KÇK e Rilindjes është e ëmbël
Ndërsa në Gjykatën e Tiranës mbahej seanca për ndryshimin e masës së sigurisë, për ish-kryetarin e Bashkisë së Vorës Agim Kajmaku, kryeministri Edi Rama shfaqej në spektaklin: “policia e kap kriminelin me qerre…”
Rama bëri një bilanc lëvdatash të Policisë së Shtetit, për vitin e shkuar, por iu kthye edhe një herë të ashtuquajturës prej tij KÇK (kap ça të kapësh), duke paralajmëruar ashpër të gjithë prokurorët e gjyqtarët se ky do të jetë një vit i vështirë, për ta.
“Shoqëria jonë po përballet me një organizatë kriminale brenda sistemit të drejtësisë, e rrezikshme e kriminale e përbërë nga prokurorë e gjykatës që nuk e kalojnë dot vettingun e i janë bashkuar motos KÇK duke dhënë vendime skandaloze e në cënim të sigurisë kombëtare”tha Rama. Ai shtoi më tej se janë ndërmarrë nisma për një pakete ligjore për të ndërmarrë ofensivën ndaj krimit të organizuar, ndaj të gjithë atyre që janë dënuar, janë akuzuar por i kanë shpëtuar dënimit si rezultat i KÇK. “Ka ardhur koha të provojnë se pasuria e tyre nuk buron nga krimi ose përndryshe të dorëzojnë pasurinë e tyre dhe paralelisht do vemë me shpatulla pas muri cdo anëtar të KÇK që do marrë vendime në kundërshtim me ligjin.” u shpreh Rama.
Por ka dy lloje (KÇK-shë), ajo e Rilindjes, e cila është e ëmbël, e duhura, e mira, që vjedhja nuk quhet krim por meritë, që të kapësh çtë kapësh, por një pjesë e derdh në arkën e pushtetit nuk është shkelje ligjore për Ramën.
Rasti tipik ishte po sot, ku pikërisht në të njëtën kohë me daljen e Ramës, në Gjykatën e Tiranës avokatët mbrojtës të ish-kryerilindasit të Vorës Agim Kajmaku kërkuan ndryshimin e masës së sigurisë për të. Ata prokurorë dhe gjyqtarë që po gatiten të shpëtojnë një Rilindas qoftë edhe të dorës së dytë, a janë KÇK (Kap Çtë Kapësh)?
Prokurorë dhe gjyqtarë po gatiten për ti dhënë lirinë ish-kryetarit të Bashkisë së Vorës Agim Kajmaku i akuzuar për falsifikim dokumentash dhe shpërdorim detyre. Ai u denoncua nga Partia Demokratike se ishte arrestuar dhe dënuar në Greqi për akuzën e falsifikimit të parave, por këtë fakt nuk e kishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit. Pikërisht në ditën e shkarkimit nga detyra, Kajmaku merr disa vendime të dyshimta, duke shkarkuar dy nënkryetarët që i kishte vendosur partia dhe emëruar dy të tjerë.
Ai u shpall në kërkim, por “KÇK-ja në polici” nuk arriti ta kapte, edhe pse përflitet se Kajmaku jeton i qetë mes aksit Tiranë-Vorë, pa pasur drojë se “policia e pavaruar” do e arrestojë. Duke qene funksionale KÇK-ja e Rilindjes, prokuroria po tenton të ndryshojë akuzën, duke ia hequr atë të falsifikimit të dokumentave dhe për pasojë pritet ti ndryshohet masa e sigurisë nga “arrest me burg pa afat”, në detyrim paraqitje.
Këto marifete të drejtësisë Rama nuk i quan KÇK… Ka edhe një kategori tjetër gjyqtarësh e prokurorësh që futen në thesin e madh Kap Ç’të Kapësh, por ata kapin për interes të tyre personal dhe si të tillë, duke mos i bërë ndere pushtetit dhe mbajtur për vete “gjahun e majmë”, konsiderohen si armiq të partisë dhe parisë se vendit.
Sot është koha për të kapur…, por një pjesë të mira ta dorëzosh si “kontribut” për Rilindjen dhe vetëm në këtë mënyrë nuk konsiderohesh shkelës ligji, apo ryshfetxhi që nuk jep drejtësi.Boldnews.al
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



