, të kundërt, të përmbysur. Një realitet aq të ndryshëm dhe aq të ndryshëm sa të bën të mendosh se arsyetimi i mësipërm mund të jetë i vërtetë për ndonjë vend tjetër, ndonjë popull tjetër, po deshe edhe për ndonjë planet tjetër, por jo për shqiptarët fantaziozë të papërmbajtur dhe Shqipërinë tonë të dashur.
Në Shqipëri, në rrjetat sociale, posaçërisht në kohëbjerrësin më të përbindshëm që ka shpikur mendja njerëzore, në Fejsbuk, nuk janë ata që “ta do mendja” të jenë, pra ata që kanë më pak punë dhe më tepër kohë, por të kundërtit e tyre, ata që kanë, ose duhej të kishin, më tepër punë dhe më pak kohë.
I tmerruar nga prezenca numerike dukshëm superiore e të rinjve në Fejsbuk, pra e atyre që janë në kulmin e energjisë, punëve të shumta dhe preokupimeve të panumurta, ka nja tre a katër vite që i llaftarisur nga proporcionaliteti i përmbysur i punës dhe zbavitjes që e paraqet Shqipërinë si vendin e një ahengu pa fillim e pa mbarim, për të parë sa thellë ka depërtuar kjo kolerë, kudo ku vete kërkoj një të ri ose të re rreth 20 vjeç që të mos jetë në Fejsbuk. I kam rënë Shqipërisë kryqetërthor disa herë. 20 vjeçarin ose 20 vjeçaren që të mos jetë në Fejsbuk meazallah se po e gjej.
Në Fushë Krujë një 20 vjeçare surrat nëpërkë krrusur mbi kompjuter, më tha se një moshataren e saj që nuk është në Fejsbuk mund ta gjej vetëm në planetin Mars.
Një djalosh Gramshk kokërruar më tha; Nuk thua shyqyr që të gjitha 20 vjeçaret janë në Fejsbuk ku i zemë kollaj dashnore.
Një myzeqare bullafiqe më tha se në një vend ku të gjithë janë në Fejsbuk të kërkosh dikend që nuk është në Fejsbuk, është njësoj si të kërkosh një të vdekur. Shko gjeje në vorreza 20 vjeçaren që nuk është në Fejsbuk.
Ore ti s’qënke në vete, më tha një mallakastriot i moshuar me kasketë skilipec kock e lëkurë. Ne në Fejsbuk jemi sepse Fejsbuku na nxjerr mallin e Koperativës. Kalamajtë tanë futen në Fejsbuk pare se të futen në klasë të parë. Kemi nisur të fusim në Fejsbuk gjith’ gjën’ e gjallë, bagëtinë, derrat, dhitë, lopët, kuajt, gomerët.
Te një Internet Kafe në Këlcyrë një djalosh që kishte qënë ca kohë në burg për trafik hashashi dhe që shkonte rregullisht në Teqenë e Alipostivanit, mua betua “Për Hasan Dede” se nga Ura e Leklit deri në Korçë mund të gjeja edhe italianë dhe grekë të vdekur në luftën italo-greke që janë në Fejsbuk, por asnjë 20 vjeçar që të mos jetë.
Megjithatë nuk u ndala. Bëra edhe shumë përpjekje të tjera. S’lashë vend pa vajtur për të gjetur një 20 vjeçar që të mos jetë në Fejsbuk; Në Martanesh, në Pukë, në Kukës, në Dibër, në Mirditë, në Devoll, në Divjakë. Asnjë rezultat.
Derisa më thanë se aty ku më së paku e prisja, në Tiranë, ekziston Karola.
Karola është 20 vjeç.
Karola nuk është në Fejsbuk.
Karola është studente për Informatikë Ekonomike.
Karola nuk është kock e lëkurë si mallakastrioti, nuk është bullafiqe si myzeqarja.
Karola është e bukur si drita, e menduar si Hëna, elegante dhe fine si aristokrate.
Karola nuk ka asnjë problem me veten, nuk vuan nga asnjë krizë identitare.
Karola s’ka kohë të jetë në Fejsbuk.
Karola jo më pak se 6 orë në ditë rri përmbi libra.
Karola nuk është në Fejsbuk sepse mësimet janë të thella, interesante, të vlefshme, ndërsa Fejsbuku është i cekët, i kollajtë, aspak interesant, aspak i vlefshëm.
Karola kohën e lirë e përdor për të lexuar libra artistikë, poezi, romane, letërsi serioze.
Karola disa ditë para ndonjë sfide, për shembull para ndonjë provimi të vështirë, për tu mbushur me energji, gjithmonë i vërsulet një libri artistik.
Dy gjëra e ekzaltojnë, e trimërojnë më tepër Karolën; Leximet prej të cilave mëson përvojat e suksesëshme të të mëdhenjve, dhe Fëmijëria brenda vegimeve të së cilës si brenda një sfere kristali sheh të ngjeshur të gjithë jetën.
Thotë Karola;
Më pëlqejnë jetët e njerëzve të shquar, atyre që kanë bërë Historinë e botës; dijetarët, shkencëtarët, shkrimtarët, mbretërit, perandorët. Nuk marr shembull nga të shumtit e vegjël dhe të harruar, por nga të pakëtit e mëdhenj dhe të pavdekshëm puna dhe veprat e të cilëve kanë mbetur. Më pëlqen veçanërisht jeta e Ajnshtainit. Ndoshta ngaqë është marrë më kohën, relativitetin e kohës, efikasitetin e të menduarit, ka tallur budallenjtë, ata që duke bërë gjithmonë të njëjtën gjë presin rezultate të ndryshme, domethënë sorollopët e fejsbukistave të sotëm. Po të ishte gjallë kushedi ç’mrekullira do dëgjonim prej Ajnshtaint për parajsën e budallallëkut, Fejsbukun. Ah sikur të ishin gjallë Homeri, Dante, Fan Noli, Lasgushi, t’i dëgjonim çfarë do thoshin si do talleshin me Fejsbukun. Shumë shpejt do lexoj krejt letërsinë klasike në gjuhët përkatëse, të gjitha tragjeditë e Shekspirit, do mësoj përmendësh 100 poezitë më të bukura që janë shkruar deri më sot në planetin tonë prej të cilave me siguri jo më pak se 10 janë të Lasgushit, do shoh të gjitha muzeumet e Firences dhe të Londrës, do udhëtoj në Azi, Afrikë, Amerikën latine, do udhëtoj më këmbë nëpër të gjitha katundet e Shqipërisë. Do ti bëj patjetër të gjitha këto dhe shumë e shumë të tjera.
Mos u ndal Karola. Bota nuk është e fejsbukistave që pasi shkruajnë një rrjeshe e gjysëm u merren mentë. Bota është e sfidantëve, e iniciatorëve, e trimave, e të diturve, e inteligjentëve, e të papërtuarve, pra e jotja.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



